Me Skraparin kudo me vete, në mendje dhe në zemër – Fjala e plotë e autorit Viktor Bakillari, në ceremoninë e përurimit të librit “Visare të Skraparit” në Muzeun Kombëtar – Tiranë 8/10/2022

  • Share

Mirë se keni ardhur dhe Ju ngjatët jeta, miq të dashur!
Na paskësh marrë malli, na paskësh marrë etja shumë, për t’u takuar e tubuar bashkërisht.

U bë kohë që nuk jemi mbledhur kështu. Ky qerrata fat, paska dashur që të mblidhemi për një libër për Skraparin tonë. (Në fakt nuk është Skrapari yni, jemi ne të atij!) Po mblidhemi për një libër-thesar që po bën kohë që është botuar. Për arsye objektive u shty e u shty deri sot. Dashamirët mund të na kuptojnë e të na falin. Gërnjarët mund të thonë: Si kofini pas së vjeli. Po punë e madhe!

Po ju e dini, ne e kemi hazërxhevapin në majë të gjuhës: Më mirë vonë se kurrë…. Për ata që s’u duket gjetje, po vazhdoj: Vera e vjetruar është më e mirë. Ky libër tashmë është si verë e vjetruar. Dhe ja tek jemi, plot e të bashkuar. Për vlerat e këtij libri folën profesorët tanë të nderuar: Zyhdi Dervishi (Tiranas autokton) dhe Sazan Guri (Skraparas 24-karatësh), të cilët përfitoj nga rasti t’i falenderoj përzemërsisht. Tani, organizatorët më kanë caktuar edhe mua të them dy fjalë. Unë do të përpiqem që të them nja dy gjëra periferike, pak a shumë si shënime në fund të faqes, sepse mënyra më e mirë për të njohur botën e brendshme etnokulturore të Skraparit është leximi kryefund i këtij libri. Është “mëkat” do të thosha të mungojë ky libër-thesar në bibliotekën tuaj.

Po ia nis me diçka vetjake.
Të flasësh para publikut është një nga frikat më të mëdha të njeriut. Dhe kjo lloj frike është e njohur madje edhe shkencërisht. Quhet:

1. Ereutofobi,-a em. f. = Frikë patologjike se mos skuqesh para publikut. (Vjen nga greqishtja. “ereuto = (unë) skuqem” dhe nga termi “fobi=frikë e madhe“).

2. Ereutofob, -i em.m. (edhe si mbiemër) = Njeri që skuqet, kur del para një grupi.
(Pa shikoni, a jam skuqur ndopak? Mos kujtoni se e kam faqen shollë. E po normale, në fund të fundit vetë e kam fajin, mirë më ka gjetur, përderisa nuk jam aq i aftë sa t’ju detyroj të më jepni pak zemër.)

Pra, dua të them se, kush flet para një publiku të përzgjedhur, qofshin edhe të njohur, kaplohet nga emocione të forta, sado i sprovuar. Ç’dua të them me këtë: Të flas në fakultet para studentëve, eprorëve, nuk e kam aspak të vështirë, sepse jam njohësi më i mirë i lëndës në fjalë. Por të flasësh për Skraparin para Skraparasve që njohin shumë mirë tiparet, karakterin, botën e brendshme të tij nuk është aspak e lehtë. Vështirësia, domethënë emocionet, shtohen kur njeh shumë miq e shokë që s’ua ha qeni shkopin. Po ka edhe më. Të flasësh para familjes, kushërinjve, më besoni, qenka edhe pak më e vështirë nga ç’e përfytyroja; nuk qenka shumë e lehtë. Zakonisht, një lajm familja e merr vesh e fundit. Dje, i thashë sime shoqeje: “Nuse, ti shko në Durrës te prindërit!“… Kur, si me porosi, më merr në telefon një nga ju për hollësitë lidhur me përurimin e librit. Qëlloi të isha bashkë me time shoqe. Burrë, -tha. sot do të ndjek përurimin e librit, pastaj do të shkoj në Durrës.
Po ik, moj nuse, i thashë, lëre përurimin.
Jo, nguli këmbë, dhe ju e dini fuqinë e jo-së femërore, dhe tani, keni parë ju, ndjek gjithë kërshëri, bashkë më njerëz të tjerë të familjes dhe me kushërinj, gjithë sy e veshë se ç’do të them unë, se ç’do të broçkullis, a do të kapë ndonjë nga marrëzitë a gafat e mia zinxhir… Ishte thjesht një gjysmë e vërtetë sa për të shpërgjumur disa që janë lodhur tej mase, ngaqë mund të kenë bërë jetë nate…

