Dashuria e ndaluar e vitit 1956 së studentit nga Skrapari me gjermanen.

  • Share

Neshat Odobashi ishte një ndër studentët me rezultatet më mira e për këtë në vitin 1956 do të fitonte bursë studimi në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ).

I lindur në 1935 në fshatin Spatharë të Skraparit, ai së bashku me familjen u detyruan të braktisin në vitin 1940 vendlindjen për shkak se në Skrapar ishte ashpërsuar lufta italo-greke. Në vitin 1944 rikthehen sërish në Skrapar. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje në 1949. Rezultatet e larta i mundësojnë fitimin e një burse për ndjekjen e shkollës së mesme po këtë herë në Tiranë në gjimnazin e vetëm që kishte Tirana asokohe, “Qemal Stafa”. Maturën do t’a përfundonte në Shkodër.

Neshat Odobashi

Në vitin 1956, fiton të drejtën së bashku me 20 maturantë të tjerë nga e gjithë Shqipëria të fitonte bursë studimi jashtë vendit. Neshat Odobashi nisi studimet në Lajpcig, Gjermani (Asokohe RDGJ – Republika Demokratike Gjermane), ku do të studionte fillimisht gjuhën gjermane pranë Instituti i Gjuhës në Lajpcig e më pas studimet universitare për Inxhinieri Metalesh në Dresden. Por, në mënyrë të papritur në 1959, ndërsa kishte ardhur për pushime në Shqipëri, bursa e studimit i’u ndërpre.

Arsyeja e vetme ishte se ai, kishte një lidhje me një vajzë gjermane. Lajmi për ndërprerjen e bursës së studimit erdhi i beftë, duke i thënë se do paraqitej pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Në librin e tij, të botuar në vitin 2009, vetë autori tregon historinë e personazhit që fshihet pas emrit të tij, Bardhit ku përshkruhet kjo situatë:

E priti zëvendësministri, të cilin pak a shumë e njihte, se ishte nga e njëjta anë me të. E priti me këmbët e para.
-Ti je Bardhi Kodra?
-Po, unë jam! – u përgjigj Bardhi gjakftohtë.
-Në Paris je rritur ti? – i tha zëvendësministri me cinizëm.
-Nuk po ju kuptoj! – i tha djali.
-Ne të kemi dërguar për studime, kurse ti je marrë me femra.
Nuk jam marrë me femra. Ata që janë marrë me të tilla, nuk u është përmendur emri. Unë jam lidhur me një vajzë dhe i kam dhënë fjalën. Lidhja me një femër nuk përbën ndonjë vepër penale për një të ri.
-Ç’të duhet me të tjerët. Ti nuk lejohesh të shkosh përsëri. Vazhdo studimet në Universitetin e Tiranës, në një nga degët që dëshiron.
-Një masë e tillë ekstreme më duket tepër e padrejtë – tha Bardhi.
-Atë e dimë ne, nuk do të pyesim kokën tënde, si duhet të veprojmë
-Të paktën më jepni mundësinë të vazhdoj me bursë këtu, sepse nuk kam asnjë mbështetje financiare dhe asnjë bazë – i’u lut urtësisht Bardhi (megjithëse në atë moment vetja iu duk i poshtëruar, sikur po i kërkonte ndonjë lëmoshë).
-S’ka bursë për ty. Ik, ku të duash – iu përgjigj me përbuzje përfaqësuesi i fuqishëm i shtetit. “

Kopertina e librit të Neshat Hodobashi “Njeriu me dy hije” Shtëpia Botuese “Erik” 2009

Në një intervistë së publikuar në vitin 2013, Neshat Hodobashi tregoi se: “... U futa më pas në kombinat, punoja natën dhe vazhdoja universitetin ditën, sepse më thanë që s’më jepnin dot bursë“. Përmes letrash, Neshati i shkruajti dhe arsyet, të dashurës së saj që kishte lënë në Gjermani. Por ajo, duke mos i kuptuar këto arsye së cilat vendos të vij vetë në Shqipëri.

…ajo në fakt fillimisht u përpoq të vinte direkt nga Bullgaria për të qëndruar disa kohë në Shqipëri me vizë, por më në fund erdhi vetëm si “turiste”. Kishte këmbëngulur gjatë, sepse nuk i besonte dot letrave të mia, arsyeve false që unë rendisja për një ndarje aq të papritur. Dola dhe e prita në Rinas, pak muaj pasi unë isha kthyer dhe kisha nisur studimet për gjuhë-letërsi në Tiranë, ndërkohë që qëndroja tek shtëpia e vëllait tim në Kombinat. U habit nga shikimet dhe vëzhgimi që i bënte Sigurimi, duke më pyetur shpesh se ç’janë këto gjëra? Qëndroi disa ditë“. Dhe një ditë të bukur, ajo mbërrin në vendin ku ai punonte në Kombinat. Kombinati zjeu nga fakti se një Gjermane kishte ardhur aty. “…E prisja para Hotel Dajtit dhe shkuam bashkë edhe në Durrës. Ndërsa rrija me të e mundohesha t’i shpjegoja realitetin në breg të detit, më thërrasin në rajonin e policisë së plazhit e më kërcënojnë ashpër. Aty e pashë për herë të parë diktaturën në stilin e saj origjinal, atë të hekurave, ashtu kërcënuese, të drejtpërdrejtë“.

Nuk doja që edhe ajo të vuante për shkakun tim. Arrija të parashikoja fare qartë se si mund të shkonin punët. Përfundimi mund të ishte shumë i keq, çka e tregoi edhe koha me të gjithë ata që s’kishin hequr dorë nga gratë apo dashuritë e tyre të huaja, me pak përjashtime. Ajo në fakt u përpoq edhe në rrugë
zyrtare, sepse nuk e konceptonte dot atë marrëzi që po ndodhte. Gjithsesi, e përcolla në Rinas dhe
u ndamë”.

Neshat Odobashi (Hodobashi) * Në mes vitet 2000′ pranë Bashkisë Tiranë është rregjistruar kerkesa për ndryshim mbiemri nga Odobashi në Hodobashi.

Neshat Hodobashi, përfundoi fakultetin për Gjuhë – Letërsi të Tiranës në vitin 1962. Me përfundimin e Universitetit niset në punë në vendlindje, ku punoi në Backë-Staraveckë. Atje përndjekje dhe qënien nën
vëzhgim të Sigurimit do ta kishte gjatë gjithë kohës. Nën këtë atmosferë e kam përjetuar thuajse të gjithë atë kohë, deri sa ra regjimi. Në vitin 2009, botoi librin “Njeriu me dy hije”.

  • Share