More, po si quhet banori i Skraparit? (Skrapali, Skraparli, Skrapalli apo si…?) – nga Viktor Bakillari

  • Share

Në fjalën që mbajti Viktor Bakillari në Muzeumin Historik Kombëtar / Tiranë, më 8 tetor 2022, me rastin e përurimit të librit “Visare të Skraparit”, libër i cili nuk duhet të mungojë në asnjë bibliotekë shtëpiake, fjalë të cilën ne e sollëm të plotë në portalin tonë, shumë lexuesve të portalit tonë u kishte bërë përshtypje se përse autori nuk kishte përdorur për banorin e Skraparit emrin Skrapali / Skraparli / Skraparlli, por SKRAPARAS. Portali “Corovodaonline” iu drejtua autorit të na jepte shpjegime lidhur me këtë çështje. Ai, pa vonesë, pati mirësinë dhe na u përgjigj. Ne po e publikojmë të plotë përgjigjen e tij.

Para pak kohe, më 08.10.2022, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar / Tiranë, në kuadrin e njëveprimtarie të organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”mbajta një kumtesë lidhur me përurimin e librit tim“ VISARE TË SKRAPARIT” (Tiranë, Albatros, 2008),
Këtë kumtesë e publikoi edhe portali më i madh i Skraparit “Çorovodaonline” i administruar nga një bir i asaj treve, nga një Skraparas idealist; Fatjon Kaloçi quhet.
Shumë komentuesve nuk u kishte bërë përshtypje shkrimi, por ishin kapur, a thua sikur të ishin gjuhëtarë, te fjala “SKRAPARAS”.
Kishte nga ata që më bënin vërejtje; të tjerë që pajtoheshin me këtë vërejtje, të tjerë që më “ndreqnin” të tjerë që ma merrnin për gabim të madh, dhe, sigurisht, të tjerë që kërkonin me mirësjellje sqarime të mëtejshme. Po, më mirë kështu. Përfitojmë nga rasti që të sqarojmë njëherë e mirë këtë çështje të mprehtë, me ndjeshmëri të lartë sa qytetare, aq edhe shkencore.
Qëndrimi dhe arsyetimi ynë:
Gjuha shqipe ka 1001 çështje ende të pasqaruara, ose edhe të trajtuar ajo me akribi shkencore.
Për hir të banorëve të Skraparit, pasardhës Dasaretësh, për hir të banorëve të asaj treve me rrënjë autoktone shqiptare, por edhe për vënien në dijeni të institucioneve akademike, zyrtare, fjalorhartuese, sqarojmë si më poshtë.

Unë jam marrë jo gjatë, por shumë gjatë, me Skraparin. Kam lexuar, kam hulumtuar, kam pyetur njohës të mirëfillte të lëndës.
Sipas veprës“FJALOR I GJUHËS SË SOTME SHQIPE (Tiranë, 1980) për banorët e Skraparit gjejmë tekstualisht:
SKRAPARLLI m. sh. -NJ, – NJTË. Banor vendës i krahinës së Skraparit ose ai që e ka prejardhjen nga Skrapari.
Vërejmë, pa aspak kënaqësi, se mungon forma femërore.
Sipas veprës “ FJALOR I GJUHËS SHQIE” (Tiranë, 2006) kemi:
skraparli,-u m. sh. -nj(të) banor vendës i Skraparit ose me prejardhje nga Skrapari.
Siç vihet re, shkronja dyshe LL nga Fj.1980 në Fj.2006 është rinuar, krasitur ose ka firuar; ka kaluar në L.
Në fakt, më mirë është bërë. Ajo LL-ja është shumë timpanshpuese, shumë plakarake.
Por nuk mbaron me kaq.
Në zërin më poshtë kësaj fjale pasqyrohet gjinia femërore në formën: skraparllésh/ë,-a f. sh. -a(t).
Pra, Fj. 2006, “skraparllinjtë” i ka bërë “skraparlinj”, ndërsa femrat kanë mbetur me ll (skraparllesh/ë, ~a).
Ecim më tej:
Në veprën leksikografike “ FJALOR DREJTSHKRIMOR I GJUHËS SHQIPE” (Tiranë, 2011), f. 544, hartuar nga profesorët Ali Dhrimo dhe Rami Memushaj gjejmë:
Skra-pàr, ~i m.
skra-pàr-lésh/ë, ~ f., sh. ~a, ~at;
skra-pàr-li, ~u m., sh. ~nj, ~nj-të;  ~un, ~nj-ve, ~ njsh;
skra-pàr-li/e, ~a f., sh. ~et; e-je skraparleshë.
Vini re, pra se çfarë lëmshi i korkolepsur është.