Të dashur miq Skraparas dhe miq të Skraparasve!

A e dini se kemi fituar një nam sikur jemi si farat e hithrës, si mizat e lisit, si koloni milingonash, si zajet në lumin e Tomorricës e të Osumit?
Kudo ku shkon, has, ndesh Skraparas. Të paktën ky perceptim është në popull.
Kudo që të trokasësh, ta hapin derën ose të ngrihen në këmbë e të shërbejnë me dinjitet Skraparas.
Shkoj një ditë prej ditësh para pak muajsh me autobus nga Tirana në Durrës. Në ndenjësen dyshe qëllon një zotëri nga Veriu. Sa u nis autobusi, nisëm muhabetin, ç’të bënim tjetër më të mirë? Pasi më pyeti nga isha dhe pasi mori përgjigjen, (vdesim ne Shqiptarët për të njohur tjetrin nga është), ky bashkudhëtari ma pat jo pa habi, madje edhe me pak qesëndi:
– More majk, more po sa “milionë” jeni ju të Skraparit në Shqipëri?
– Ia kthej: Komuniteti ynë këtu në Tiranë, njashtu edhe në Durrës, or lum miku, është sa është, po më i madh se juaji nuk është.
– More, po kudo, në çdo institucion shtetnor që të shkosh, do të gjesh dorën tuaj – vijoi miku verior: Nuk ka drejtori, zyrë, institucion, fakultet, spital, ministri pa dorën tuaj, tha – duke i mëshuar fjalës ministri.
I thashë, ngadalë: Dale zotrote, -se harrove edhe presidencën, – por institucionet janë me gishta, or mik, – ia kthej, – nuk janë të pafundme, por ne, Skraparasit, nuk jemi vërtet shumë, por thjesht jemi cilësorë, prandaj dukemi shumë. E ç’t’i thosha tjetër? Po kumuniteti juaj nuk ka parë ndonjë të keqe nga yni, përkundrazi…; juaji me tonin shkojnë si jo më mirë.

Kopertina e Librit “Visare të Skraparit” Botim i Shtëpisë Botuese “Albatros” 2008

Vazhdojmë me një temë tjetër: me rakinë. Pu-pu-pu!, – do të thonë disa: Janë mbledhur Skraparasit dhe po flasin për rakinë. Po, or po, me rakinë.

Rakia në Skrapar nuk është thjesht vetëm një pije burrash, por pjesë e qenësishme e një institucioni më vete siç është dollia. Rakia në Skrapar nuk konsiderohet thjesht pije alkoolike, por ilaç (me masë), nuk është drogë, por eliksir dhe kur bën zap veten, katalizator muhabeti. Skrapari nuk ka piranikë, nuk ka pirashë, pijanecë jo e jo; ai ka pijetarë. Mos i’a hiqni këtë epitet dhe punoni fort me veten për të qenë vetëm të tillë! Për Baba Tomorr, mbajeni dhe mbrojeni me dinjitet termin-virtyt “pijetar”, se nuk ka ulje e përçmim më të madhe për një burrë nëse fyhet e poshtërohet me cilësorin/epitetin pijanec. Pra: Pijetar, po, pijanec?, – ia piftë dreqi në bark! Po ku kanë fund historitë e ndodhitë e Skraparasve me rakinë!?
Mësa ka shtëpi pa çati, aq ka Skraparli pa raki në shtëpi a që s’di të ngrejë dolli me fjalët: – Hajde, gëzuar! ju paça e më paçi! – urojmë kudo.

