Vëlla e motër nga Skrapari. U arrestua për “vrasjen” e së motrës në 1956. Vite pas e çuditshmja/ E motra ishte gjallë

  • Share
Inskenimi i vendngjarjes

Kjo ngjarje pa asnjë dyshim, mund të ishte një skenar i mirëfilltë i një filmi ku gjithçka bazohet në ngjarje të vërtetë. Do të shkojmë vite pas, në shkurt të vitit 1956. Protagonistë kryesorë janë 3 persona.

  1. Ervehe Dyrmishi, e lindur në fshatin Koprënckë, të Skraparit e martuar në Tepelenë. Erveheja vinte nga Koprencka. Ajo ishte e martuar dhe kishte 2 fëmijë.
  2. Çerçiz Dyrmishi, vëllai i Ervehesë, për shkak të pamundësive kishte lëvizur nga Skrapari së bashku me gruan e tij Fatimenë dhe të ëmën e Fatimesë, apo vjerra e tij Hatixhe për të jetuar në Memaliaj, pranë Tepelenës.
  3. Xh.Q., burri i Ervehesë, kishte lindur në Progonat të Tepelenës.

Pas disa viteve martesë, me pretendimin se keqtrajtohej nga i shoqi Xh.Q, Erveheja shkon për tek i vëllai i saj Çerçiz Dyrmishi por pas një qëndrimi të shkurtër nga shkurti deri në prill 1956, vëllai e rikthen sërisht në shtëpinë ku ajo ishte e martuar në Tepelenë pasi bashkëshorti i saj ishte marrë vesh me Çerçizin.

Ndërsa vëllai ktheu motrën në shtëpinë e burrit të saj Xh.Q. krejt papritur, gjatë një darke në shtëpinë e së motrës, nisi një debat. Erveheja del nga shtëpia pak përpara se të ikte i vëllai i saj, Çercizi i cili pasi përfundoi darkën rikthehet në Memaliaj.

Çerçizi mbërrin në shtëpinë e tij në Memaliaj ku jetonte me gruan dhe vjerrën. Por askush nuk e dinte ku ishte Erveheja. Bashkëshorti i saj, mendonte se Erveheja nga debati ishte rikthyer me të vëllain në Memaliaj, ndërsa Çerçizi mendonte se e motra po jetonte me familjen e saj në Tepelenë. Historia sapo ka nisur…


Tre vite më pas në janar të vitit 1959 nisin hetimet për fatin e të zhdukurës.

Të dhënat që jepnin familjarët ishin kontradiktore. Askush nuk mund të thoshte se ku ishte Erveheja. Njëra palë thoshte tëk familja e të shoqit, tjetra tek familja e vëllait. Hetimet nisën dhe të dhënat e fundit tregonin se ajo kishte qënë në Memaliaj… dhe kaq mjaftonte… për një kalvar të gjatë peripecish…

Në 20 Janar 1959 i dyshuari Çerçiz Dyrmishi paraburgoset. Në një dokument të kohës thuhet:
Çerçiz Dyrmishi, i biri i Rizait dhe Diles, vjeç 30, nga Koprencka e Skraparit, i martuar me dy fëmijë, shërbimin ushtarak e ka kryer, autodidakt, pa parti, mban dekoratën e 10 vjetorit të Çlirimit  dhe atë të Urdhërit të klasit të tretë“.

Dy muaj më vonë, paraburgosen edhe e shoqja dhe vjerra e tij. Në Dokument shkruhet:
Fatime Dyrmishi, e bija e Hodos dhe Hatixhesë, vjeç 24 nga Zabërzani, Skrapar, bashkëshorte e të pandehurit Çerçiz Dyrmishi, e martuar me dy fëmijë, e padënuar, me arsim 3 klasë fillore, e paraburgosur në datën 21 mars 1959

Hatixhe Hasanaj, e bija e Zenelit dhe Behijes, vjeç 46, lindur në Zabërzan i Skraparit, e martuar me dy fëmijë, të pandehurën Fatime e ka vajzë, të pandehurin Çerçiz e ka dhëndër, e padënuar, analfabete, e paraburgosur në 21 mars 1959

Hetimet.
Në 3 Korrik 1959, Policia e Skraparit, fillon ndjekjen penale kundër Çerçiz Dyrmishi, nga katundi Koprenckë me banim në Memaliaj, si dhe ndaj bashkëshortes së tij Fatime Dyrmishi dhe vjerrës së tij Hatixhe Hasanaj. Së bashku me ta edhe një e pandehur e katërt e cilësuar si Mine Dine që akuzohej për moskallëzim krimi.