Vazhdojmë:
Banorët e Skraparit, sigurisht populli i njeh me fjalën skrapali / skraparli, (skrapalli/skraparlli)dhe fem. skrapalie / skraparlie ose skraparlleshë (femër nga Skrapari e bëshme, e kolme).
Është fakt i njohur që prapashtesa turke-lli, është e gjuhës së folur dhe në gjuhën e shkruar kjo prapashtesë është / duhet zëvendësuar nga prapashtesa -as. Kështu ne themi në gjuhën e folur Skrapali/Skraparli/Skraparlli, por duhet të shkruajmë Skraparas;
Ne themi, por edhe shkruajmë,këngë, valle, tradita skraparase, atëherë, përse të mos pasqyrohet në gjithçka që shkruhet dhe në media Skraparas?
Prandaj, do të dëshironim të rekomandonim që, sidomos, në gjuhën e shkruar duhet të gjejë zbatim VETËM fjala SKRAPARAS / skraparase / dhe në numrin shumës: skraparas,-it / skraparase,-t, duke dëbuar prapashtesën turke –(l)li, relativisht të rëndomtë për veshin.
Si përfundim:
Prapashtesa li (apo lli) te fjala Skraparlli, është prapashtesë turke.
Vërtet, mund të na thonë se e gjejmë në pika referenciale (fjalorë), por mos kujtoni se edhe fjalorët janë të pagabueshëm, njerëz i kanë bërë edhe ata.
Shqipja ka prapashtesat e saj për fjalëformime nocionesh të tilla.
Për rastin në fjalë, fjalëformimi sipas formës Skraparlli (Devolli, Elbasanlli) ka një karakter përdorimi popullor dhe arkaik, aspak bukurtingëllues dhe nuk i përshtatet normave të shqipes letrare dhe zyrtare (administrative).
Kjo mënyrë fjalëformimi ka qene krejt e panevojshme për t’u pasqyruar në gjuhën e shkruar, në atë standarde, prandaj ngulmojmë që kjo formë jo të mënjanohet, por të zbythet dhe t’i lërë hapësirë rritjeje dhe zgjerimi formës me -as: Skraparas.
Rastet e fjalëve që emërtojnë banorët me –li, -lli(nj) janë shmangie të rënda fjalëformimi, prandaj duhen hedhur pa keqardhje në koshin e mbeturinave të shqipes dhe të gjejë zbatim forma natyrore e brendshme e fjalëformimit të shqipes: Pra: Skraparas (Elbasanas…).
Shtypi i shkruar (në letër dhe ai elektronik), media (radioja, televizioni), administrata, brezi i ri, por edhe fjalorhartuesit duhen të ndërgjegjësohen se forma e fjalëformimit për emërtime të tilla duhet të jetë shqiptare e jo e huaj (turke në rastin konkret), pavarësisht disa referencave, pavarësisht traditës së shkrimit deri tani.
Aksioni për pastrimin e shqipes nga turqizmat ende nuk ka përfunduar!
Vazhdojmë të pastrojmë shqipen nga barërat e këqija.
Miq,
Larg turqizmave nga gjuha e Naim Frashërit!
Viktor Bakillari @fatjonkaloci

  • Share