Dervish Iljazi – Nderi i Kombit

  • Share

Dervish Iljazi, lindi në 26 shtator 1875, në Vërzhezhë të Skraparit. Konsiderohet si një nga nacionalistët e zëshëm të Skraparit që reflektonte vlera të larta njerëzore. Përkrahës i çështjeve patriotike së rilindjes shqiptare dhe arsimit shqip. Vazhdimisht, ai ndërmerrte i vetëm, iniciativa për të rregulluar rrugët që u nevojiteshin banorëve, riparonte çezmat e ujit të pijshëm për komunitetit duke reflektuar shenjtëri në çdo nismë që ai ndërmerrte.

Vite më pas, janë vitet kur terrori i andartëve grekë, përmes masakrave ndaj civilëve u përhap edhe në Skrapar. Në kushte pasigurie shumë banorë u shpërngulën nga vendbanimet e tyre. Edhe Dervish Iljazi dhe familjarët e tij, për t’iu shpëtuar masakrave greke, gjetën strehim në fshatin Shpatanj.

Ky, nuk ishte një vend i panjohur për të, pasi Dervish Iljazi ishte një vizitor i shpeshtë i këtyre zonave, kur shkonte për në Ujanik, ku banonin të afërm të familjes, nga ana e së ëmes.

Më herët, ai kishte shërbyer si dervish në Teqenë e Prishtës. Besimi ishte ai që e motivonte atë më së shumti. Kur ishte 40 vjeç në vitin 1915, udhëtoi drejt Turqisë në Haxhi Bektash, ku kërkoi dhe mori lejen për ndërtimin e një teqeje bektashiane në territorin e Skraparit.

Me rikthimin në Shqipëri, nisi përpjekjet për gjetjen e vendit se ku do të ngrihej Teqeja. Për blerjen e truallit të saj do të nevojiteshin të ardhura. Ai, shiti të gjithë pasurinë që zotëronte në Vërzhezhë, ndërsa familjarëve u bleu një truall të ri, ku do bënin shtëpitë e reja, ndërsa vetë ai do të shkonte drejt Kulmakut.

Aty, fillimisht bleu truallin (tek Gogonarët e Kulmakut) dhe tokën ( tek Shefit dhe Abdyl Kapinova (Salillari).

Me përvojën e madhe që kishte në veprat e ndërtimit, si dhe me ustallarët panaritas që kishte pranë vetes, nisi të ndërtoj Teqenë.

Teqeja ishte e konceptuar tërësisht sipas parimeve bektashiane. Ajo do të ishte një godinë 2 katëshe me sallë ngrënie, fjetore, kuzhinë, furrë buke etj.

Në katin e dytë, kishte një dhomë që quhej ndryshe “dhoma e babait” apo mejdani. Dhomat ishin me dysheme dhe tavan të veshur me dru pishe të stazhonuar prej vitesh. Çdo dhomë kishte oxhak për ngrohje.

Teqeja, u inaugurua prej tij në 28 Korrik 1916 e prej andej nisi të ishte e vijon të jetë një vendet më të frekuentuara të bektashinjve. 7 vite më vonë, Dervish Iljazi gjestisi në 20 mars 1923. Ai u varros po në atë vend, në Tyrben e Kulmakut të cilën e ndërtoi po ai vetë.

Vite më pas, në 1937, Komisioni i Prefekturës së Beratit vendosi që shkolla e Vërzhezhës të mbante për nder emrin Shkolla “Dervish Iliazi”.

Ndërsa në Shqipërinë e asaj kohe ishte vendosur regjimi diktatorial, në 1968, kjo Teqe u përdhos. Gurët dhe të gjitha orenditë e saj u vodhën, u dogjën dhe u përdorën për ndërtime objektesh të tjera të zonave pranë. Eshtrat e Dervizh Iljazit, u nxorën dhe u hodhën lëndinave të Kulmakut.

Laskë Ujaniku, një nga njerëzit e afërt nga ana e së emës së Dervish Iljazit, ishte ai i cili i mblodhi në fshehtësi e gjatë natës, eshtrat e shpërndara dhe i vendosi ato në një arkivol.

Eshtrat u rivarrosën pranë vendit të quajtur Gorrica e Maksutit. Në fshehtësi e gjatë natës, Laskë Ujaniku kreu edhe ritet fetare bektashiane të rivarrimit të eshtrave të Dervish Iljazit.

Që nga 1968-ta, Laskë Ujaniku e mbajti këtë ngjarje sekret gjatë gjithë jetës së tij. Kur ai ishte në momentet e fundit të jetës, Laska thërriti pranë djemtë e tij, Qemal dhe Shezai duke u treguar (përpara se të ndërronte jetë) sekretin.

Në korrik 2016, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani akordoi titullin e lartë, (pas vdekjes) për Dervish Iliaz Qafokun duke e shpallur “Nder i Kombit”

Kredite të përdorura: Gjergj Qafoku / Nuri Çuni

  • Share