Mua, më mungon babai… Qytetit, një qytetar nderi! – 80 vite nga data e lindjes së Iljaz Kapxhiut

  • Share

Shënimet e rralla të së papërsëritshmit, Iljaz Kapxhiu publikohen për herë të parë në blogun tonë. Silvana Dyrmishi, e bija e Iljaz Kapxhiut sjell rrugëtimin e vështirë mes peripecive të një kohe tjetër, trasferimet e herë pas hershme nga njëra shkollë në tjetrën në Skrapar, vlerësimet nga institucionet e larta nga njëra anë dhe nga ana tjetër “ndëshkimet” e drejtuesve vendore, për një arsye: Fjala, pushteti i tij më i fortë që e bëntë më të dashur prej njerëzve sesa prej drejtuesve.

Secili prej nesh, ruan kujtime të ëmbla e brenga, për prindërit tanë që n’a ikën, e n’a duken të shtrenjta si margaritarë. Kërkon ti mbash ato për vete, sepse duke i ndarë me të tjerë, nuk janë më të tuat dhe natyrshëm të thotë mendja të jetosh me to, me dhimbjen dhe krenarinë për ata që na dhanë jetë.

E distancuar në kohë nga ikja e tim ati, Iljaz Kapxhiu, ndiej dëshirën t’i ndaj disa copëza nga jeta e tij me të tjerë, me miq dhe shokë, që ndjejnë sinqerisht boshllëk nga mungesa, fizike dhe e humorit së penës së tij. Për vlerat e krijimtarisë së tij letrare, kanë shkruar e folur shumë miq e koleg të tij të penës, të cilët i falenderoj nga zemra (pa përmendur emra, për të mos harruar asnjë). Ndër të tjera, ata kanë përmendur edhe faktin e goditjes që i është bërë nga pushtetarët. Jo pak prej tyre, që e gjenin veten si personazhe të veshur nga veset më të zeza, viheshin në lëvizje hakmarrëse.

Pandi Raidhi dhe Iljaz Kapxhiu

Babai nuk kishte pushtet pushtetesh, por pushtet fjale, e që nuk rrëzoheshin aq lehtë. Ndaj unë dua të shkruaj për punën e tij, si mësues dhe ndikimin që pati krijimtaria e tij në fushën e satirës (bazuar edhe në shënimet e lëna prej tij) në profesion, para viteve 90-të si edhe pak vite më pas deri në 1998, vit kur u nda nga jeta fare papritur në një moshë relativisht të re, pa mbushur 56 vjeç.

Në takimin e mbajtur shumë kohë më parë nga Shoqata Tomorri në Tiranë “Iljazi mes miqsh” ndër të tjerë foli edhe fabulisti Ferit Lamaj: – “Për Iljazin ka shumë për të thënë. Është fat që Skrapari pati e nxori një humorist si Kapxhiu. Iljazin në prozën e shkurtër e krahasoj me shkrimtarin e madh turk Azis Nesim. Njeri i madh i humorit, luftëtar i fjalës së lirë me një jetë aq stoike, të thjeshtë e dinjitoze.”

Në të vërtetë, shkrimet e tij me “kripë e piper” nuk mund të kapërceheshin lehtë nga pushtetarët e kohës kur ai shkroi si në monizëm edhe deri në vitet ‘97-të. Pas vdekjes së babait, një mik i tij më jep dosjen personale të tim ati, marrë nga Zyrat e Seksionit të Arsimit të Rrethit Skrapar.

Dosja mban numrin 135. Kjo dosje kuadri në arsim, do të mbushej vit pas viti, sipas lëvizjeve që do të bënte në shkolla e fshatra të ndryshëm, nga sekretarët e partisë, të organizatave dhe shefat e arsimit. Dosja fillon me biografinë e tij në vitin 1958, bërë nga Gani Daiu, Drejtori i Shkollës Pedagogjike në Shkodër, ku im atë vazhdoi arsimimin pas 8-vjeçares të ndjekur në Çorovodë.

Gani Daiu, ndër të tjera shkruante: “…Iljaz Kapxhiu rrjedh nga një familje e varfër fshatare. Asht i shpejt, me inteligjenc të mirë, lexon shtypin dhe libra të kulturës së përgjithshme… Atëherë im atë, ishte vetëm 16-vjeçar. Më pas dhjetra faqe siç e thashë më lartë, me biografi e karakteristika të bëra nga sekretarë partie (gjysma e të cilëve nuk ishin as të arsimuar), të cilët do të vlersonin punën e tij me superlativa ose me cinizëm, duke shprehur karakterin e tyre ose duke ndjekur udhëzimet e shefave të tyre, për një mësues të vlerësuar me dhjetra çmime si krijues dhe tre medalje të Urdhërit “Naim Frashëri” të klasit të parë.

