Veçoritë klimaterike të Skraparit

  • Share

Klima e Skraparit nuk varet vetëm prej faktorëve të përgjithshëm të klimës së të gjithë vendit por edhe nga faktorë lokalë nga tiparet e relievit, (lartësia nga niveli i detit, drejtimi i vargjeve kodrinore e malore, ekspozimi dhe pjerrtësia e shpateve), nga tiparet e bimësisë, nga largësia nga deti e shumë të tjera. Por pa dyshim, relievi luan rolin kryesor. Drejtimi i përgjithshëm i formave kryesore të relievit, vargjet dhe luginat nga juglindja deri në veriperëndim, ka përcaktuar karakterin më mesdhetar të klimës së Skraparit. Kjo sepse ky drejtim lejon depërtimin e masave ajrore të Adriatikut në brendësi të vendit tonë.

E nisur nga kjo rol të madh për nga rëndësia merr lugina e Osumit. Lugina mbrohet nga erërat veriore e verilindore falë vargut malor të fuqishëm, Tomorr – Kulmak – Miçan. Lugina e Tomorricës si rrjedhojë nuk mbrohet njësoj si ajo e Osumit. Për këtë arsye, klima në zonën e Tomorricës është më e ashpër. Por nëse deri tani flasim për një aspekt të përgjithshëm të klimës, ndryshimet mes elementëve klimatikë që ndodhin në Skrapar krijojnë tipare karakteristike të klimës të tilla si mikro-klimat.

Foto Ilustruese

Territori ku shrihet Skrapari, sipas ndarjes së përgjithshme klimatike të Shqipërisë, pozicionohet në dy zona:

  1. Klimë Mesdhetare – Kodrinore (nënzona qëndrore)
  2. Klimë Mesdhetare – Malore (nënzona jugore)
  • Zona e klimës mesdhetare kodrinore

Kjo zonë shtrihet përgjatë luginës së Osumit dhe të Tomorricës. Në luginën e Osumit, kufiri i zonës kalon në Novaj, Vërzhezhë, Qafë, Koprënckë, Malind, Rog, Rovicë e vazhdon deri në Valë nga të dy krahët. Ndërsa në luginën e Tomorricës kufiri i kësaj zone kalon në Dobrenj, Gurazez, Barç i poshtëm, Kuç në krahun e djathtë të luginës e pastaj kalon në fshatrat Mëlovë, Zaloshnje, Gjerbës e deri në Tërrovë në krahun e majtë. Zona e klimës mesdhetare kodrinore, karakterizohet për temperatura mesatare vjetore që shkojnë nga 17 – 19 Gradë Celsius. Temperaturat mesatare të janarit luhaten në kufijtë nga 5 – 6’5 Gradë Celsius, ndërsa ato të muajit korrik variojnë nga 21 – 23 Gradë Celsius.

Megjithatë në lartësitë në të cilat shtrihet kjo zonë klimatike, 200-400 metra mbi nivelin e detit, nuk mungojnë edhe temperaturat negative të cilat kanë shkuar edhe deri në -7 Gradë Celsius. Më 26.01.1954, është regjistruar në Corovodë temperatura prej -13’5 Gradë Celsius. Përgjjithësisht, kjo zonë ka mesatarisht 2-3 ditë në vit me temperatura mesatare ditore negative, 29-30 ditë me temperaturë nga 0 deri 5 Gradë Celsius. Ndërsa temperaturat mbi 10 Gradë Celsius ka mesatarisht 190-200 ditë dhe fillojnë kryesisht rreth datave 15-30 mars. Sasia e rreshjeve luhatet në shifrat 1.100 deri në 1.200 milimetra. Rreth 65% e reshjeve bien në vjeshtë-dimër. Në këtë zonë mbi 95% e rasteve me reshje, janë në formë shiu. Bora është fenomen i rrallë, mesatarisht regjistrohen 4-5 ditë të tilla.

  • Zona mesdhetare malore.

