Kalaja e Skraparit

  • Share

Në pikëtakimin e lumenjve të Çorovodës dhe Osumit, mbi qytetin e vogël të Çorovodës në malin që vendasit ende e quajnë Kala, perëndon edhe hëna edhe dielli. Në majën konike të malit, sot aty ndodhen vetëm disa rrënoja të asaj që dikur ka qënë e njohur si Kalaja e Skraparit.

Në mesin e viteve 70-të në Çorovodë u zhvillua për disa ditë një konferencë shkencore. Nga kërkimet dhe studimet arkeologjike, u prezantua edhe maketi i asaj sesi mendohej nga studiuesit se ka qënë e ndërtuar kjo kala.

Maketi i Kalasë së Skraparit ©Corovodaonline

E lokalizuar në lartësinë 720 metra mbi nivelin e detit, ajo që sot njihet si Kalaja e Skraparit dikur është njohur me emrin Kalaja e Gjenevizit. Përmendja e saj në dokumente historike gjendet rreth 1000 vite më parë në vitin 1018, një vit i cili përkonte me betejat fituese të Bizantinëve ndaj Bullgarëve. Janë vitet kur në zonë u përhapën shumë emërtimet sllave.

Kronisti Kantakuzen, përmend se në vitin 1336 kjo kala ra në dorë së arbëreshëve malësorë. Ndërsa vite më pas, gjegrafi turk Celebia tha se kjo kala konsiderohej e çuditshme jo vetëm nga forma por edhe nga vendndodhja e veçantë që ajo kishte, e vendosur në majën konike të një mali. Sipas Celebias, Kalaja e Skraparit ishte një ndërtim romak.

Perimetri i Kalasë së Gjenevizit ishte 1000 hapa. Kalaja kishte vetëm një hyrje qëndrore dhe rrethohej me mure që nuk e kalonin lartësinë 2 metra. Brenda rrethimit të saj ndodheshin 45 shtëpi. Sipas Celebias, vite më vonë brenda kësaj kalaje do të ngrihej edhe xhamia e Bajazit Hanit. Përveç mureve rrethuese kjo kala kishte edhe kulla vrojtimi.

Kalaja e Skraparit ngrihet në jugperëndim të qytetit të Çorovodës, në bregun e majtë të Osumit, majë një kodre në formë koni. Muri rrethues shquhet më mirë në pjesën veriore, lindore e jugperëndimore të kalasë, në lartësi 0,30 metra deri 2 metra dhe rrethon një sipërfaqe prej rreth 1 hektar. Dallohen dy shtresa muresh ndërtimi që ndjekin të njëjtën vijë, vetëm me ndonjë shmangie të vogël, si në lindje dhe perëndim. Muri i pjesës perëndimore që lidhet me kullën 3 është i ndërtuar me gurë mesatarë të lidhur me llaç gëlqereje me shumë kokrriza rëre të trashë, që shkërmoqet shpejt. Muri ka një trashësi sa 2,6 metra.

Skicë e ekspeditës së kërkimeve arkeologjike në Kalanë e Skraparit

Në këtë pjesë të murit, në gërmimet e 1989-1990 u gjetën mjaft fragmente qeramike me zbukurim shiritash e grupe vijash të valëzuara dhe fragmente enësh të ndryshme. Ky mur është më i hershëm se ai mesjetar. Periudhës mesjetare i takojnë traktet e anës jugore dhe muret ndarëse pranë kullës qendrore dhe ruhen në lartësi 0,40-3 metra.

Nië element tipik i planimetrisë së kalasë të Skraparit janë kullat, dallohen 4 të tilla, në formë trapezi me përmasa të ndryshme. Më e madhe ndër to është kulla qendrore e kalasë që ruhet deri në një lartësi 2 metra. Dy kulla të tjera janë njëra në qoshen e pjesës veriore të kalasë (kulla 1) dhe tjetra (kulla 2) në brendësi të saj.

