Historia e një shkolle në “moshë” sa vetë qytetit! Nga Hysen Binjaku

  • Share

Dikush, që lexon titullin e këtij shkrimi, mund të mendoj: “Eh… çfarë të veçantë, përveç se kujtimeve të protagonistëve, mund të ketë 50-vjetori i një shkolle si ajo e Poliçanit, kur në Shqipëri ka shkolla të mesme me histori të lavdishme dhe shumë më të suksesshme, të cilat këtë vit mund të kenë 110 (njëqind e dhjetë) vjetorin e krijimit të tyre“.

E vërtetë! Nuk do të kishte asgjë të veçantë nëse nuk do të ishte fakti që Shkolla e Mesme Poliçan ka pothuajse moshën e vetë qytetit. Poliçani, sot qëndra e bashkisë me të njëjtin emër në Qarkun e Beratit, ka qenë dikur një fshat fare i vogël, për t’u transformuar më vonë në një qytet industrial. Në vitin 1961-1966 Poliçani u kthye në një kantier ndërtimi, me objektiv ngritjen e Uzinës Mekanike për prodhime luftarake ushtarake, që më vonë do të shndërrohej në Kombinatin Mekanik Ushtarak. Për të plotësuar nevojat gjithnjë në rritje për fuqi punëtore të kualifikuar, qeveria e kohës ndoqi dy rrugë.
Së pari, afroi specialistë dhe punëtorë të kualifikuar nga qytete (kryesisht Berat, Kuçovë, Çorovodë), për të përballuar vënien në punë të Uzinës. Këta specialistë të kualifikuar, u vendosën në Poliçan me gjithë familje. Për akomodimin e tyre, u ndërtuan godina banimi 2-3 katëshe, të famshmet pallate tek Bregu i Caushit apo ndërtesa si e ashtuquajtura tek “Mapo e Qytetit” apo edhe pas saj.

Së dyti, për të siguruar vijimësinë dhe zgjerimin e Uzinës, u pa e nevojshme që pothuajse në çdo fshat të Skraparit të merreshin, ku dy… e ku tre… djem dhe vajza 15-16 vjeçar që sapo kishin mbaruar arsimin 7-vjeçar (kaq vite ishte në atë kohë arsimi i detyrueshëm), dhe u sollën në Poliçan.

Për strehimin e tyre u ndërtuan dy godina tre katëshe, të njohura si “Konviktet e Punëtorëve”, më të bukurat ndërtesa të qytetit për kohën, si dhe një mensë e madhe, e ashtuquajtura “Mensa e Punëtorëve”. Këta djem dhe vajza u bënë shumë shpejt baza për zgjerimin e uzinës duke sjellë lindjen e rritjen e vetë qytetit. Të rinjt dhe të rejat që u sollën nga fshati duheshin kualifikuar, duheshin arsimuar. Për këtë qëllim u ngrit në qytet shkolla 2-vjeçare apo siç quhej atëherë “rezervat e punës”. Kjo shkollë, në shtator të vitit 1969, u shndërrua në Shkollën e Mesme Mekanike. Vetë qyteti nuk kishte mjaftueshëm fëmijë për të plotësuar qoftë dhe një klasë mësimore, kujtojmë që jemi në fillimet e qytetit, vetë banorët më së shumti ishin punëtorë dhe punëtore të moshës nga 18 deri në 25 vjeç (ata të rinjt që erdhën nga fshatrat vit pas viti). Në këto kushte, si rrugë zgjidhje u mendua që shkolla e mesme të ishte me konvikt. Pra, njëkohësisht me hapjen e shkollës së Mesme Mekanike, u hap edhe konvikti (në të njëjtën ndërtesë me shkollën) për nxënës që do të vinin nga fshatrat e Skraparit por jo vetëm (dy vitet e para të shkollës së re, pati nxënës konviktor nga fshatrat e Lushnjes dhe Beratit).

Krahas shkollës “së ditës” apo siç quhej ndryshe edhe si “shkolla me shkëputje nga puna” paralelisht, madje me shumë më tepër nxënës, u hap edhe “Shkolla e Mesme e Mbrëmjes” ose ndryshe, “shkolla e mesme pa shkëputje nga puna” ku vijonin mësim pikërisht të rinjt dhe të rejat që erdhën nga fshatrat dhe përbënin bazën e fuqisë punëtore të Uzinës.