Kjo zonë shtrihet përgjithësisht mbi lartësitë 1.000 metra por kufiri i saj nuk shtrihet në të njëjtën lartësi në të gjithë territorin. Ky kufi është më poshtë, deri në lartësinë 600 metra në luginën e Tomoricës dhe të Turbohovës, dhe shkon shumë më lartë në luginën e Osumit. Karakteristikë për këtë zonë klimatike është fakti se erërat më të shpeshta janë ato juglindore, jugore e veriore. Në periudhën e verës mbizotërojnë erërat veriperëndimore. Dimri, përgjithësisht është i ftohtë. Temperaturat mesatare të muajit shkojnë nga minus deri në +2 Gradë Celsius.

Temperaturat mesatare mbi 7 Gradë Celsius, fillojnë zakonisht nga mesi i muajit prill dhe mbarojnë nga fundi i tetorit. Ndërsa temperatura e vegjetacionit, me temperaturë mesatare mbi 10 Gradë Celsius fillon në fund të dyjavorit të parë të muajit maj dhe mbaron në dyjavorin e parë të muajit tetor.

Kjo zonë karakterizohet edhe nga ditë të akullta të cilat vrojtohen që nga muaji tetor e deri në prill duke arritur në rreth 120 ditë të tilla. Temperatura mesatare e muajit korrik luhatet midis vlerave 14-16 Gradë Celsius. Kjo zonë dallohet edhe për vlera të larta të amplitudës së temperaturave ekstreme deri në 48 Gradë Celsius.Këtu bie edhe sasia më e madhe e rreshjeve të rrethit. Mesatarisht, ajo shkon në 1.400 deri në 1.600 milimetra. Në rreth 100 – 110 ditë sasia e rreshjeve shkon edhe me 1 milimetër reshje.

Fenomeni i dëborës është i përhershëm. Shtresa e dëborës fillon zakonisht në dekadën e parë të muajit dhjetor (mbi lartësinë 1.500 metra) dhe vazhdon deri në dhjetëditëshin e parë të muajit prill. Deri në lartësitë 1.500 metra, numërohen rreth 30 ditë me shtresa bore, kurse mbi këtë lartësi shkon nga 60 ditë deri në 150 ditë.

  • Analiza e elementëve klimatikë.

Të dhënat e buletinëve hidro-meteorologjike, që përfshijnë periudhën e pandërprerë nga viti 1931 deri në vitin 1989 si edhe dhjetëvjeçarin e viteve 90′ u mbështetën për këtë të fundit edhe në vrojtime personale, sepse siç dihet, vala e shkatërrimeve të viteve 90′ nuk kurseu as stacionet hidro-meteorologjike që mund të jepnin të dhëna më të sakta për këtë 10-vjeçar.

  • Rrezatimi diellor.
Foto Ilustruese

Mesatarisht, sasia vjetore e energjisë diellore që bie mbi çdo centimetër katror së sipërfaqes horizontale të rrethit të Skraparit është llogaritur në vlerën 107 kkal. Kjo sasi është më e vogël se mesatarja e sasisë së rrezatimit diellor që merr gjithë territori i Shqipërisë. Megjithatë, në varësi të përkundrejtimit të shpateve si edhe të pjerrësisë së tyre, duket se shpatet me përkundrejtim juglindor marrin sasi më të madhe të energjisë diellore.

  • Rrezatimi i drejtëpërdrejtë diellor.

Intesiteti i rrezatimit të drejtëpërdrejtë, në muaj të ndryshëm dhe për breza të ndryshëm lartësie, në Skrapar ndryshon në mënyrë graduale. Kështu në lartësinë deri në 800 metra mbi nivel deti, intesiteti i drejtëpërdrejtë, në muajin janar në orën 12:00 ka vlerën mesatare 1.265 kal/centimetër katror/minutë, ndërsa në muajin korrik është 1.285 kal/centimetër katror/minutë. Që prej muajit janar e deri në muajin korrik, vlerat vetëm rriten dhe pas këtij muaji ato ulen përsëri.

Gjatë një 24 orëshi, vlerat e rrezatimit të drejtëpërdrejtë diellor pësojnë rritje nga ora 08:00 deri në orën 12:00. Përtej kësaj ore fillojnë rënien duke kapur vlerat më të ulta në orën 16:00 në janar dhe në orën 18:00 në muajin qershor.

  • Temperaturat e ajrit.