Kadri Roshi dhe Iljaz Kapxhiu

Udhëtimim e tij si mësues e nis në shkollën e Ujanikut në vitin 1957, një fshat në rrëzë të malit të Tomorrit në rrethin e Skraparit. Shefi i arsimit të asaj kohe do e vlerësonte punën e tij: “Si arsimtar i ri që ka qënë, ka punuar me inisiativë dhe ka organizuar punën jashtëshkollore në fshat.” Në vitin 1963, emërohet mësues në fshatin Vlushë, ku dhe atje vlerësohet për punën e mirë si mësues dhe për punët kulturore me të rinjtë e fshatit, vlerësohet për natyrën e tij dhe bashkëpunimin me pionerët. Por jo të njëjtin mendim, do të kishte për të një instruktor zone (P.S), i cili do të shkruante për të:“Nuk e ka kryer mirë detyrën si mësues i ri… Vjen shpesh në qytet dhe si i ri imiton zvingun…

Kështu, pasi kalon në disa shkolla të kooperativës së Radëshit, vlerësohet nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Qetësor Kaltanji duke e cilësuar si; “Mësues i mirë, punëtor i palodhur dhe aktivist i dalluar që gëzon respektin e nxënësve dhe të masës, gjithashtu edhe si lojtar në skuadrën e futbollit “5 Shtatori”.

Sejfulla Myftari (Cekja) dhe Iljaz Kapxhiu

Për këto cilësi, emërohet pranë Komitetit të Rinisë së Rrethit me detyrën e shefit të pionerëve. Aty do të spikaste në punën e tij me fëmijët, duke u gjendur afër dhe të hyjë në botën e brëndshme të tyre, por njëkohësisht punonte edhe me rininë. Në këtë detyrë, qëndron për një vit dhe më pas emërohet mësues në ciklin fillor në fshatin Çerenisht ku punon për një periudhë 3-vjeçare.

Përveç pasionit dhe përkushtimit në dhënien e mësimit, një pasion tjetër i tij ishte edhe përgatitja e mjeteve mësimore. Muret e shkollës së vogël do të mbusheshin me stenda të punuara nga dora e tij (me një shkrim të lakmueshëm edhe nga kaligrafistët), në shërbim të mësimdhënies, si dhe të binte në sy rregulli dhe pastërtia.

Duke vlerësuar ngritjen e tij profesionale e kulturore, Komiteti Ekzekutiv në 72shin e emëron kujdestar konvikti në Çorovodë. Në këtë detyrë, përveç lidhjes që pati me konviktorët një lidhje të veçant krijoi me prindërit e tyre, duke i ndihmuar ata dhe fëmijët e tyre për të gjitha problemet që hasnin. Ai krijoi një lidhje korrekte profesionale me kolegët e tij mësues pranë shkollës së mesme “Ramis Aranitasi” ku studionin këta konviktorë.

Por edhe pse u vlerësua puna e tij, nuk e patën të vështirë të hiqnin brenda vitit e të t’a rikthenin sërisht në shkollën e Çerenishtit, si mësues i ciklit të ulët. Edhe sot e kësaj dite nxënësit e tij konviktor ruajnë respektin dhe dashurinë më të madhe për të. Sjelljet e tij me nxënësit bën që Iljazi, tek ata të ngjallte dashurinë si mësues, por edhe si njeri. Në fillim të vitit 1974, në shënimet e tij, ai shkruan: “…Duke lexuar vazhdimisht, duke situr fjalën e popullit, e cila është një thesar i vërtet për cilindo që ka dëshirë të shkruajë, duke kalitur vullnetin filloj të merem me publicistikë…”

Babai im, Iljazi nis të shkruaj në disa organe të shtypit të asaj kohe duke u bërë edhe Anëtar i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë e më vonë dhe Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Me penën e tij u bë një publicist i talentuar në gjininë e shkurtër të humorit.

Iljaz Kapxhiu

Por pikërisht në këtë periudhë fillojnë dhe përplasjet me pushtetin për faktin se me shkrimet e tij do të godiste kuadro të pushtetit dhe të partisë, drejtues ndërmarrjesh e kryetarë kooperativash që abuzonin me postet e detyrën, por që gjenin mbështetje nga ata që i kishin emëruar në ato poste.