Rakia e Skraparit, bashkë me konjak “Skënderbeun” kanë pasur pasaportë për jashtë shtetit më herët se pjesa dërrmuese e Shqiptarëve, hiq ndonjë rast të veçantë si puna e ambasador Çlirim Çepanit. Ambasador Çlirim Çepani, një ndër më seriozët, më të aftët dhe më të devotshmit që ka nxjerrë Shqipëria, i ka çuar kubanit Fidel Kastro, i cili drejtoi për 50 vjet “Shqipërinë e Karaibeve” (pra, Kubën) raki Skrapari, bakllava, gjithashtu. Edhe bakllavanë e qajnë amvisat duararta e pastërtore skraparase.

Në vitin 2017, një djalë Skrapari, Lukas Shehu quhet, u përzgjodh nga juria djali më simpatik dhe me kostumin popullor më të bukur, në një konkurs ndërkombëtar. Pas shpalljes fitues, Skraparasi i ofron rakinë tonë jurisë, e cila befasohet dhe e vlerëson së tepërmi.

Lukas Shehu / Top Channel 2017

Tani unë do t’ju tregoj për një imtësi, se përse cakëllojmë gotat e rakisë. Fjala cakëlloj ka kuptimin çokas, trokas gotat e rakisë. Nuk ka lezet të mos e dijë një Skraparas këtë. Është shumë domethënëse. Kur na vjen miku në shtëpi, tek ne i nxirret kafe, llokume, duhan, raki. Dhe normalisht i zoti i shtëpisë cakëllon gotën me mikun. Përse, pra, e bën një veprim të tillë? – do të pyesni ju?
Përgjigje: Është thjesht drejtësi për organet e shqisave të njeriut.
Ç’do të thotë kjo?
Njeriu ka 5 shqisa:
Të parët: Zakonisht miku ose i zoti i shtëpisë mbyll shishen dhe e tund që të duken rruazat, zinxhiri.
Të nuhaturit: Kur pimë raki, domosdo përhapet amësim, pra aroma e rakisë.
Kemi shqisën e tretë: Të prekurit: Sigurisht, e prekim gotën, e marrim në dorë.
Kemi shqisën e katërt: Të shijuarit. Menjëherë sa e rrëkëllejmë jemi në gjendje të japim mendimin, opinionin për cilësinë e rakisë.
Na mbetet pra vetëm një shqisë jashtë. Kjo është të dëgjuarit. E pra, për kënaqësinë e veshëve, që kjo shqisë të marrë pjesë si të tjerat, jemi të detyruar, ose e kemi zgjidhur këtë “problem” duke cakëlluar gotat dhe veshët kënaqen nga çokitja e tyre.

Foto gjatë promovimit të librit “Visare të Skraparit”, në Tiranë 8 tetor 2022

Kalojmë në bërthamë të librit-thesar. Në fakt, ky libër është policentrik (shumëqendrash). Një ndër qendrat e tij është bleu (vëllimi) i këngëve. Ky libër ka rreth 400 këngë. Libër më vetë. Këngë shumë të bukura. Njëra me tekst më të bukur nga tjetra. Merita më e madhe për mbledhjen e këtyre këngëve u takon Neim Mustafaraj- Radëshit dhe Gjergj Komnino Përmetarit, të cilët qysh në vitet 1950 i kanë rënë Skraparit tonë, pashë më pashë, për të mbledhur nektarin folklorik liriko-kapedanesk të Skraparit

Kryekënga e dashurisë, do ta cilësoja unë në këtë libër, është kënga: TI TE DERA UNË TË VIJA e kënduar në vitet 1950 nga Hasan Dervishi nga Zhepa, që në atë kohë ishte 80 vjeç. Ja kënga:

TI TE DERA, UN TE VIJA

-Ti te dera, un te vija,
Na koka të ra shamija,
Ta lidha me duart e mija

-O jaran, jaran i zi,
Dua dy sërë flori.