Hetimet në fillim u zhvilluan nga hetuesi i degës së Skraparit, Ali Cufe por pas dy muajsh hetimet do të drejtoheshin nga Hetuesi i Drejtorisë së Përgjithshme, Zija Çela.
Në përfundim të hetimeve, kur çeshtja kaloi në Gjykatën Gjirokastër, kjo  e fundit shpalli fajtorët e “vrasjes” me këto dënime:
1. Çerçiz Dyrmishi – 25 vjet heqje lirie ( Prokurori kërkoi dënim me vdekje)
2. Fatime Dyrmishi – 15 vjet heqje lirie
3. Hatixhe Hasanaj – 20 vjet heqje lirie
4. Mine Dine – 1 vit heqje lirie me kusht

“VRASJE”?
Çfarë kishte ndodhur ndërsa ishin në paraburgim?
I pandehuri Çerçiz Dyrmishi:
Unë, gjatë dy muajve që hetimet u zhvilluan nga Dega e Punëve të Brendshme e Skraparit, nuk e kam pranuar vrasjen dhe mund të them se atje nuk jam trajtuar keq. Mbas dy muajve, për hetime, u ngarkua hetuesi Zija Çela. Me ardhjen e Zijait si hetues, situata ndryshoi. Ai filloi duke insistuar që unë të pranoja vrasjen, që në fakt nuk e kisha bërë. Duke parë që unë nuk e pranoja krimin, filloi të përdorë mjete shtrënguese, duke më shtrënguar duart me hekura gjatë gjithë kohës që më merrte në pyetje dhe kur ishim vetëm. Kur më solli nga Berati në Tepelenë, veç shtrëngimit të duarve, hetuesi më preu për 18 ditë racionin e gjellës, duke më dhënë vetëm racionin e bukës dhe një kokërr qepë në ditë. Po kështu për një muaj rresht më ndaloi ujin, duke më lejuar të pija vetëm një herë në mëngjes dhe një herë në mbrëmje, ndërsa gjithë pjesën tjetër të ditës rrija pa ujë. Unë i thosha se nuk e kam vrarë unë motrën, por ai më thoshte se duhet ta pranosh, mbasi në rast se nuk e pranon, do të pushkatohesh, ndërsa ndryshe do të dënohesh më lehtë. Ai më kërkoi me insistim që të pranoja jo vetëm vrasjen, por t’i tregoja edhe vendin ku e kisha varrosur. Madje, për këtë të fundit, këmbëngulte më fort. Çfarë nuk më bëri derisa u detyrova t’i them se e kisha vrarë me duart e mia. Pastaj kërkoi për t’i thënë vendvarrimin. S’kisha ç’bëja. I thashë se po ta tregoj dhe e shpura në një gropë buzë lumit që më kujtohej mua, kur isha në Memaliaj. Një gropë më koti”.


E pandehura Fatime Dyrmishi:
Hetuesi më tha që të pranosh krimin, se kjo është rruga e drejtë. Ti je grua dhe nuk dënohesh. Ndryshe, në qoftë se nuk e pranon, burri yt Çerçizi do të dënohet me pushkatim. Unë thosha vazhdimisht se nuk di gjë për vrasjen e Ervehesë dhe mos më merr në qafë. Po ai më kërcënoi, duke më thënë thuaje se do të të bëj gropën e të tjera fjalë kërcënuese. Prandaj unë, nga frika e këtyre dhe si grua, e pranova, duke bërë veten fajtore, pa bërë në fakt asnjë krim.
Gjatë pyetjeve unë i thosha hetuesit se Erveheja nuk është vrarë, por ka ikur vetë nga shtëpia, por ai insistonte dhe më thoshte që ta pranosh, duke më nxjerrë disa eshtra kafshësh me të cilat ishte fotografuar Çerçizi dhe për të cilat më thoshte që janë eshtrat e Ervehesë. Kur mua më shpunë për të treguar vendin se ku ‘kishim varrosur’ Ervehenë, hetuesi më tha: Burri yt shkoi nga kjo rrugë, prandaj dhe ti të shkosh këtej. Nuk e di si më dukej vetja. Ishin momente të tmerrshme.
Kur po na çonin me makinë nga Tepelena në Gjirokastër, mbasi hetimet ishin përfunduar, tek Uji i Ftohtë u takuam me hetuesin Zija Çela, i cili më zbriti nga makina dhe më tha: Shiko, kur të dalësh në gjyq, të mos i kthesh ato që ke thënë në hetuesi. Por të thuash ato që ke thënë në procesin hetimor, se kështu ti nuk do të dënohesh, ndërsa burri do të dënohet lehtë, deri në katër vjet. Në qoftë se do të mohosh ato që ke thënë në hetuesi, burri yt do të dënohet me pushkatim. Dhe unë kështu bëra, pranova në gjyq ato që kisha thënë në hetuesi.