Ja pra, përse Shkolla e Mesme Poliçan, edhe pse nuk mund të renditet në elitën e shkollave më me emër të vendit, duhet të përkujtoj dhe festoj 50 – vjetorin e saj, jo vetëm nga protagonistët (nxënës që kanë mësuar aty, mësues që kanë dhënë mësim ndër vite dhe drejtues të saj) por duhet të festohet dhe kujtohet nga mbarë banorët dhe ish-banorët e Poliçanit sepse ky përvjetor, gati – gati, përkon me fillimin e jetës së vetë qytetit, gjë që zor se mund të ketë shkollë dhe qytet të dytë në gjithë Shqipërinë.

Shkolla e Mesme Poliçan, që në fillimet e saj në vitin shkollor 1969-1970, u konceptua si Shkollë e Mesme Profesionale Industriale. Në shkollën me shkëputje nga puna kishte vetëm një profil, ai Mekanik, ndërsa në shkollën e mesme pa shkëputje nga puna kishte si profil bazë Profilin Mekanik (pasi masa dërrmuese e punonjësve të uzinës ishin në repartet mekanike) po edhe profile të tjera që krijoheshin herë pas here, sipas nevojave të prodhimit, kur hapeshin edhe klasa të profileve apo specialiteteve të tjera si: Elektrik, Kimi Industriale, Ekonomik etj.


Do të përpiqem të tregoj, nëpërmjet protoganistëve, historikun e shkollës nga fillimet e saj, në vitin shkollor 1969-1970, deri në fillim të viteve ’90 (gati 22-vjet), duke shpresuar që për vitet mbas kësaj periudhe e deri në ditët e sotme të bëj të njëjtën gjë ndonjë tjetër protagonist i kësaj kohe.

Për të karakterizuar më mirë etapat e zhvillimit të saj, periudhën 22-vjeçare po e ndaj në disa nënperiudha kohe më të shkurta, duke patur si kriter të vetëm kohën e qëndrimit në detyrë të atyre që kanë drejtuar këtë shkollë nga viti 1969 deri në vitin 1991.

Vitet shkollore 1969-1973

Mësuesit e parë të kësaj shkolle kanë qënë: Inxhinier Spiro Çili nga Tirana, Inxhinier Pandi Qirko nga Vlora, Inxhinier Vladimir Bici nga Berati, Mësuesi i Fizikës dhe Matematikës Lesko Gjata nga Tirana, Mësuese e Matematikës Edlira Bendo nga Vlora, Mësuesi i Histori-Gjeografisë Shpëtim Ylli nga fshati Leshnje-Skrapar, Mësuesi i Gjuhë-Letërsisë Luljeta Kapore (Nure) nga Vlora, Mësuesi i Biologji-Kimisë Betina Lameborshi nga Vlora që u zëvendësua një vit më pas nga Mësuesi i Biologji-Kimi Demir Hysenbelliu nga fshati Radësh-Skrapar i cili fillimisht kishte mbaruar Institutin Pedagogjik, punoi si mësues por edhe Drejtor në Shkollën e Mesme Çorovodë dhe më vonë përfundoi Universitetin e Tiranës në Degën Biologji-Kimi, Mësuesi i Gjuhës së Huaj (Rusisht) Kozma Mitro nga Selenica, Vlorë, Mësuesit e Edukimit Fizik Petrit Mëno nga fshati Mëlovë-Skrapar dhe Mario Petro nga Vlora.

Mësues të Shkollës së Mesme Poliçan viti shkollor 1971 – 1972

Në vitin shkollor 1971-1972, vjen Mësuesi i Fizikës Flamur Manushaqe nga fshati Slatinjë-Skrapar i cili është mësuesi i parë në Poliçan që vjen si kontigjent i atyre djemve dhe vajza nga Skrapari që kishin mbaruar me rezultate shumë të mira Shkollën e Mesme të Përgjithshme (Gjimnazin) në Çorovodë dhe vijuan me sukses studimet e larta edhe në degë të vështira siç ishte edhe Fizika ku ai studioi. Flamuri është mësuesi emblemë në historinë e kësaj shkolle. Gjithashtu ishin mjaft mësues të jashtëm si: Inxhinier Fatmir Luga, Inxhinier Lluka Petromile, Inxhinier Isuf Dobi, Inxhinier Riza Bregu, Inxhinier Zenel Maksuti, Inxhinieri elektrik Thoma Greveni, Inxhinier kimist Pandi Lubonja etj.