Bën disa lëvizje në shkollat e ciklit të ulët në rrethinat e Çorovodës në fshatrat Çerenisht dhe Kalanjas dhe për shkak të kushteve jo të mira, ecjes së përditëshme në këmbë (një orë për të shkuar e një orë për tu kthyer) i fillojnë probleme shëndetësore me stomakun. Pasi merr raportin shëndetësor, emërohet mësues në ciklin e ulët në Çorovodë. Punon disa vjet në këtë shkollë.

Drejtoria dhe kolektivi e propozojnë për dekorim me motivacionin “Për punë të mirë në krijimin e bazës materiale didaktike për konkretizimin e mësimit” dhe pikërisht, po e njëjta drejtori, disa muaj më vonë i sygjeron që në të ardhmen të punoj më mirë për cilësinë me klasën e vet! Një vlerësim ky që rrëzon vlerësimin e mëparshëm.

Aktivitet i mbajtur në Çorovodë për Iljaz Kapxhiu

Në vitin 1983, aparati propozon që Iljazi të emërohet mësues për kualifikimin pranë Kabinetit Pedagogjik Çorovodë. Edhe pse vlerësohet puna e tij si mësues në dispozicion, nuk mungojnë vërejtjet dhe aparat-istët e transferojnë në shkollën 8-vjeçare në Kakrukë për ciklin e ulët. Ka diçka kontradiktore në vlerësim të punës së tij.

Të njëjtët zyrtarë nga njëra anë e transferonin sa në një shkollë në tjetrën dhe nga ana tjetër e dekoronin në rreth dhe bënin propozime edhe në Ministri për dhënie titujsh e çertifikatash. Për shkak të shëndetit të tij jo të mirë, kërkon sërisht transferim por vendimi tashmë ishte marë për t’u çuar mësues në fshat.

Në këto kushte kërkon takim me Sekretarin e Parë duke ju drejtuar me një letër ku ndër të tjera i shkruan: -“Vendimi i marë për të më çuar mësues në fshat, mund të jetë edhe frut i takimit tim me ju në 04.04.1986, që më pritët me fjalën shqip “provokator”. Në bisedë doli edhe problemi i femrës. Unë kam sakrifikuar për dy femra të cilave u bëra stazhin e partisë, për të tretën nuk sakrifikoj dot. Unë bëj stazhin, zonjat marin teserën. Ju lutem tregohuni pak human për mua edhe si krijues. Jam lodhur duke bërë vajtje-ardhje në fshat dhe duke qëndruar për orë të tëra në këmbë”.

Për këto atakime, ndaj tij mbahet qëndrim partiak dhe i tërhiqet vëmëndje për këto probleme: Iljazi i ka drejtuar një letër Sekretarit te Parë në të cilën ngre probleme që nuk qëndrojnë dhe toni i letrës është i rëndë dhe fyes duke thënë. Në je komunist, me prit, keni hapur fushatë fyese e hakmarrëse kundër meje. Etj. Kështu i quan ai kritikat që i janë bërë për shfaqet e psikologjisë mikroborgjeze e konceptet jo të drejta të tij, duke vënë veten në raport jo të drejtë me kuadrot ekzekutiv, madje edhe me organet shtetërore. Ai i atakon kuadrot duke bërë shkrime e kritika denigruese për kuadrot e partisë e të pushtetit… Edhe si këshilltar i është tërhequr vëmëndje… Hiqet si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve por në fakt janë pikpamje të një anarshisti që kërkon të acarojë qytetarët me udhëheqjen e rrethit. I tillë është rasti kur ai shkon me një qytetar në Komitetin Ekzekutiv dhe i thotë këtij të fundit në prezencë të Kryetarit: – Po lozin kungulleshka me ty, këtu në Skrapar ndërmarrjet janë kthyer në private. Këto raste tregojnë se Iljazi është kritizer. Ai u paralajmërua se në rast përsëritjeje të këtyre shfaqjeve do i hiqej e drejta për të shkruar në shtyp…

(Këto shënime janë vendosur në dosjen e tij në dekumentat e kuadrit më 18.04.1986 me urdhër të Kryetarit të Komitet Ekzekutiv K.P. të rrethit E.N).

Iljaz Kapxhiu ©Corovodaonline

Të gjitha këto sulme ndaj babait tim, Iljaz Kapxhiu, bëheshin për shkak të botimeve të disa shkrimeve në atë periudhë në gazetën “Bashkimi”, si “Ndërmarrja e ish kryetarëve”, “Fejtoni”, “Asqeriu për Asqerinë” etj.