-Unë flori nuk kam,
Xhanët’im ta bënj kurban!
Do të shkonj moj mbi dërrasa,
Ta dërgonj zënë se plasa,


Ti moj çupa limonadhe ;
Kur më shkonje n’ato varre ;
Të vdekurit seç i ngjalle,
Të gjallët ç’i vdiqe fare !


-Ju ore mjeshtër ustallarë,
Juve të ma bëni varrë,
Të ma bëni me kërqele,
Të më lini një penxhere,
Ti sho synë asaj së mjere.

Kënduar nga Hasan Dervishi nga Zhepa, vjeç 80.

Fjala limonadhe këtu ka kuptimin: flokëdielltë, flokartë, flokëverdhë a bionde, si i thonë këta të sotmit. E, pra, katër vargjet e kësaj kënge: Ti moj çupa limonadhe ; / Kur më shkonje n’ato varre; / Të vdekurit seç i ngjalle, / Të gjallët ç’i vdiqe fare! mund të konsiderohen si një nga perlat jo vetëm të Skraparit, Jugut, Shqipërisë, Ballkanit, Europës mbarë, por krejt Botës, mund të shpallej fare mirë: këngë e trashëgimisë botëtore që të mbrohej edhe nga UNESKO-ja.

Vazhdojmë: Le të marrim një kthesë 180 gradë: Nga Zeniti, le të zbresim në Nadir. Më lejoni këtu të bëj një kritikë therëse lidhur me këtë temë. Ne kënaqemi me repertorin e këngëtarëve tanë. Por ky repertor është shumë i cunguar, shumë i vogël. Ka shumë pak këngë. Këngë ka plot në këtë libër, merrini, këndojini dhe mos bastardoni (zvetënoni) traditën skraparase me vegla muzikore moderne të huaja për atë krahinë. Nuk kanë nevojë grupet polifonike të Skraparit për tekste të reja. Ju nuk e dini se në këtë libër mund të gjeni baballarët e gjyshërit/gjyshet tuaja që kanë kënduar para rreth 70 vjetësh. Rimerrini këngët e tyre të harruara! Këndojini!

Grupi a grupet folklorike të Skraparit, duhet të ruajnë traditën. Të zotërojnë njëherë gjer në imtësi këngën tradicionale skraparase, pastaj le të shikojnë anën pragmatike, xhapore (materiale).

Kalojmë në një temë tjetër: Kënga simbol jo vetëm në Tomorricë, Skrapar, por në tërë polifoninë e Jugut është Mbeçë, more shokë, mbeçë, e kënduar nga Demir Zykoja. Në libër ne e kemi analizuar dhe e kemi zgjeruar në një shkrim për xha Demirin që e ka botuar babaxhan Sazan Guri. Ne, brezi i mesëm e përpjetë e kuptojmë mirë fjalën mbeçë. Është folja “mbetem” në kohën e kryer të thjeshtë që bën “mbeta”, në të folurën dialektore të toskërishtes verilindore ku bën pjesë edhe Skrapari. Larg analizës letrare, në këto kushte të sotme, ne do të përqendrohemi vetëm te një varg:

ANALIZË E VARGUT “PËRTEJ URËS SË QABESË”
BALADA

1. Mbeçë, more shokë, mbeçë
Mbeçë, more shokë, mbeçë,
përtej urës së Qabesë!
Falë me shëndet nënesë
të më shesë të dy qetë,

(5) t’i japë nigjah1 së resë.
Të më shesë kalë e mushkë,
të më rrisë djalë e çupë.
Në pyetitë nën’ja për mua,
i thoni që u martua.

(10) Në u thëntë ç’nuse mori,
shtatë plumba kraharori.
Në thëntë ç’kali i hipi,
në dy drurë prej mehiti.
Në thëntë në ç’oda e mbyllë

(15) në një odë qereçbina
pa penxhere, pa baxha.


