Vrasja që tronditi Skraparin e 31 Dhjetorit 1973. Enigma e vrasjes së Eqerem Sallaku, Drejtorit të Pyjores së Skraparit

  • Share

Vrasja e tij, ende sot mbetet e mbushur me misterin e një enigme. Për bashkëkohësit ai, njihej si një nga intelektualët e Skraparit e njëherësh një prej njerëzve që gëzonte respektin e të gjithëve. Por mbrëmjen e fundit të vitit 1973, Çorovoda e vogël mësoi e tronditur se kishte vdekur 34 vjeçari, Eqerem Sallaku.

Më herët. Ishte nata e ndërrimit të viteve. Në 31 dhjetor 1973, Eqerem Sallaku me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes Pyjore në Skrapar mori një telefonatë. Sekretari i Parë i Partisë dhe Shefi i Policisë së Skraparit i thanë se do të shkonin për gjah, një ndër veprimtaritë që Eqeremi e kishte edhe pasion, kjo edhe për shkak të shumë viteve punë fillimisht si specialist i pyjores e dy vite më pas edhe si drejtues i saj çka e bënin një njohës të mirë së pyjeve të Skraparit.

Si në një natë të ftohtë dimri që ishte, të tre shokët të veshur me xhupa të rëndë e të mëdhenj nga ata ushtarakët, shkuan për gjueti në Bogovë. Ndërkohë, në shtëpi Eqeremin po e priste bashkëshortja Shqipja dhe tre fëmijët Besi (8 vjeç), Luli (6 vjeç) dhe Blerta (4 vjeç). Ishte mbrëmja e vitit të ri dhe festa duhet të niste. Por rreth orës 12:00 të natës në derën e shtëpisë dëgjohet një trokitje…

Shqipe Sallaku, bashkëshortja e Eqeremit, në një interviste së dhënë në 2014, thotë: E prisja si për Vit të Ri, kisha bërë të gjitha gati dhe çuditërisht pasi hapa derën, u fikën dritat menjëherë. E hapa derën dhe thashë: Eqerem ti je?por dëgjova zërin e babit. “Çfarë ka ndodhur?! i thashë.
“Dasma tënde çupa ime”. Pastaj ai, më mori në një dhomë dhe më tregoi për fatkeqësinë. Mbaj mend babanë të më thoshte se: …nëse e ka vrarë veten nuk e qajmë, pasi ishte një turp i madh asokohe, por të presim çdo thonë hetimet…”

Më tej, Shqipja në intervistë thotë: ...shokët e tij në gjueti nuk treguan që e vranë pa dashje, por e kamufluan ngjarjen, e fshehën duke e tërhequr nga vendi dhe bashkë me shoferin e sekretarit të parë e hodhën në pyll që të fshinin gjurmët. Menjëherë, u njoftuan prindërit e mi në Berat, që është plagosur dhëndri e duhet të vini në Skrapar. Babai u nis, mori dhe një mik nga familja, por kur arriti i thanë që ka kryer vetëvrasje.

Babai nuk ra dakord për ceremoninë funerale, dhe kërkoi relacionin që ka vrarë veten. Së bashku me vëllanë tim mjek në profesion, dhe një mjekoligjor nga Berati, shkuan në morgun e Spitalin të Skraparit. Mjeku ligjor, Andon Koka konstatoi që ishte vrarë. Ai e pa plumbin nga mbrapa, që kishte dalë përpara në aortë. Babai menjëherë kthehu njerëzit dhe kërkoi që shokët që kishin kryer vrasjen të mbanin përgjegjësi, sepse shkatërruan një familje

Hetimi i prokurorisë (në atë kohë dega e brendshme) në vendngjarje nxori të vërtetën e asaj dite. Sami Dulla nga Kukësi, me detyrë shefi i Policisë në Skrapar e pranoi që e vrau pa dashje të ndjerin Eqerem Sallaku.

Pas 40 ditëve, dëshmitarët okularë dëshmuan në gjyq dhe autorin e vrasjes e dënuan me 2 vjet heqje lirie. Shqipe Sallaku hotë: – “Atë ditë isha e pranishme në gjyq me babain dhe njerëzit e mi. Fëmijët i kisha 8 vjeç, 6 vjeç dhe 4 vjeç. Autori i vrasjes mbajti një qëndrim shumë të ftohtë dhe nuk kërkoi falje për këtë ngjarje. Dhe kështu u dënua, as dy vjet, sepse ishte krah me Mehmet Shehun dhe thuhej se kishte kryer edhe më parë një vrasje të tillë identike dhe e kishin dënuar po njësoj. Erdhi në Tiranë bëri vetëm tre muaj burg dhe e nxorën

Mes habive të një dënimi dhe enigmave të tjera rreth kësaj ngjarje, në Çorovodë ende sot kujtohet kjo ngjarje e pazakontë. Vite më pas në 1987, Kinostudio “Shqipëria e Re” prodhon filmin “Vrasje në Gjueti”. Filmi i njohur shqiptar, ka si subjekt historinë e tre shokëve Aleko, Pertef dhe Fredi që shkojnë për gjueti. Dikush qëllon gabimisht Pertefin dhe e vret… Vite më vonë u tha se filmi bazohej në një histori të vërtetë.

  • Share