Në 22 shtator 1986 në një nga sallat e pallatit të kulturës në Tiranë përkujtohej përvjetori i gazetës “Mësuesi”. Për kontributin e dhënë në faqet e kësaj gazete Iljaz Kapxhiu, vlerësohet me distiktivin “Mësues i dalluar”. Ai doli në podium dhe bashkë me përshëndetjen dhe falenderimin përcolli dhe humorin: “Sapo të kthehem në Çorovodë me këtë (dhe ngriti lart distiktivin), do ta vë me shpatulla përtokë atë shefin tim, i cili më thotë vazhdimisht; More Iljaz a do bëhesh ndonjëherë mësues i mirë ti?!. Të gjithë në sallë shpërthyen në të qeshura. Qeshte dhe podiumi me Ministren në krye…

Gjat vitit shkollor 1988-1989, punoi sërisht në shkollën 8-vjeçare “Kahreman Ylli”. Nga drejtoresha e shkollës Natasha Metani vlerësohet për një punë cilësore, për përgatitje të mirë shkencore dhe metodike, si dhe për frymë të thellë kritike e autokritike.

Por siç duket, kjo fryma e thellë e kritikës nuk u pëlqente atyre që ishin më lartë dhe sërisht hiqet e lihet në dispozicion të Këshillit Popullor të N.B-së për t’a sistemuar në punë sërisht mësues në shkollën Çerenisht, cikli i ulët. Kërkon transferim në shkollat e qytetetit duke ju drejtuar kompetentëve: -“Jam në prag pensioni dhe nuk duhet të internohem në fshat. I kam dhënë arsimit 31 vjet dhe nuk jam në gjëndje fizike e morale të jap mësim në klasa kolektive. Nuk më vjen mirë që një krijues, me lejë krijuese, të bredh zyrave, në vend që të meret me krijimtari të mirëfilltë dhe jo me letra“.

Paraqitet në Komitet në datën 9 janar 1990 dhe përgjigja e kryetarit ishte; -“Nuk më duhet gjë në në krijon apo jo ti dhe kjo përgjigje e lëndoi dhe nuk ja fali vetes, duke nxjerr konkluzionin; “Humbje korrektese e personaliteti. Të gjithë krijuesit e degës së Lidhjes në Skrapar u indinjuan dhe u prekën nga keqtrajtimi që iu bë (dëshmojnë proçesverbalet e mbledhjes).

Për ironi të veprimeve ndëshkuese të organeve drejtuese të rrethit ndaj tij, në datë 7 shtator 1989 Presidiumi i Kuvendit Popullor, i jep medaljen e dytë “Naim Frashëri” pas asaj të dhënë në 20 tetor 1981, Medalja “Naim Frashëri” i jepet me motivacionin: Është dalluar për punë të palodhur dhe për krijime letrare me vlerë ideoartistike në fushën e humorit”.

Iljaz Kapxhiu ©Corovodaonline

Në shënimet e tij në këtë periudhë do të shkruante: -“Ata që i krijojnë vetes priviligje e rehati, duke shkelur rregullat e shoqërisë, ata që ia kanë me hile vëndit dhe popullit, ata që shkelin ligjet cilido qofshin, duhet t’ia kenë frikën ligjeve të shtetit, kontrollit të masës. Prandaj kam shkruar me mendje të kthjellët e dorë të pastër dhjetra fejtone. Për shumë shkrime ka pasur qëndrime jo të drejta nga autoritetet në rreth. Në vënd  që të mbahej qëndrim ndaj fenomenit, më janë vërsulur mua duke më quajtur kritizer!! … Unë krijoj, mbjell fjalë. Të flasësh për memecët është gjë e bukur, por të flasësh për shurdhët qënka gjë e hidhur. Unë e di që kam sinorin tim ku “leh”. Të tërë kemi ndonjë sinor e “lehim”. Ne u përkasim zagarëve që e zbulojnë lepurin, e pastaj “lehin”. Kur “lehim” ne, ata qëntë kuisin sikur ndjellin vdekjen e dikujt e ne s’na dëgjon askush. Qëntë dalin para dhe… Të krijosh, të bësh art nuk është e njëjta gjë me lehjen e qënve…

Përmbysja e sistemit solli ndryshime në jetën politike, sociale dhe kulturore edhe në rrethin tonë. Shumë kush mendoi se edhe im atë do gjente vendin e merituar në shoqërinë post-komuniste si opozitari i vetëm i kohës së diktaturës. Shumë propozime iu bënë për të qënë në krye të partive opozitare që po krijoheshin edhe në rrethin tonë, por ai preferoi të ishte larg politikës. Edhe krijimtaria letrare e tij ishte e pakët.