Duhet theksuar se mjaft nga mësuesit inxhinierë si Spiro Çili, Fatmir Luga, Isuf Dobi kishin ardhur në Poliçan me urdhër nga Ministria e Mbrojtjes, duke qënë më parë pedagogë në Fakultetin e Inxhinierisë, vetëm e vetëm që të vihej në punë Uzina dhe Shkolla Mekanike. Drejtor i shkollës ishte Inxhinier Spiro Çili, i cili kishte mbaruar studimet në Çeki, kuadër në Ministrinë e Mbrojtjes, i dërguar posaçërisht për hapjen sa më parë të Shkollës së Mesme. Në gusht të vitit 1973 ai transferohet në Tiranë.


Zëvendës drejtor ishte Luljeta Kapore (Nure), Zëvendës drejtor për shkollën e mbrëmjes ishte Shpëtim Ylli ndërsa Zëvendës drejtor për edukimin ushtarak ishte oficer Tomorr Hysi nga fshati Vërzhezhë-Skrapar, Zëvendës drejtor për Konviktin Hysen Yzeiri nga fshati Veleshnje-Skrapar.
Nga matura e parë, viti 1972-1973, nxënës protoganist dallohen: Gjergji Kërri (Inxhinier), Kamber Nano (ushtarak), Engjëll Hysko (Matematikë), Behar Haxhillari (ushtarak), Etheme Kreku, Haxhi Kondi, Engjëllush Ali Hysko, Aleksandra Dyrmishi, Pëllumb Spaho etj.

Vitet shkollore 1973-1975
Në Gusht 1973, shkolla ishte zgjeruar mjaftueshëm, në të katër vitet kishte dy klasa paralele, shkolla e mbrëmjes gjithashtu dhe natyrshëm vijnë edhe katër mësues të rinj, të cilët kishin një të përbashkët, vinin si ish nxënës të Gjimnazit të Çorovodës, madje tre prej tyre shokë klase. Mësuesit e rinj, që sapo kishin mbaruar studimet ishin: Hysen Binjaku nga fshati Çerricë-Skrapar, sa po kishte mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë 5- vjeçare; Ethem Xhamëni nga qyteti i Çorovodës, kishte mbaruar fakultetin e Inxhinierisë 5-vjeçare Dega Mekanike; Gëzim Hysi nga fshati Vërzhezhë-Skrapar, kishte mbaruar fakultetin e Inxhinierisë 5-vjeçare Dega Mekanike; Sazan Satka nga Çorovoda, që kishte mbaruar fakultetin e Inxhinierisë 4-vjeçare Dega Mekanike.

Mësues të Shkollës së Mesme Poliçan viti shkollor 1973 – 1974
Mësues të Shkollës së Mesme Poliçan viti shkollor 1973 – 1974

Këtij kontigjenti i shtohen edhe dy mësues të jashtëm, inxhinierë gjithashtu të rinj por kontigjent i Ministrisë së Mbrojtjes (ishin edhe ushtarakë): Neshat Braho nga fshati Potom-Skrapar, ish gjimnazist i Çorovodës, kishte mbaruar fakultetin e Inxhinierisë 5- vjeçare Dega Elektrike; Kastriot Tusha i cili kishte mbaruar fakultetin e Inxhinierisë 4-vjeçare Dega Mekanike. U larguan (me transferim) Drejtori Spiro Çili dhe Inxhinier Pandi Qirko, mësuesit e tjerë vijojnë të jenë. Ndërkohë hapet edhe profili Ekonomik në shkollën e mbrëmjes, për pasojë shtohen disa mësues të jashtëm për specialitetin: Behar Lavdari, Lelo Çela, Kristaq Mamillo, Vasil Sharko, Nuri Çarçani, Astrit Lamçe.

Drejtor i shkollës u emërua Lesko Gjata dhe Zëvendësdrejtor Vladimir Bici, Zëvendësdrejtor për shkollën e mbrëmjes Shpëtim Ylli, Zëvendësdrejtor për edukimin ushtarak Tomorr Hysi, Zëvendësdrejtor për Konviktin Hysen Yzeiri.

