Zhepë, Skrapar 2001. Zhduket në mënyrë misterioze mjeku Neim Braho.

  • Share

Mbrëmjen e 15 marsit 2001, “doktori” u nis drejt godinës së komunës Zhepë në Skrapar… Zhepa, sot është një njësi administrative e Skraparit por dikur përmendej edhe me emrin Konak. Zhepa, pozicionohet në skaj të Skraparit, mes një terreni malor që përfshin fshatrat Burranj, Cerricë, Çorrotat, Dobrenji, Dunckë, Grevë, Gurazez, Kovaçanj, Leskovë, Luadh, Posten, Rromas, Shpatanj, Tërrovë, Trebël dhe Zhepë.

Arsyeja se përse doktor Neim Braho, do të shkonte mbrëmjen e 15 marsit në godinën e komunës ishte se do të merrte një sasi ilaçesh për 5 fshatra të kësaj zone. Në komunë, ai do të qëndronte disa orë së bashku me ish-shefin e financës së Komunës, Shpëtim Seferaj dhe rojen e godinës së Komunës Çelnik Dervishi. Pas një qëndrimi të gjatë në mjediset e komunës, pasi kishin darkuar së bashku dhe kishin konsumuar alkool, u nis drejt Zhepës por jo i vetëm…

Ditë më vonë… Skrapari do të zhytej mes qindra pikëpyetjeve të asaj që po qarkullonte prej ditësh. Doktori, ishte zhdukur në mënyrë të pashpjegueshme. Askush nuk po e kuptonte sesi Neimi, askohe 29 vjeç, babai i një vajze 4-vjeçare dhe që ishte në pritje të një fëmije të dytë, të mos kishte as edhe një gjurmë se ku mund të ndodhej. Përpos çdo kërkimi të familjarëve, skuadra të tëra policore, ekipe kërkim-shpëtimi, alpinistë, helikopterë, u përfshinë në një operacion të gjatë kërkimi të ndonjë shenje apo gjurme të tij. Operacionet u fokusuan pranë vendit të quajtur pylli i Cerricës, por pa rezultate.

Hetimi paraprak por edhe hetimet e mëpastajshme në vitet që pasuan binin mbi personat që kishin kontaktin më të fundit me viktimën, mbrëmjen e 15 marsit 2001. Mosgjetja e trupit të tij, po kthehej në një legjendë mes aludimesh, hamëndësimesh dhe jo në pak raste interpretimeve paranormale që banorët nisin t’i bënin duke mos patur asnjë përgjigje se ku mund të gjendej doktori.

Ndonse dyshimet ranë mbi dy personat e fundit që patën kontakt me të atë mbrëmje, provat nuk ishin të mjaftueshme për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore askënd. Në një format televiziv të viteve që flasim, i quajtur “Njerëz të humbur”, filloi të shfaqej edhe skeda e kërkimit të Neim Braho i zhdukur që nga 2001.

Tetë vite më vonë, në gazetën “Panorama”, botohet një artikull me autor Dilaver Xhelili. Në brendësi të materialit të asaj kohe gjendet e shkruar edhe shprehje: “Burime nga grupi i hetimit në Departamentin e Krimeve të Rënda në Berat, të cilët po merren paralelisht me hetimin e kësaj dosjeje, bënë të ditur se ka dyshime të forta se Neim Braho është vrarë. Ata po mbledhin prova për të dokumentuar autorësinë e të dyshuarve.” – shkruhej në artikullin që mbante titullin: “Zhdukja e doktorit, rihapet dosja“.

Sot, 21 vite më pas, kur jemi në maj 2022 askush nuk e di fatin e mjekut Neim Braho i humbur mes misterit.

  • Share