Një seri faktorësh kanë ndikuar që të hesht” do të shkruante në dhjetorin e ’94. “Kam bërë vetëm një shkrim në R.D, më tepër i imponuar sesa për nevoja të brendëshme dhe kam kaluar në remont. Kam dëgjuar koburet e disa shokëve e miqve që i mbanin të fshehura dhe me të ardhur momenti i mbushën e i zbrazën. “Luanit të lidhur ia shkulin të gjithë qimet” thot sovrani popull, “I zoti është ai që ia shkul kur ai është i zgjidhur”. Preferenca ime ka qënë pak i harruar, larg vëmëndjes publike, jashtë kronikës zyrtare, jashtë dekorit larush, jashtë…”

Por një nga shkaqet e heshtjes së tij, ishte dhe indiferenca që patën drejtuesit e rinj të rrethit ndaj figurës së babait. Iljaz Kapxhiu shprehej se: “Qeresteja”, që po përdorej për të ndërtuar administratën e re në periudhën e tranzicionit ishte e kalbur. Ish-partiakë të bindur, servilë, njerëz me vese nga më të ndryshmet, hileqarë, dallkaukë, batakçinj, po mbushnin zyrat e mernin poste“. Dhe këta drejtues do e trajtonin më keq se në kohën e shtetit totalitar. Duke qënë produkt i atij sistemi vështirë të tjetërsoheshin. Që prej muajit dhjetor të vitit 1992, babai im Iljazi, u la gjashtë muaj në asistencë. Më pas punon për një periudhe të shkurtër në fshatin Zogas në vatrën e kulturës.

Karrierën e tij profesionale mes shumë vështirësive e sakrificave, jo për faj të tij, por për penën e hollë e të mënçur dhe goditëse, e mbylli në qytetin e Çorovodës si drejtor konvikti, duke dhënë edhe njëherë kontributin e tij, duke shprehur bagazhin e tij intelektual e kulturor të grumbulluar në vite, duke i kthyer ato në vlera për brezin e ri që po kultivonte demokracia pas viteve 90-të. Edhe gjatë kohës që punoi aty si drejtues pati vështirësi në krijimin e kushteve të duhura për konviktorët. Ishte një konvikt që po shkonte drejt shkatërrimit dhe numri i nxënësve po reduktohej për shkak të frikës së prindërve për të sjellë fëmijët në ato vite të vështira për të gjithë.

Iljaz Kapxhiu ©Corovodaonline

Këmbëngulja e tij për të mirën e punës mbase bezdiste drejtuesit, që mëse njëherë i përsëritën shprehjen: “Po deshët të rrini, po s’deshët, ne kemi të tjerë”. Babai, në një përballje me shefin i drejtohet këtij të fundit: “Gëzohem që ke “lëndë” tjetër. Ju jeni shefi im i trembëdhjetë dhe stili i punës tuaj s’ka asnjë grim ndryshim nga ish-paraardhësit tuaj monist, prandaj merrni vendim e largomëni nga puna. Mbase atë vend ia ke premtuar dikujt tjetër, që është më pranë teje“.

Ishte i detyruar të punonte me njerëz të tillë dhe me vështirësitë, sidomos në vitin 1997, që ishte një vit i mbrapshtë për të gjithë shqiptarët. E megjithatë, do të dekorohej edhe nga sistemi i ri demokratik. Në datën 6 maj 1995, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Sali Berisha i jep Iljaz Kapxhiut urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë me motivacionin Dallohet për punë dhe arritje shumë të mira në fushën e arsimit në përpunimin dhe zhvillimin e metodave pedagogjike”.

Punoi dhe kontribuoi për gati 40 vite në sektorin e arsimit duke kaluar sa në një fshat në tjetrin nëpër Skrapar, gati në 20 shkolla dhe kudo tregoi përkushtim, përgjegjësi, profesionalizëm dhe ndershmëri për ushtrimin e profesionit të mësuesit të cilin ai e adhuronte dhe e vletësonte shumë.
Gati çdo shkollë e fshatrave të Skraparit, ruante vlerat dhe gjurmët e pashlyeshme të një mësuesi të palodhur siç ishte im atë. Dhe pavarësisht goditjeve e vuajtjeve ndaj tij, babai asnjëherë nuk tentoi t’i binte gjoksit për çfarë bëri e të hynte në listat e të persekutuarve nga regjimi.
Dashurinë e tij për arsimin e tregoi edhe në çastet e fundit të jetës së tij. Në tavolinën e punës ku shkruante la përgjysëm një dorëshkrim për  mësuesit që  punuan me mish e me shpirt në vitet e vështira  të monizmit si të persekutuar në Skrapar.