Lesko Gjata Drejtor i Shkollës së Mesme Poliçan, vitet shkollor 1973 – 1975

Gjatë këtyre dy viteve në shkollë erdhën dy mësues të rinj. Arshin Rexha nga Tirana kishte mbaruar për ekonomi politike dhe Liljana Reçka nga Gjirokatra për Gjuhë të Huaj (Rusisht) e cila zëvendësoi Kozma Mitro që u trasferua në Selenicë.

Gjat këtyre viteve dallohen nxënësit: Violeta Spahiu (matematikë), Miti Kina (ushtarak), Agron Bilçari (matematikë), Jorgji Stase (inxhinier), Llazar Druga (ushtarak), Luan Abedini (inxhinier), Myslim Musai (matematikë), Leonard Mihali (inxhinier), Kastriot Zyla (matematikë).

Vitet shkollore 1975-1982

Në mbyllje të vitit shkollor 1974-1975 ndodhën disa mos-marrveshje ndërmjet Organizatës së Partisë në Shkollë (mos u çuditni, në atë kohë ajo luante rolin udhëheqës në veprimtarinë e shkollës) dhe Drejtorisë së Shkollës. U organizuan disa mbledhje me kolektivin e mësuesëve dhe anëtarët e organizatës së partisë së shkollës ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv të rrethit Skrapar. Në përfundim të këtyre debateve dhe diskutimeve u vendos që drejtuesit e organizatës së partisë dhe drejtuesit e shkollës të shkarkohen. Sekretari i partisë njëkohësisht Zëvendës drejtor i Konviktit Hysen Yzeiri trasferohet në shkollën 8-vjeçare fshati Therepel, Zëvendës drejtor për edukimin ushtarak Tomorr Hysi trasferohet në një repart tjetër ushtarak, Drejtori i shkollës Lesko Gjata trasferohen në shkollën 8-vjeçare fshatin Bogovë.

Viti i ri mësimor 1975-1976 filloi me ndryshime në drejtimin e shkollës, Drejtor i Shkollës së Mesme u emërua mësuesi i matematikës Hysen Binjaku, Zëvendës drejtor Demir Hysenbelliu, Zëvendës drejtor për shkollën e mbrëmjes Inxhinier Ibrahim Tërpollari nga fshati Backë-Skrapar, Zëvendës drejtor i edukimit ushtarak oficer Ethem Bregasi nga fshati Qeshibec-Skrapar, Zëvendës drejtor i konviktit Hysen Flamuri nga fshati Gjerbës-Skrapar.

Hysen Binjaku Drejtor i Shkollës së Mesme Poliçan, 1975 – 1982
Ibrahim Tërpollari Zv.Drejtor i Shkollës së Mesme Poliçan,
Kastriot Tusha, Flamur Manushaqe, Mësues

Përgjithësisht mbetën po ata mësues që ishin me përjashtim të lëndës së matematikës ku nga shkolla 8-vjeçare kaloi në të mesmen Shkëlqim Salillari. Gjatë periudhës 1975-1982 në shkollë pati disa zhvillime.
Nga viti 1975-1976 numri i nxënësve konviktorë kishte rënë ndjeshëm, kjo për faktin se vetë qyteti dhe zonat për rreth tij kishin kontigjente të mjaftueshme për të furnizuar Shkollën e Mesme dhe në vitin 1978 konvikti u mbyll përfundimisht.

Po ashtu, pati disa ndryshime në stafin mësimdhënës. Meqënëse u hap një klasë e profilit Agronomi në shkollën e ditës edhe të mbrëmjes, për plotësimin e vendeve me specialistë bujqësie, filluan punë Agronomi Xhemal Lamçe nga Çorovoda dhe mësuesi i Biologji-Kimi Bajram Dalipi nga fshati Gradec- Tomorricë.

Kolektivi i Mësuesëve dhe Rustem Bregu Shef i Arsimit Skrapar, 1981

Për nevoja të ngutshme të prodhimit në Kombinatin Mekanik dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, u trasferuan Inxhinier Gëzim Hysi, Inxhinier Vladimir Bici në Kombinatin Mekanik, Inxhinier Sazan Satka në SMT Çorovodë, Inxhinier Ethem Xhamëni në Gjimnazin e Çorovodës. U morën mësues të jashtëm, krahas atyre që ishin, Inxhinier Gëzim Cane, Inxhinier Agim Musta etj.