Megjithëse numri i vendmatjeve është relativisht i pakët ( i pakët për të kryer vrojtime të gjata shumëvjeçare) janë vetëm tre të tilla: Çorovodë, Potom dhe Ujaniku. Me rritjen e lartësisë, temperaturat ulen në mënyrë të dukshme dhe kjo vihet re në të gjithë territorin. Në zonën e ulët, deri në lartësitë 600-700 metra, temperaturat mesatare vjetore nuk zbret nën 13-14 Gradë Celsius, kurse në lartësitë deri në 1.100 metra ajo varion mes 8-10 Gradë Celsius. Duke ndjekur vlerat mesatare muajore shumëvjeçare të temperaturave së ajrit, vëmë re se ecuria e këtij treguesi gjatë një viti përfaqëson një kurbë me kulm në muajin gusht dhe me pikën më të ulët në muajin janar. Në ecurinë e temperaturës mesatare vjetore dallojmë disa tipare:

Foto Ilustruese

Temperaturat mesatare vjetore në Skrapar nuk e kanë dukuri uljen e temperaturave deri në vlera negative. Përgjithësisht vlerat më të ulëta të saj lëkunden nga 0.6 deri në 5.7 Gradë Celsius, kurse vlerat më të larta nga 17.5 Gradë Celsius deri në 23 Gradë Celsius. Rritja e temperaturës mesatare fillon gradualisht nga muaji janar dhe merr vlerën më të lartë në muajin gusht. Në gusht fillon ulja graduale e temperaturës. Megjithëse ky proçes, është një ligjësi e përgjithëshme, shpejtësia e ndryshimit të temperaturave nga njëri muaj në tjetrin nuk është e njëjtë. Kështu diferencat më të vogla i vërejmë midis muajve janar-shkurt. Midis këtyre muajve ato shkojnë nga 0.1 deri në 1.1 Gradë Celsius.

Në muajt prill – maj, ndryshimi arrin vlerën më të madhe nga 4.1 deri në 5.7 Gradë Celsius. Midis muajve maj – qershor – korrik ajo arrin vlerat më të ulëta dhe në muajt korrik-gusht arrin minimumin e dytë (0.1 deri 1.1 Gradë Celsius). Pas muajit shtator rifillon rritja e ndryshimit duke kapur vlerën më të madhe në muajt tetor-nentor, 4.6 deri 5.0 Gradë Celsius.

Edhe përsa i përket vlerave të amplitudës mesatare, ato nuk janë të mëdha. Ato qëndrojnë në kufijtë 17-18 Gradë Celsius. Ecuria e temperaturave dekadike të ajrit për periudhën e dimrit, në asnjë rast nuk arrin vlera negative, (ndodhin më tepër në dekadën e parë dhe pjesërisht tek e dyta e muajit janar). Këto vlera luhaten nga 0.5 Gradë Celsius në Ujanik deri në 5.5 Gradë Celsius në Çorovodë. Nga dekada e tretë e janarit deri në dekadën e tretë të shkurtit, vërehet një qëndrueshmëri e vlerave të temperaturës. Përjashtim këtu bën dekada e dytë e shkurtit ku zakonisht ka një ulje të temperaturës.

Muajt pasues shoqërohen në rritje të vazhdueshme të temperaturës nga dekada në dekadë. Kjo dukuri vihet re deri në muajin maj. Në muajt qershor – gusht, vlerat e rritjes vijnë duke u zvogëluar. Në dekadën e dytë të gushtit, ato shuhen dhe fillon proçesi i uljes së temperaturave dekadike. Ky proçes vazhdon deri në dekadën e dytë të janarit. Vlerën më të lartë ato e arrijnë në dekadën e tretë të tetorit deri në 2.8 Gradë Celsius. Vlera më e lartë të temperaturës mesatare shihet në muajin gusht (në Ujanik) 18.6 Gradë Celsius dhe në Çorovodë 24.3 Gradë Celsius.

Përgjatë luginës së Osumit deri në lartësitë 650 metra mbi nivel deti, rifillimi i vegjetacionit në pranverë, ndodh në minimumin biologjik 7 Gradë Celsius (ku edhe 6 është i mundshëm e gjejmë në dekadën e parë të janarit) dhe në zonat mbi 650 metra në dekadën e tretë të marsit. Në vite të veçanta, vonesat e fillimit të vegjetacionit në pranverë nuk i kalojnë të 30 ditët nga data mesatare.