Iljaz Kapxhiu ©Corovodaonline

Kishte kohë që “Lace Nardeni” nuk derdhte “miza” mbi kryetarët e pushtetarët e rinj (që ishin më të babëzitur se të parët) në shtypin e kohës. Ndoshta donte të derdhte një shkrim të paqtë në atë kohë të turbullt, në vlerësim të njerëzve të mirë e punëtorë, që mbollën farën e dijes dhe nxorën qindra bijë të denjë skraparas, që u bënë mjekë, mësues, inxhinierë, agronom, specialistë shumë të mirë që sot fatkeqësisht po i mungojnë Skraparit tonë.

La përgjysëm shkrimin për mësuesit:

  • Sherif Merdani – mësues në Backë,
  • Antonin Topallaj, Çorovodë – shkencëtar,
  • Leonidha Beta, Staraveckë – mbledhës folklori,
  • Astrit Proko – historian,
  • Urim Bujari – matematikan,
  • Zija Zajmi,
  • Emir Qafa,
  • Ksenofon Dilo – matematikan.
    Këta mësues dhanë rininë e tyre, dijet e tyre në shkollat e Skraparit, duke u përballur përditë me pengesa e prapaskena nga ata skrapalinj që qenë shërbëtorë e servilë të aparatit shtetëror, ndryshe nga populli mikpritës dhe i dashur që i vlerësonte njerëzit e arsimuar e me kulturë dhe u ishte mirënjohës për punën e tyre e i mbajti ata si bijtë e vetë.

Por nuk mundi ta mbaronte këtë shkrim. Llogaritë për të, i bëri koha që i la përgjysëm jetën dhe krijimtarinë. Mbas disa viteve të ikjes së tij, Drejtoria Arsimore Skrapar më datën 7 mars 2003 me rastin e Ditës së Mësuesit, 7 Marsit i jep Fletë Nderi “Nderim e kujtim në vite për punën e bërë në edukimin e brezit të ri”. Ndoshta nuk do të jetë e fundit në fushën e arsimit. Por vlerësimin më të madh i’a dhanë bashkëqytetarët e tij. Këshilli bashkiak dhe Kryetari i Bashkisë, z.Lefter Lame në vitin 2009, ku këshilli njëzëri mori vendim për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”.

Me ikjen e tij, mua më mungon babai…, qytetit… një qytetar nderi që dha më të mirën nga vetja për të. Ai nuk do të nguronte të shkruante dhe të vinte gishtin mbi plagët e majisura të shoqërisë tonë, mbi pushtetarët e korruptuar, karrieristë të pashkolluar, të sistemit demokratik që mbajnë poste të pamerituara, ashtu siç nuk pati frikë në kohën e diktaturës që me shkrimet e tij, të ishte zëdhënës i njerëzve të thjeshtë që i deshi dhe e deshën për atë çfarë ai përfaqësoi…

Të fundit shënim

Një laps e një letër s’do vësh më përpara
Makina e shkrimit e heshtur po rri
Nga buzët e tua s’do dalin të shara
Për “qentë” që te ura të zinin pusinë.

Mbi tavolinën e punës letra e bardhë
Të fundit shënim mbi bllok e le
Epitafin për nënën që po shuhej ngadalë
-“Këtu mbuluar tek ky dhe
E mira nëna ime fle”. /Laze.

U nise ngadalë në udhën e fundit
Nënës qetësinë nuk doje t’i prishje
Dita e re që po lindëte
Pragmort, për ty do ishte.

Firmën hodhe poshtë shënimit tënd
Tej në një skaj të largët
Dikush për ty po shkruante një tjetër epitaf
Epitafi yt, skalitur në gurë të bardhë :

” Këtu prehet Iljaz beu
Bej ishte, e bej s’u bë
Ti që lexon këto vargje
Nuk je bej përmbi të.”

Një poezi nga Silvana Dyrmishi kushtuar të atit, Iljaz Kapxhiu – 25.03.2020

  • Share