Në këto gërmime, u zbulua hyrja e kalasë me korridorin e saj 6 metra të thellë, 2,2 metra të gjerë dhe një dhomë në pjesën lindore në formë trapezi, që ka shërbyer për qëndrimin e rojeve. Muret e korridorit dhe dhomës nuk kanë lidhje me murin rrethues, ato janë ndërtime të mëvonshme.

Stera e kalasë ka një planimetri në formë katërkëndëshe me orientim veri-jug dhe kapacitet 150 m3, ajo është e dëmtuar plotësisht në pjesën e sipërme. Stera ka qenë veshur me suva prej dheu shamot hidroizolues, gjurmët e së cilës duken mbi 1 metër në faqet e saj. Për të patur rezistencë më të madhe kundrejt veprimit të ujit dhe për të lehtësuar pastrimin, është mënjanuar krijimi i këndeve të drejta në vendet e bashkimit të mureve. Ato janë sjellë në formë të harkuar dhe dalin 4-5 centimetra nga paretet e mureve.

Gërmimet e bëra në sektorin A, gjatë gërmimit nën murin rrethues mesjetar, doli një banesë me mure me baltë e pazbuluar akoma plotësisht, ku u gjetën fragmente qeramike. Qeramika dallohet për një teknikë të përparuar dhe është përgatitur nga një baltë e pastër okër në rozë. Ajo përbëhet nga fragmente enësh të tavolinës si amforiskë, pjata, kupa me vernik të zi, vegjë hidrijesh etj ; një qeramikë e tillë u gjet edhe në kuadratin e parë në thellësinë 2,95 metra: fragmente vorbash, funde e vegjë skyfosi me vernik, funde pitosash bashkë me një monedhë ilire bronzi të Bylisit të viteve 230-168 p.e.sonë. Materiale të tilla janë gjetur me shumicë në rrethin e Skraparit në vendbanimet Sevran, Malind, Backë, Grepckë etj. dhe u përkasin shekujve III-II p.e.sonë.

Në shtresën e dytë të kuadratit të parë janë gjetur me shumicë fragmente vorbash me grykë të gjerë e bark të fryrë, me dy vegjë, amfora etj. Në qeramikën me parete të trasha vendin kryesor e zënë pitosat me ngjyrë të kuqe në kafe, që zakonisht janë lyer me një shtresë të hollë sere në pjesën e brendshme.

Pitosat janë dekoruar me teknikën e incizimit, barqet zakonisht me motive vijash të valëzuara, të zbukuruara kryesisht në pjesën e brendshme të trasesë, pranë murit rrethues.

Rrënoja që gjenden aktualisht në Kalanë e Skraparit

Në afërsi të kullës së 3-të u gjet një majë heshte e dëmtuar dhe një thikë. Këto materiale i përkasin periudhës së antikitetit të vonë, shekujve IV-VI të e.sonë.

Në shtresën e tretë të kuadratit, ku mbizotëron dheu ngjyrë gri i çelët, u gjetën kryesisht materiale të periudhës së pushtimit osman. Mbizotërojnë vorbat, çerepet etj. Zbukurimet përbëhen nga vija të valëzuara të çrregullta që mbushin trupin e enës. U gjetën 3 maja shigjetash me bisht metalik të hollë që futej në dru dhe dy monedha bizantine, që me sa duket i takojnë periudhës pas shek. XII. Materiali tjetër i takon periudhës turke dhe karakterizohet nga qeramika me zmalt. U gjetën me shumicë material ndërtimi, tjegulla e tulla të periudhave të ndryshme. Në kala, pranë kullës 2, u gjet, nië çekan guri dhe në shtresën e parë një sëpatë e tipit daltë e fragmentuar, e pashoqëruar me qeramikë. Materiali arkeologjik i zbuluar në gërmimet 1989 – 1990 hedh dritë të re mbi disa periudha kronologjike të jetës së këtij vendbanimi, duke filluar me periudhën qytetare ilire deri në mesjetën e vonë.

  • Share