Kolektivi i Mësuesëve, Shefi i Arsimit Skrapar, të dërguar nga Komiteti i Partisë, Këshilli i Qyretit Poliiçan, Komiteti i Prindërve, Shtator 1981

E veçantë e kësaj periudhe është se tashmë filluan të japin mësim, si mësues të jashtëm, edhe ish-nxënës të shkollës sonë, tashmë të diplomuar, si Inxhinier Roland Mihali, Inxhinier Luan Abedini, Inxhinier Myqerem Xhaferri etj. Në këto vite në Mekanikë u dalluan nxënësit: Shkëlqim Seferi (Inxhinier), Petrit Llapi (Ekonomist), Zenel Çeço (Inxhinier), Muharrem Braho (Ekonomist), Liri Haxhillari (ushtarak),
Ladi Fusha (Ekonomist), Astrit Haxhiu (Ekonomist), Mehdi Koxhai (Ekonomist), Arif Spaho (Ekonomist), Albert Mihali (Inxhinier), Leonora Druga (Inxhinier), Sami Hatellari (Inxhinier), Fredi Llupo (Inxhinier), Petrit Spaho (Inxhinier) etj.


Nga profili Gjimnaz u dalluan: Nevrus Topi (Edukim Fizik), Rustem Zyko (Mercolog), Nafi Gojka (Ekonomist) Fatos Caka (ushtarak) , Bajram Xhako (ushtarak) Dervish Bodurri (Agronom) Shqiponja Qorri etj. Në degën Agronomi u dalluan: Sybi Ahmetbejasi (Agronomi), Kajmak Zhuri (BioKimi), Enver Çela (Agronomi) etj. Shkolla e Mesme pa shkëputje nga puna dha konrtibut të rëndësishëm në kualifikimin e mjaft punonjësve të profileve të ndryshme, të cilët drejtuan brigada e reparte në uzinën mekanike, ishin teknikë të mesëm, specialist të mesëm në fushën ekonomike, në bujqësi etj.

Në specialitetin mekanik mund të përmëndim: Qemal Buzali, Syrja Dosti, Kujtim Lame, Bedri Tërpollari, Ferat Hyskollari, Gramoz Hysi, Enver Muhametllari, Muhamet Abedini, Muhamet Llango, Ylli Bilbili, Behar Fejzo, Nazike Kazaferi, Mynyr Agalliu, Bashkim Çuni, Lumturi Çela, Hodo Shatro e shumë të tjerë. Në profilin Elektrik përmendim Pëllumb Hoxha, Bujar Musabelliu, Kudret Çela, Agim Kapxhiu, Mynyr Spaho etj. Në specialitetin Ekonomist: Liri Topi, Vera Kotobelli, Donika Qevani, Hajrije Kapxhiu, Hanëme Durro, Evgjeni Sako etj.

Në fund të vitit shkollor 1981-1982, pas shumë viteve kontribut si mësues dhe drejues i shkollës, ku la gjurmë të mira në punë dhe në komunitetin e qytetarëve të Poliçanit, trasferohet për në Tiranë mësuesi Lesko Gjata.
Në vend të tij, në gusht 1982 vjen Mësuesi i Matematikës, Agim Qamirani nga fshati Bargullas-Skrapar, i cili vazhdon edhe sot të jap mësim në po të njëjtën shkollë duke u bërë, ndofta, mësuesi me veprimtarinë më të gjatë në këtë shkollë. Viti shkollor 1982-1983 përfaqëson një moment kthese në profilin e Shkollës së Mesme Poliçan. Krahas arsimit të mesëm professional me profil mekanik, rihapet arsimi i mesëm i përgjithshëm. Në vitet që pasojnë, arsimi i mesëm i përgjithshëm merr përparësi, derisa në vitin 1987-1988, Shkolla e Mesme Mekanike del si institucion shkollor më vete dhe kalon në një godinë të re, në godinën ekzistuese, vijoi Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Muhamet Kondi” Poliçan.

Padyshim që për mua ky ishte moment shumë i bukur, i pritur prej disa viteve, moment kthese në ecurinë e mëtejshme në karrierën pedagogjike dhe më gjerë, por vitet e punës dhe jetës në Poliçan nuk i kam harruar asnjëherë.

