Vizitat e para në Skrapar/ Sali Berisha dhe Edi Rama u pritën me incidente në Çorovodë

  • Share
Sali Berisha dhe Edi Rama

Në vite të ndryshme, tërësisht të ndryshëm edhe si karaktere, Skrapari thuajse i ka pritur njësoj, në ditën e tyre të parë të ballafaqimeve politike me Çorovodën. Me incidente. Në ardhjen e tij të parë në Çorovodë, në shtator 1991, lideri historik i demokratëve në Shqipëri, Sali Berisha u prit nga një grup themeluesish të Partisë Demokratike të Skraparit. Por përtej euforizmit politik, incidentet nuk munguan që në vizitën e tij të parë në Skrapar.

Ndërsa ishte duke folur në sallën e mbushur plot në Çorovodë, Berisha u irritua kur një prej të pranishmëve në sallë thërriti ndaj tij: “Na trego sesa para ke marrë nga pacientët që ke vizituar!“. Berisha fillimisht nuk e kuptoi se çfarë tha pjesëmarrësi, i cili vijonte të fliste por kur i’a referuan atë se çfarë ai kishte thënë, kaq i mjaftoi për t’iu kthyer qytetarit nga podi ku fliste me shprehjen: “Dëgjo këtu ti provokator i tipit Gradec (Referuar besnikërisë së Sulo Gradecit ndaj Enver Hoxhës)” Ky mund të quhej incidenti i parë, por nuk ishte i vetmi i kësaj dite.

Pas takimit, ndërsa Berisha do të shplodhej në shtëpinë e një të njohuri të tij, ndërsa kalonte poshtë pallatit ku ndodhej shtëpia në Çorovodë, dikush i qëlloi me patate, Berishën dhe dy shoqërues të tjerë të tij por fatmirësisht asgjë nuk e preku Berishën. Po ashtu, brenda së njëjtës ditë Berisha me themeluesit e PD në Skrapar, u drejtuan për kafe pranë verorit. Por një person që ishte i dehur, lëshoi një lumë sharjesh drejt Berishës ndërsa ky i fundit sapo hynte në lokal.

Sali Berisha

Ndërsa Edi Rama në cilësinë Kryetarit të Partisë Socialiste, vizitën e tij të parë në Çorovodë e pati në vitin 2008. Sapo kishte hyrë viti 2008. Partia Socialiste kishte shumë kohë që nuk kishte zhvilluar takime masive. Gjatë një takimi në sallën e kinemasë së qytetit të tejmbushur nga pjesëmarrësit, disa prej tyre lëshonin vazhdimisht thirrje kundra tij dhe Partisë Socialiste. Kulmi i situatës së pazakontë do të arrinte me incidentin më të madh të këtij takimi kur në sallë Edi Rama po fliste, një prej personave hodhi në shashkë tymuese në mes të sallës. Kaosi dhe thirrjet kundra tij dhe Partisë Socialiste vijuan duke detyruar organizatorët të mbyllnin takimin përpara kohe.

  • Share