Ndërsa temperaturat deri 7 Gradë Celsius, vijojnë deri në mesin e dekadës (dhjetëditëshit të dytë të dhjetorit), për zonën deri në 650 metra e deri në dekadën e tretë të nëntorit mbi këtë lartësi.

  • Temperaturat maksimale apsolute.

Vlerat më të larta të temperaturës maksimale apsolute, të cilat në zonën e ulët të Skraparit ( deri në 600 metra) arrijnë deri në 42 Gradë Celsius, vrojtohen zakonisht në muajt korrik – gusht dhe lidhen padyshim me sasinë e madhe të energjisë diellore. Këto temperatura vihen re, si në luginën e Osumit ashtu edhe në atë të Tomoricës dhe të Turbohovës.

Rastisja e ditëve me temperaturë maksimale mbi 30 Gradë Celsius, në zonën e ulët të Skraparit, rregullisht fillon në dekadën e parë të muajit maj dhe vazhdon deri në dekadën e dytë të tetorit. Vlera më e madhe e këtyre ditëve është në dekadën e parë të muajit gusht, ku regjistrohen 7 ditë të tilla. Ndërsa për zonën e lartë ( mbi 600 metra) rastisjet e temperaturave nuk arrijnë as në dy ditë.

  • Temperaturat minimale apsolute.

Minimumi apsolut i temperaturës lëviz nga -15.7 Gradë Celsius në Çorovodë deri në -18.8 Gradë Celsius në Ujanik. Sipas të dhënave konstatohet se minimumi apsolut vrojtohet që në dekadën e dytë të tetorit, ku temperaturat qëndrojnë në vlerën e 0 Gradë Celsius, ndërsa në zonën e lartë ato kapin vlerën -2.5 Gradë Celsius deri në 3.5 Gradë Celsius. Për zonën e lartë si në Ujanik apo Potom, vlerat më të ulëta të temperaturës vrojtohen në muajt e pranverës ( prill – maj ) dhe gjatë vjeshtës ( tetor ).

  • Reshjet.

Për Skraparin, rregjimi i rreshjeve është i tipit mesdhetar: me një minimum në muajt e verës dhe maksimum në muajt e dimrit. Rregjimi i tyre është i lidhur ngushtësisht me veprimtarinë e cikloneve dhe anticikloneve, me relievin etj. Por faktori kryesor mbetet relievi, lartësia mbi nivelin e detit. Me rritjen e lartësisë rritet edhe sasia e rreshjeve. Kështu që në Çorovodë ( 350 metra mbi nivel deti ) sasia mesatare shumëvjeçare është 1.100 – 1.200 mm reshje në vit, në Nishicë 1.300–1.400 milimetra, në Çepan 1.300 milimetra, Potom 1.500 milimetra, Ujanik 1.400-1.500.

Përsa i përket shpërndarjes kohore të reshjeve do të theksojmë se muajt më të lagësht janë nëntori e prilli dhe ata më të thatët janë korriku dhe gushti. Lartësia e reshjeve të muajve korrik dhe gusht së bashku përbëjnë nga 13.5% deri në 23% të reshjeve të muajit nëntor. Vjeshta dhe dimri janë stinët më të lagështa. Gjatë muajit nëntor bien mesatarisht 15% e sasisë vjetore të reshjeve pas tij vjen dhjetori me 14% të sasisë vjetore.

Në ecurinë shumëvjeçare të reshjeve në muaj apo vite të ndryshëm kanë qënë mjaft më të ulëta se mesatarja shumëvjeçare. Në muajin nëntor të vitit 1967 kur në Çorovodë kanë rënë 19% e mesatares së rreshjeve së këtij muaji apo në nëntor të vitit 1978 në Ujanik kanë rënë 12%, në Zaloshnje 28% të mesatares shumëvjeçare së rreshjeve.