Për mua, ato nëntë vite do të mbetetn të paharruara. Do të mbeten të paharruar kolegët, nxënësit dhe prindërit e tyre, shumë qytetarë të Poliçanit. U largova nga Poliçani, por asnjëherë nuk i ndërpreva lidhjet me atë qytet. Faktori më i rëndësishëm, që nuk u ndërprenë ato lidhje, ishin nxënësit e Shkollës së Mesme Poliçan që vijonin studimet e larta në Tiranë, sidomos ata që vazhdonin studimet në Degët e Fakulteteve të Inxhinierisë. Po ashtu ndikuan edhe lidhjet që mbajta me kolegët e shkollës e në veçanti me Flamur Manushaqe, shokun e viteve të gjimnazit, mikun në kohën e studimeve në universitet, kolegun me të cilin mirë kuptoheshim mrekullisht gjat gjithë viteve që punuam bashkë.

Vitet shkollore 1982-1991
Në shtator 1982, gati një muaj që kishte filluar viti shkollor 1982-1983, vjen transferimi për Mësuesin e Matematikës, njëkohësisht Drejtor i Shkollës së Mesme, Hysen Binjaku, i cili fillon punë Pedagog i Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. U gëzova pa masë, që vendin e Drejtorit, lënë bosh nga transferimi im, e zuri pikërisht Flamuri, Mësuesi i Apasionuar i Fizikës, miku i të gjithë kolegëve të shkollës, emblema e Shkollës së Mesme “Muhamet Kondi” Poliçan

Flamur Manushaqe, Drejtor i Shkollës së Mesme Poliçan, 1982 – 1991

Në detyrën e Zëvendës drejtorit, deri në vitin kur u ndanë dy shkollat, vijuanë Demir Hysenbelliu dhe Inxhinier Ibrahim Tërpollari. Me ndarjen e shkollave, Flamuri vijoi Drejtor i Gjimnazit, Zëvendës drejtor Fatmira Beqa, mësuese e Gjuhë-Letërsi, e cila kishte zëvendësuar Luljeta Kapore (Nure) pas trasferimit të saj në Tiranë. Në Shkollën Mekanike, Drejtor u emërua Demir Hysenbelliu dhe Zëvendës drejtor Ibrahim Tërpollari.

Në vitin shkollor 1983-1984 mësues për Fizikë erdhi Astrit Shatro nga fshati Leskovë-Tomorricë, pak vite më vonë, vjen edhe bashkëshortja e tij, Margarita Shatro nga Lushnja e cila kishte përfunduar studimet për Fizikë 5-vjeçare, dhe punoi për ca kohë në Kombinatin Mekanik dhe në vitet 90-të, bëhet edhe Drejtore e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Poliçan. Vite më vonë, me çiftin Shatro jemi kolegë në Universitetin Politeknik në Tiranë.

Kolektivi i Mësuesëve Shkolla e Mesme Poliçan, 1982 – 1991

Gjatë këtyre vite mbarojnë maturën: Fatmira Çili (Inxhinier), Zenepe Muka (Inxhinier), Arben Lulaj (Inxhinier), Majlinda Gjika (Inxhinier), Ilirjan Lulaj (Inxhinier), Zeni Avdijasi (Inxhinier), Altin Lulaj (Matematikë), Miranda Allajbeu (Inxhinier), Alfred Lulaj (Inxhinier), Dezdemona Methoxha (Matematikë), Miranda Hysenbelliu (Ekonomi), Ethem Bejko (Inxhinier), Aurel Ymeti (Fizikë), Antonin Braho (Ekonomi), Vilfred Hebibasi (Info), Edlira Muhametllari (Inxhinier) etj.
Shumë nga ish-nxënësit, tashmë të diplomuar, rikthehën në shkollën ku u maturuan, si mësues të saj. Të tillë mund të përmendim: Myqerrem Xhaferri, më vonë emërohet Drejtor i Shkollës Mekanike, Leonora Druga, Edlira Muhametllari, Dezdemona Methoxha etj.
Nuk mund të lë pa përmendur bashkëpunimin shumë të mirë që shkolla ka patur me komunitetin e prindërve. Në vitet që flasim jane dalluar për kontribut të veçantë prindërit Sali Qorri (Zylyftari) dhe Mehmet Çela , dy veteranë të palodhur.

*Prof.Asoc.Dr. Hysen Binjaku, pedagog në pension

  • Share