Jona Memollari Çollaku: Nga një nxënëse e ekselencës së gjimnazit “Ramiz Aranitasi”, sot drejtuese e një prej institucioneve të rëndësishme në Tiranë.

  • Share

Gjimnazi “Ramiz Aranitasi” në Çorovodë, ndër vite ka nxjerrë nxënës të suksesshëm. Pjesë e padiskutuar e këtij suksesi, janë mësuesit e devotshëm që kanë dhënë e japin një kontribut të pashlyeshëm. Por arritjet, nuk mund të kuptohen pa këmbënguljen dhe vullnetin e nxënësve që etjen për dije e vijojnë më tej.

Jona Memollari Çollaku, është një prej shembujve së një historie suksesi, që nis e merr udhë nga Skrapari i vendlindjes.
Ka lindur në Çorovodë në vitin 1989. Një ndër nxënëset e dalluara të gjimnazit “Ramiz Aranitasi” në Çorovodë, ku zgjidhet edhe senatore e këtij gjimnazi.

Me dëshirën e madhe për dijen, ajo nisi studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë, (Juridik) në Universitetin e Tiranës, të cilin e përfundoi me rezultate të larta duke u klasifikuar si një ndër studentët e ekselencës të këtij fakulteti. Studimet master i kreu në Universitetin Bujqësor të Tiranës për AgroBiznes.

Karriera profesionale, pas marrjes së certifikimit të avokatisë, e nisi si juriste në Qëndrën e Studimeve Universitare të Tiranës. Më pas në 2015 do të punonte pranë Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në 2017 do të punonte si juriste pranë Ministrisë së Drejtësisë. Profesionalizmi i lartë i treguar gjatë viteve, eci paralelisht me dëshirën për të kontribuar edhe në institucione të tjera. Kështu më pas, në vitin 2019, do të punonte pranë Agjencisë Shtetërore e Kadastrës në Tiranë si juriste pranë këtij institucioni.

Sot, Jona Memollari Çollaku, drejton Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor së gjithë kryeqytetit të Shqipërisë, një detyrë të cilën e kryen me sukses që nga viti 2021.

Përtej impenjimeve profesionale, rikthimet në Çorovodë, në qytetin e vogël e të bukur nuk mungojnë. Së bashku me bashkëshortin, Edisonin dhe 2 fëmijët gjejnë gjithnjë kohë për të takuar të afërmit, miqtë dhe rifreskuar kujtimet e shtrenjta së vendlindjes.

©Corovodaonline #historisuksesi #skrapar #2022

  • Share