Prill 1999 – Skrapari hapi dyert për qindra vëllezër kosovarë.

  • Share

23 vite më parë, Skrapari hapi dyert për të pritur qindra vëllezër kosovarë. Nisja e bombardimeve të NATO-s në atë që u quajt “Operacioni i Forcave Aleate”, një operacion sulmi ajror ndaj Republikës së Serbisë, solli si pasojë edhe largimin e mijëra shqiptarëve të Kosovës drejt vendeve fqinj. Largimet masive si pasojë e luftës, shkaktuan atë që u quajt “kriza e refugjatëve” në Shqipëri, ku më shumë se 440.000 shtetas u pritën në Shqipëri.

Në Skrapar, në muajin prill 1999, në vijim të koordinimit kombëtar të “Grupit të Menaxhimit të Emergjencave” mbërritën mbi 18 autobuzë me kryesisht familjarë nga Kosova. Sipas corovodaonline, në Skrapar u strehuan 850 persona.

Qershor 1999 – Çorovodë

Shumë familje skraparase pritën në shtëpitë e tyre, vellëzërit dhe motrat kosovarë. Në Çorovodë, qëndrat e emergjencës humanitare shpërndanin nevojat bazike ushqimore dhe sanitare për të gjithë ata si dhe familjet pritëse ku ata strehoheshin.

Qyteti i vogël njëherazi përpiqej të krijonte atmosferën për të larguar sado pak dhimbjen e tyre nga Lufta në vendlindje. Të shumta ishin aktivitetet kulturore që mbaheshin me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të lehtë për ta.

Lufta që zgjati 78-të, ditë përfundoi në 10 qershor 1999. Por largimet e para të shqiptarëve të Kosovës që u strehuan në Skrapar ndodhën në muajin korrik fillimisht për grupe të para e për të vijuar muajt pasues. Corovodaonline publikon disa nga imazhet e muajit qershor 1999, në Çorovodë, ku përmes planeve jemi në qëndër të Çorovodës, ku mbaheshin disa aktivitete patriotiko-kulturore për nder të vëllezërve kosovarë.

Përpara largimit të tyre nga Skrapari, ka patur edhe një detaj të veçantë. Në shenjë mirënjohje për pritjen e ngrohtë që ju bë, një përfaqësi e shqiptarëve të Kosovës, vendosën një pllakatë falenderimi, si kujtim nga Kosovarët për qytetin e vogël.

  • Share