Por nuk mungojnë as rastet kur në stinën e thatësirës të kemi raste lagështie të lartë. Kështu muaji korrik i 1972 është dalluar për rreshje të bollëshme. Në Çorovodë, Barç, Ujanik e Potom janë rregjistruar këto shifra përkatësisht 245%, 320%, 213% dhe 315% të mesatares së reshjeve shumëvjeçare. Dhe jo vetëm në këtë vit por edhe në 1960, 1979, 1981 etj. Ndërsa vitet 1961, 1975, 1977, 1984, 1993 etj, përmenden për reshjet të pakta.

Përsa i përket asaj që quhet thatësirë, muaji karakteristik është korriku me 26 ditë të tilla, ndërsa më e vogla ka zgjatur në nëntor me 7 ditë. Në periudhën 1947-1985, janë vrojtuar deri në 141 ditë pa reshje. Reshjet maksimale janë regjistruar në vitin 1974 kur ka pasur 132 ditë të tilla ose 25 ditë më shumë se mesatarja shumëvjeçare (1931-1999), ndërsa në vitin 1957 janë vrojtuar ditët më të pakta vetëm 67 ose 40 ditë më pak.

  • Bora.

Eshtë një fenomen i zakonshëm në rrethin e Skraparit. Në zonën deri në 600 metra ajo arrin deri në lartësinë 10 -15 centimetra, ( në vite të veçanta) kurse për zonën e lartë ajo e kalon këtë lartësi. Megjithatë në përgjithësi për pjesën më të madhe të rrethit ajo është më tepër një dukuri sesa një problem. Referuar vendmatjeve të Çorovodës, Ujanikut, Koritës dhe Nishicës, fillimi i borës në lartësitë mbi nivel det deri në 1.000 metra është dukuri e fundit të dekadës së dytë të dhjetorit kjo në 47% të rasteve. Ndërsa, mbarimi i saj në 50% të rasteve është në fund të dekadës së dytë të marsit.

Foto Ilustruese

Ndërsa në lartësitë mbi 1.000 metra, bora fillon në fund të dekadës së dytë të nëntorit, në rreth 50% të rasteve dhe mbaron në dekadën e dytë të prillit në rreth 45% të rasteve.

Numri mesatar i ditëve me borë, për periudhën shumëvjeçare është në Çorovodë 3-4 ditë, Potom 20 ditë, Ujanik 30 ditë, Çepan 16 ditë, Barç 11 ditë, Zaloshnje 19 ditë. Pas periudhës shumëvjeçare, numri i ditëve me reshje 0.1 milimetra dhe 10 milimetra ( 0.1 dhe 10 milimetra ), luhatet në dimër nga 30 në 40 ditë, në pranverë nga 30 në 35 ditë, në vjeshtë nga 22 në 30 ditë dhe në verë deri në 9 ditë të tillë. Si muaj me numrin më të vogël të ditëve me reshje e kanë muajt korrik-gusht me 55% të gjithë numrit të ditëve me reshje të verës. Ndërsa muajt më me shumë ditë me reshje janë nëntori dhe dhjetori.

Numri mesatar i ditëve me reshje mbi 10 milimetra arrihet në muajt e vjeshtës dhe të dimrit në mënyrë të veçantë nëntori dhe dhjetori, kjo për të gjithë zonën.

  • Lagështia relative.

Ecuria ditore e vlerave mesatare është një lakore me maksimumin në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes dhe me vlera më të ulëta se në orët e mesditës. Ndërsa lakorja e vlerave vjetore një lakore me vlera më të ulëta në muajt e verës dhe më të larta në muajt e dimrit. Për t’u theksuar është fakti se vlerat mesatare të saj janë në shifrat 60-70% si në zonën e ulët të rrethit ashtu edhe në atë të lartë. Edhe amplituda vjetore e vlerave mesatare luhatet në kufijtë nga 10% deri në 18%. Vlerat më të larta i gjejmë në periudhën nëntor – dhjetor – janar, 70-75% ndërsa ato më të voglat nga dekada e tretë e qershorit deri në dekadën e dytë të gushtit, 57-63%.

  • Defiçiti i lagështirës.

Vlerat mesatare më të larta hasen në periudhën nga dekada e dytë e korrikut deri në dekadën e parë të gushtit. Përgjithësisht, vërehet një thatësirë e ndjeshme e ajrit në të gjithë territorin e Skraparit. Me rritjen e lartësisë, defiçiti i lagështirës pëson një ulje prej 1 milibar.




  • Share