1* Shumë të hollash që duhej t’i jepte burri gruas në rast se e ndante, sipas rregullave të fesë myslimane; leje.

Te vargu Përtej urës së Qabesë dëshirojmë të ndalemi një grimë. Kënga n’a është transmetuar e shkruar me fjalën urë dhe komentin e bëmë sipas kësaj fjale. Kjo fjalë duhet të ketë një përdorim metaforik siç do ta sqarojmë më poshtë. Për lexuesin e thjeshtë, apo dhe për specialistin gjithçka duket normale dhe është në të vërtetë e tillë. Arabia (Qabeja) është një vend i largët dhe ashtu siç thotë kënga, Përtej urës së Qabesë,ashtu duhet besuar. Mirëpo, nëse do të thelloheshim pak, do të dëshironim të bënim këtë pyetje: Duke ditur se elementi kryesor në Arabi është rëra, thatësira, shkretëtira e stërmadhe, të gjitha këto baras me mungesën e ujit, si mund të ndërtohet një urë në një vend të tillë të shkretë, në një vend që s’kalon lumë, në një vend ranor, rrashor-shkretor? Pra jemi të mendimit se fjala Urë është patjetër diçka tjetër ose një deformim i ndonjë fjale tjetër. Atëherë si shpjegohet?

Demir Zyka

Përgjigjet e mundshme, sipas mendimit tim, janë tri:

  1. Ka mundësi të jetë Përtej Udhës së Qabesë. Kjo  është dhe mundësia më e madhe. Udha që të çon në Qabe simbolizon jetën, ndërsa përtej saj është mbretëria e vdekjes
  2. Mund të hamendësojmë gjithashtu se duhet të ketë qenë Përtej gurës (gurajës) = Përtej Gurit të Qabesë. Për ata që mëtojnë ta hedhin poshtë këtë mendim duke thënë se fjala gur është e gjinisë mashkullore, do të mund të thoshim se në gjuhën shqipe kjo fjalë na del në disa krahina, si për shembull në atë të Korçës, si emër familjeje në femërore (kemi parasysh, për shembull, emrin Milto Sotir Gura). Po kështu ekzistojnë edhe toponime të femërorizimit të emrave të gjinisë mashkullore. Kështu për shembull kemi në krahinën e Matit  fshat me emrin Gurabardh në vend të emrit në gjininë mashkullore Guri i Bardhë. (Kuptimi është i njëjtë: Gur me ngjyrë të bardhë). Po kështu në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Tiranë 1980, fq. 590, kemi disa fjalë të përbëra me fjalën gura– . Ndër më kryesoret është fjala Guraj-ë, – a, f. sh. – a, -at.Vend me gurë; gurishtë.
  3. Po ka mundësi, ndoshta, të ketë qenë edhe: Përtej gurrës = Përtej Burimit të Qabes.  Fjala gurrë është mbarëpopullore. Sipas G. Majerit, fjala γούρνα (gurna = gurrë) ka kuptimin pellg burimi (bassin d’une fontaine). Shumë pranë Qabesë buron një ujë i tillë që njihet me emrin Zemzen. Nëse rreshti i këngës do të ishte përtej gurrës së Qabesë  = matanë ujit të Qabesë, lexuesi e nënkupton lehtë se përtej kësaj gurre = burimi = uji, fillon rëra, nis shkretëtira, pafundësia e saj = etja = vdekja.

Së fundi, (gjërat e mira lihen për në fund, më lejoni të falëndroj ndihmëtarët e këtij libri thesar, Dr.Pëllumb Piperon, Gani Piperon, dhe dy profesorët e fakultetit të gjuhëve të Huaja, Prof. Nonda Varfin  dhe Prof. Klodeta Dibrën.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe mirë u pashim në tubime të tjera!

Viktor Bakillari
8 Tetor 2022 – Tiranë


(Fjala e plotë e mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar në 8 Tetor 2022, me rastin e përurimit të librit “Visare të Skraparit”, organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”, dega Tiranë)

  • Share