Çorovodë 1914 – Hapet një furrë buke dhe një dyqan. Kush ishte pronari i tyre?

  • Share

Emri i tij është Riza Sinani. I konsideruar për kohën si një ndër personat e pasur në Skrapar, një dokument i siguruar nga corovodaonline mbetet një nga shkresat e rralla ku gjendet i shkruar emri i tij.

Dokumenti në bashkëngjitje i përket vitit 1959 por në të sqarohen gjerësisht informacione të sistemit të asaj kohe mbi Riza Sinanin. Në dokument përshkruhet një kronologji të dhënash, sipas së cilave referohet fakti se Riza Sinani ishte personi që kishte një furrë dhe një dyqan buke në Çorovodë.

Në dokument thuhet edhe sesi gjatë viteve i pasuri Riza Sinani preferonte të rrinte afër bejlerëve dhe agallarëve të tjerë të pasur, që sistemi i asaj kohe nuk i kishte shumë qejf. Rizai u bë vëllam (vëlla i bërë) me njërin prej tyre që më vonë u konsiderua kulak dhe kjo gjë do ti prishte punë edhe atij. Mbi këtë llogjike, dokumenti i 1959 përshkruante edhe nevojën që edhe Rizait, ti hiqej emërtimi kulak, pasi pas çlirimit “kishte patur sjellje të mirë”, thuhet në dokument.

Gjatë regjimit të Zogut, pasuria e Riza Sinanit ishte 60 dylym tokë, 200 krerë bagëti, 3 qe, një dyqan e një furrë buke në Çorovodë. Gjatë pushtimit fashiste pasuria e tij rezultonte në 60 dylym tokë, 100 krerë bagëti, një pendë qe, dy kafshë samari dhe furrën e bukës dhe me të njëjtën ekonomi vijonte të ishte edhe pas çlirimit.

  • Share