Nga Radëshi i Skraparit në Turqi. Sipërmarrësi kishte mbi 2000 të punësuar në administratën e tij. Pasuria. Kush ishte Jahja Satka?

  • Share

Për 30 vite ai ishte Kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Turke. Një sipërmarrës i suksesshëm që madje asaj kohe kërkoi ti dhuronte Shqipërisë një seli të tërë për ta përdorur si ambasadë në Ankara, Stamboll ose në Izmir, ku Shqipëria vetëm duhej të zgjidhte vetëm qytetin se ku do të donte t’a kishte ambasadën. Por kjo nuk u pranua nga Shqipëria e atyre viteve.

Ai quhej Jahja Satka. Lindi në vitin 1902 në Skrapar, Shqipëri. Në vitin 1920 u martua në Shqipëri me Xhevri Satkën. 5 vite më vonë, në vitin 1925 ai emigron drejt Turqisë ku filloi të punonte në ndërtim. Shumë shpejt ai do të bëhej një nga sipërmarrësit e suksesshëm shqiptar në Turqi në industrinë e ndërtimeve. Në vitin 1963 Jahja Satka merr shtetësinë turke duke vijuar të ketë sukses në punën e tij. Vetëm punonjës së administratës së firmës së tij ishin rreth 2 000 persona ndërsa punëtorë në total në bizneset e tij numëroheshin rreth 25 000 punonjës Ai ndërtoi shumë objekte të rëndësishme në Turqi si Godinën Metropolitane të Bashkisë së Stambollit, Qëndrën Kulturore Ataturk, 2 stadiume, Spitalin Vakıf Gureba, Drejtorinë e Përgjithshme të Operacioneve Detare, Selinë e Bankës Yapı Kredi e shumë e shumë vepra të tjera. Shumë shpejt ai u bë një ndër njerëzit e pasur në Turqi. Në vitin 1972 martohet në Turqi me shërbëtoren e tij, e cila ishte 24 vite me e vogël se ai. Ajo quhej Naxhije Ozer dhe ishte punësuar prej tij në 1951 si shërbëtore në shtëpinë që ai kishte në Yenikoy. Pak vite pas martesës ai do të bënte testamentin e tij. Pas një sëmundje, Jahja Satka do të shkonte në spitalin Vakif Gureba. Në 9 korrik 1975 ish-shërbëtorja (që do t’a kishte grua në Turqi), Naxhije Ozer, kërkoi që ndaj tij bëhej një kontroll mjekësor nëse gjendja e tij ishte e aftë për të bërë një testament. Në këtë raport u tha se ” Satka mund të jetë në një gjendje që ka nevojë për sygjerime intelektuale”. Duke qënë se ky vlerësim nuk ishte i mjaftueshëm për të kuptuar nëse ai ishte i aftë për të bërë testamentin, Jahja Satka u rivlerësua nga Zyra Mjeksore Shtetërore e Sariyer në 1 tetor 1975 e cila arriti në konkluzionin se “Jahja Satka mund të bënte një testament”. Menjëherë, në të njëjtën ditë, një noter u thirr në shtëpinë ku banonte në Yenikoy ku Jahja Satka i linte gruas turke Naxhije Ozer shtëpinë në Yenikoy dhe një Banesë ne Besiktas. Por disa pasuri ishin harruar nga testamenti. Në 26 maj 1976 në prani së të njëjtit doktor dhe noter u bë një shtesë në testament, ku toka në Yenikoy ku ndodheshin 25 vila dhe apartamenti në Galatasaray Jahja Satka do ja jepte sërisht gruas turke Naxhije Ozer. Një vit më vonë, në 22 mars 1977 Jahja Satka ndahet nga jeta.

Më pas historia merr një kthesë tjetër nga ku do të niste një sagë të gjatë e shumëvjeçare gjyqesh për pasurinë Jahja Satkës. Gjykata Magjistrale e Sariyer hap një padi për trashëgiminë e Jahja Satkës. Padia u hap pas një letre të dërguar nga Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Stamboll ku thuhej se “martesa e Jahja Satkës në Shqipëri, vazhdonte”, çka do të nënkuptonte se trashgimtarët e vërtetë të pasurisë së tij do të duhej të ishin Xhevri Satka (gruaja e Jahja që prej 1920) dhe Hatem Satka ( i vëllai i tij).

Bëjmë një shkëputje të vogël mes këtyre viteve. Shkojmë Radësh, një fshat i Skraparit dhe jemi në vitin 2004. Regjizori Esat Teliti, realizon një film-dokumentar të titulluar “Besa e Jahjait” ku skenarist i filmit ishte poeti Xhevahir Spahiu. Dokumentari i’u kushtua jetës dhe veprës  së ndërtuesit e atdhetarit Jahja Satka. Regjimi i diktaturës në Shqipëri, nuk pranonte ndihma nga jashtë edhe pse Jahja Satka donte të falte nga pasuria e vet pasi ishte një shqiptar, ndër më të suksesshmit në Stamboll e mbarë Turqinë. Në dokumentar që u promovua fillimisht në kinema Millenium 2 në Tiranë, jepet drama dhe malli i Jahja Satkës për të parë njerëzit e zemrës dhe vendlindjen e tij të dashur e të paharruar, fshatin Radësh në Skrapar.

Në Shqipëri sapo kishte mbërritur demokracia. Lajmi i pasurisë së madhe së Jahja Satkës, nuk mund të kalonte pa vëmendjen e shtuar të banorëve por pse jo dhe mediave të asaj kohe. Flitej për trashëgimtarë emra dhe mbiemra. Në muajin prill të vitit 1993 Xhevrije Satka, hap një padi në Gjykatën e Rrethit Skrapar me objekt kundërshtimin e një dokumenti të dalë nga Këshilli Ekzekutiv i Rrethit Skrapar me numër 116 datë 20 tetor 1964. Në vitin 1994 Xhevrije Satka bashkëshortja e Jahja Satkës ndërron jetë. Padie e ngritur prej saj, tregoi befas një sistem gjyqësor që bëri më pas shumë gabime proceduriale e nga ku solli një sërë problematikash.

Në korrik 2021, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë njohu një shumë prej 400 000 dollarë amerikan që duhet ti jepet trashëgimtarit të pasurisë së Jahja Satkës, Veri Satkës.
Një shkrim nga: Fatjon Kaloci @corovodaonline 2022
Burime:
* Vendim 94 Gjykata e Lartë 28.07.2021
* Vendim Sagiroglu.av.tr
* Gazeta “Sabah”
* Gazete “Vatan”


  • Share