Këtë vit mbush 222 vite. Teqeja e Backës, vepra e veçantë arkitekturore është Monument Kulture.

  • Share

Është një ndër objektet më të bukura të besimit bektashi në Skrapar. Teqeja përbëhet nga tre grupime ndërtesash të cilat lidhen mes tyre nga një oborr i brendshëm. Tyrbja, ka përreth nekropolin e fshatit Backë.

Çdo qershor, qindra besimtarë bektashi mblidhen në Teqenë e Backës, në Skrapar. Me një arkitekturë shumë të veçantë për objektet e ndërtuara hershëm të besimit bektashi, Teqeja e Backës ka pamjen e një kompleksi, ku në të gjenden dhjetëra kombinime që nga kupolat, relievet e gdhendura, kolonat, kompozicione figurash zoomorfe dhe floreale, arkadat etj.

Në vitet 1800 në të njëjtin vend ka ekzistuar teqeja e vjetër. Thuhet se kjo Teqe u ndërtua nga mjeshtrat që kishin ardhur nga Opari dhe Panariti i Korçës. Në vitin 1869-1870 teqeja do të ndërtohej me pamjen e ngjashme që ka sot, nga Baba Fetahu dhe shpesh besimtarët e quajnë si Teqeja e Baba Fetahut. Ndonse nuk ka një datim të saktë të ndërtimit të Teqesë së Vjetër, studiues bektashi mendojnë se datimi i saj lidhet me vitin 1800 kohë kur në Teqenë e Vjetër shërbente dervish Brahim Koromani. Ndërsa pamja që ka sot objekti, që u rindërtua nga Baba Fetahu në 1869-1970 vjen si fakt e një mbishkrimi osman në Teqe.

Porta Hyrëse e Teqesë së Backës

Në vitin 1914 Teqeja e Backës u dogj. Ajo u riparua 4 vite më vonë në 1918. Strehë e besimit, dijes dhe atdhedashurisë, Teqeja e Backës, në 1967 u mbyll nga shteti. Të njëjtin fat patën të gjitha institucionet fetare në Shqipërinë e një kohe tjetër që u ndali shqiptarëve besimin. Teqeja do të rihapej në vitin 1998. Një numër i madh klerikësh bektashi kanë shërbyer ndër vite në këtë teqe. Në vitin 2019 Teqeja e Backës u rikonstruktua. Në qershor 2020, vendoset busti i Baba Fetahut. Teqeja është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Çdo vit në datën 20 qershor, besimtarë të shumtë bektashi jo vetëm nga Skrapari por nga gjithë Shqipëria e më tej, mblidhen në Teqenë e Backës.

Pamje nga Teqeja e Backës

  • Share