E pandehura Hatixhe Hasanaj:
Mua, gjatë hetimeve, kapteri i Policisë, Sefedini më ka trajtuar keq. Gati një muaj rresht më hiqte teshat e fjetjes, duke më lënë vetëm një batanije. Bile një ditë, pa asnjë arsye, më la gjithë ditën në këmbë. Unë kam insistuar se Ervehenë nuk e kemi vrarë, por ajo ka ikur nga shtëpia vetë, kurse hetuesi insistonte duke më marrë shpesh në pyetje në mënyrë që të pranoja që e kishim vrarë.
Një ditë përgatiti një proces dhe ma dha për ta firmosur. Unë nuk pranova ta firmosja se nuk dija përmbajtjen, por ky këmbënguli duke më thënë firmose se është lutja që do të dërgojmë në Skrapar, prandaj firmose shpejt se na ikën makina. Desha s’desha, e firmosa, pa ditur përse bëhej fjalë. Kur më shpunë për të treguar vendin se ku e ‘kishim varrosur’ Ervehenë, unë, duke mos ditur asgjë për varrin e saj, mbasi në të vërtetë nuk e kishim vrarë, i shpura në një vend afër lumit, kur ne zakonisht aty merrnim ujë
”.

Por le të rikthehemi tek “vrasja” – Në kushtet e presionit dhe imponimit, të pandehurit më në fund pranojnë versionet e imponuara përpara gjykatës duke u shprehur se:

Në procesverbalin e datës 12.3.1959, Çerçizi pohoi:
E qëllova Ervehenë me një hekur tri herë në kokë. Mbasi u rrëzua, vjehrra i zuri gojën për të mos bërtitur, ndërsa gruaja i hodhi litarin në fyt. Mbasi u shkaktua zhurma, erdhi Mineja dhe na pa. Në orën 11 e mbështollëm me një batanije dhe e shpumë afër lumit. Bëmë një gropë një metro të thellë dhe e varrosëm. Isha unë, Hatixheja, Fatimeja dhe Mineja. Nga varrimi u kthyem në ora 12:30 të natës”.
Në procesverbalin e datës 18.4.1959, Fatime Dyrmishi deklaroi:
“Çerçizi i ra me një shkelm dhe Erveheja ra e vdekur. Prezente ka qenë edhe Minija. E mbuluam me një batanije dhe ia hodhëm mbi kurriz Çerçizit, i cili bashkë me Minenë e nxorën jashtë. Se ku e hodhën, nuk e di. Nëna gjithashtu mbeti në krevat (në shtëpi)”.
Në procesverbalin e datës 20.4.1959, Fatime Dyrmishi jep këto shpjegime:
E mbytëm qysh atë natë që u kthye nga burri. Më parë Çerçizi i ra me shqelm dhe pastaj e mbyti me litar. Unë i mbaja gojën me shami dhe Çerçizi me Minenë i shtrëngonin litarin. Nëna i mbante duart dhe këmbët. Mbas vrasjes e nxuarrën jashtë Çerçizi dhe Minija. Rrugën e kontrolloi më parë Çerçizi. Trupin e hodhëm në lumë”.

