10 vite më parë. 47 vjeçari nga Skrapari Lirak Bejko vetëdigjet në mes të grevës së urisë së ish-të burgosurve politikë.

  • Share

Ish-të burgosurit politikë kishin 18 ditë që kishin ndërmarrë një grevë urie. Në çadrat e vendosura në Komunën e Parisit, Tiranë, protesta e tyre vijonte por pa asnjë reagim nga kryeministri dhe presidenti i kohës. Ishte 10 tetor 2012. 2 ditë më parë, grevës i’u bashkua edhe Lirak Bejko. Pamjet tragjike, foto dhe video, që tregonin vetëflijim u shpërndanë në shumë media botërore.

Lirak Petrit Bejko, lindi në Skrapar 13 tetor 1965. Ai ishte një nga grevistët që iu bashkua grevës në 8 tetor 2012. Gjatë regjimit komunist, ishte dënuar nga sistemi, me 20 vite burg për akuzën “Agjitacion dhe Propagandë”. Sigurimi i kohës së atëhershme e arrestoi, pasi sipas tyre do ndërmerrte një tentativë për arratisje. Bejko i’u nënshtrua seancave të gjata të hetuesisë, ku përjetoi një dhunë ekstreme madje edhe goditje me elektroshok.

Lirak Bejko

Dënimin do t’a kryente në Sarandë. Me rrëzimin e regjimit komunist, Lirak Bejko pas 7 vitesh që kishte vuajtur dënimin, lirohet. Gjatë viteve të demokracisë, Bejko kishte emigruar në Greqi e Gjermani dhe njëherësh edhe kurohej për për shëndetin i tij pasi vuante nga tuberkulozi. Ndërsa shteti njohu dëmshpërblimin financiar për ish-të burgosurit politikë, ai ishte një nga ata që morën një pjesë së këstit të parë. Mos dhënia e pagesave të tjera prej vitesh, ishte shkaku i protestës së tij. Ai ishte një nga zërat më të fortë mes së persekutuarëve që kërkonte të drejtën e zbatimit të ligjit për kompensimin financiar.

Më herët, shkurt 2012, Lirak Bejko, qëlloi me grushta në fytyrë deputetin e Partisë Demokratike, Ilir Rusmali, teksa ky i fundit po dilte nga parlamenti. Indiferentizmi i Rusmali, kur kaloi përpara arkivolit të një ish të burgosuri politik, që familjarët nuk kishin lekë ta varrosnin ishte arsyeja se përse Lirak Bejko e qëlloi me grusht deputetin. Bejko, u arrestua nga forcat e komisariatit nr.1. Pas marrjes së deklarimeve me shkrim ai, u lirua së bashku me Gjergj Ndrecën që kundërshtoi arrestimin e Lirakut. Një muaj përpara se të futej në grevë, në shtator 2012, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 1 milion lekë të vjetra gjobë si dhe me shërbim komunitar.

Lirak Bejko

10 tetor 2012. Lutfi Kelmendi, ish i burgosur politik, i cili ndodhej në atë moment në çadrën ku po zhvillohej greva e urisë, foli në media edhe për dialogun e fundit që patën me Lirakun si dhe momentin e tmerrit kur ai është përfshirë nga flakë të llahtarshme. “Nuk e prisnim një gjë të tillë. Ai u çua, na dha
dorën të gjithëve një nga një.
-“Luti unë po iki më thotë, po e lë grevën, se me këta nuk fitohet!.”
Dhe ne menduam se po largohej. Askërkujt nuk i shkoi ndërmend se do të bënte një gjë të tillë, pasi u’a dha dorën të gjithëve, jo vetëm mua. Askërkujt nuk i shkoi ndërmend se do ta bënte atë veprim, pasi
unë s’do ta lejoja. Në momentin që ai u spërkat me benzinë, ne vrapuam, por ai kishte hedhur benzinë aq të fortë, ndoshta ishte benzol, sa u përpi menjëherë nga flakët dhe ne nuk mundëm të bënim dot gjë.

“Ne të gjithë po shikonim TV, pasi donim të shikonim gruan e Gjergj Ndrecës që ishte e ftuar në një emision dhe nuk e kuptuam fare që një gjë e tillë do të ndodhte. Liraku, shkon dhe qëndron pas televizorit, merr një shishe me benzinë, ia hedh vetes që nga koka dhe në moment i vë flakën. Pastaj u rrëzua brenda në çadër i mbuluar nga flakët”– u shpreh Lutfi Kelmendi, ish i burgosur politik. “… iku duke thënë “mos u dorëzoni”.

Lirak Bejko

Pas aktit sublim të ndërmarrë me vetë diegie, Lirak Bejko u trasportua menjëherë në spital. Mjeku Ilir Nezha tha për mediat se gjendja e tij ishte e rëndë. Dy ditë më vonë, do të trasportohej për mjekim më të specializuar në një klinikë në Bari, Itali. 23 ditë më vonë, në 2 nëntor 2012 nuk mundi të mposhte vdekjen ndërsa thuajse gjithë jeta për të, kishte qënë vetëm dhimbje.

  • Share