Në verën e vitit 1960, ndërsa Çerçiz Dyrmishi kishte 1 vit që ishte i burgosur për “vrasjen” e së motrës, siç u kishte thënë trupit gjykues, në një version të imponuar, ai lajmërohet se do të linte qelinë. Ai nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur dhe mes gëzimit të lirisë dhe “përse-ve” të arsyeve se përse erdhi kjo liri, të afërmit tek e takonin për herë të parë i thoshin: “Erveheja është gjallë!

Policia: Është shfaqur Erveheja.

Kemi njoftime se në fshatin Plug të fermës së Lushnjës është shfaqur Erveheja, gruaja e zhdukur katër vjet më parë në rrethana të dyshimta nga shtëpia e saj në Memaliaj. Lutemi dërgoni dikë të bëjë verifikimin”.

Të porsanjohur me tekstin e radiogramit adresuar nga Dega e Brendshme e Lushnjës, kolegët e tyre të Tepelenës, që kishin konfirmuar zyrtarisht vdekjen e saj, madje kishin identifikuar edhe vendvarrimin e saktë, e vlerësuan atë një lajthitje të rastit, më së shumti një të dhënë nga njerëz keqdashës. Gjithsesi, rregulli i detyrës ua kërkonte të bënin patjetër procedurën e verifikimit, nga e cila rezultoi se njoftimi kishte qenë i vërtetë.

Përveç çudisë së padëgjuar, relacioni i grupit të posaçëm që operoi disa ditë me radhë në Lushnjë, shtjellonte me detaje si kishte rrjedhur jeta e Ervehe Dyrmishit nga dita që ishte njohur zyrtarisht e vdekur.

“Në datën 25 korrik 1960, bëhet e ditur në dokumentin e firmosur nga Enver Rexho, prokurori që kryesoi operacionin e verifikimit, është konstatuar rastësisht se Ervehe Dyrmishi, për vrasjen e së cilës janë dënuar katër persona, është gjallë. Gjatë takimit, e pandehura deklaroi se në muajin prill të vitit 1956 ishte larguar nga banesa e të vëllait, Çerçiz Dyrmishi, dhe qysh atëherë jetonte në katundin Radat të Leskovikut, e martuar me Hetem Ilazin, me të cilin ka një fëmijë”.
Por rikthimi pas katër vjetësh i historisë së familjes Dyrmishi, rihapi të tjera telashe për autoritetet e Tepelenës, sidomos për organet e policisë dhe ato të hetimit, të cilat, me legalizimin e vdekjes së Ervehesë, i kishin mbyllur hesapet me të. Tani që e vdekura ishte shfaqur mes të gjallëve, historia rihapej në një tjetër kah. Ca më tepër që një lajm i tillë s’mund të burgosej nëpër zyra, siç operohej rëndom për ngjarje që cënonin regjimin.

Prokuroria: Të lirohen “Vrasësit”!
Të lirohen të dënuarit për vrasjen e Ervehesë! Njëherazi me urdhrin e pazakontë, Prokurori i Përgjithshëm tërhiqte vëmendjen e vartësve në gushtin e vitit ’60 “për kujdes të posaçëm dhe seriozitet maksimal në trajtim të çështjes”. Në dokumentet e kohës rezultojnë dy relacione që zbardhin dinamikën e ngjarjes në zbatim të këtij urdhri.

I pari është një raport i Degës së Brendshme të Tepelenës, që njofton se “në datën 20.8.1960 ka dalë nga burgu Çerçiz Dyrmishi, dënuar me 25 vjet, Fatime Dyrmishi, dënuar me 15 vjet, dhe Hatixhe Hasani dënuar me 20 vjet”.

Dokumenti tjetër është një material i zgjeruar i Prokurorisë së Përgjithshme që i drejtohet Komitetit Qendror të Partisë me mbititullin e çuditshëm “Lidhur me vrasjen e Tepelenës-Çerçiz Dyrmishi”. Në të, përveç refleksioneve të institucionit qendror të akuzës mbi përgjegjësinë e autoriteteve vartëse për “shkeljet e rënda të ligjshmërisë socialiste gjatë hetimeve të çështjes së Ervehe Dyrmishit”, riprodhohen në ligjëratë të drejtë pohimet e protagonistëve të ngjarjes për rrethanat në të cilat kanë pranuar një krim të pakryer.

  • Share