Hekuran Zhiti – Skrapaliu që takoi Gjergj Fishtën. Fotot e viteve 60’të në Skrapar

  • Share

Ai lindi në fshatin Mëlovë të Skraparit në 13 prill 1911. Në Mëlovë, shtëpia e mikpritjes së Zhitëve, ishte stacioni i kuvendimit dhe i bujtjes së shumë patriotëve mes së cilëve përmendet edhe patrioti Sali Butka i cili ka qëndruar në shtëpinë e Hasan Zhiti. Dikur një shtëpi e madhe 3 katëshe, që sot fatkeqësisht nuk ekziston. Hekuran Zhiti, ishte një nga tre djemtë e Hasan Zhitit. Falë nxitjes së të atit, Hekurani do të ndiqte rrugën e dijes, edhe pse do të rezultonte një rrugëtim i vështirë. Ishte padyshim një artist shumë dimensional i poezisë, dramës, aktrimit dhe njëherësh një ndër themeluesit e Estradës së Lushnjes.

13 Prill 1965 – Grupi i Estradës së Lushnjes në fshatin Vërzhezhë të Skraparit dhe nga e majta juaj i pari Hekuran Zhiti

Shkollën fillore e kreu në Berat. Pas përfundimit së saj, në vitin 1927 filloi studimet e “Normales” në Elbasan. Këtu, vjershat dhe interpretimet e tija skenike do të bënin që talenti i tij të spikaste edhe në të shkruar, mbase kjo një dhunti e fituar nga i ati Hasan Zhiti, një bektashian që adhuronte e njihte shumë mirë poezitë e Naim Frashërit, mes së cilave u edukuan edhe fëmijët e tij. Gjatë shkollës, veprat skenike që realizonin nxënësit u pritën shumë mirë, aq sa gjatë këtyre viteve ata organizuan një tur në Shqipëri, në qytete të ndryshme. Spikat, turi i Shkodrës ku klasa ku bënte pjesë edhe Hekuran Zhiti, takohet me At Gjergj Fishtën. Në shënime mbi këtë takim, Hekuran Zhiti, shkruante: ” At Gjergj Fishta, n’a zgjati me radhë paketën. Asnjë prej djemve nuk guxoi të merrte cigaret para pedagogëve. Unë ja mora për t’i bërë qejfin dhe i thashë – Po e marr se ma jep ajo dorë që ka shkruar atë poemë të mrekullueshme” Nga kjo ndodhi, At Gjergj Fishta do t’i dhuronte Hekuran Zhitit, veprën e tij “Lahuta e Malcisë”. Në 1932, me përfundimin e studimeve në Elbasan, Hekuran Zhiti do të punonte si mësues në Roskovec të Fierit e më pas në Pogon, disa fshatra të ndryshëm minoritare ku dha mësim për afro 3 vjet. Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, Hekuran Zhiti do të punonte si mësues në Berat, ku edhe këtu do të drejtonte jetën artistike. Mik e shokë i të gjithëve madje edhe me ata që quheshin ballistë. Mes miqëve të tij të ngushtë edhe Abaz Ermenjin, Sejfi Protopapa. Por në kohën kur miqësia e tij me ballistët bënte çudi për komunistët, befas vëllai i tij Ahmeti u rreshtua si partizan ndërsa Hekurani u largua nga komunistët. Shkak ishte një prej poemave të tij të titulluar “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, ku dy vëllezër njëri me Ballin Kombëtar e tjetri Komunist vriten mes tyre, dhe në momentet e fundit pa dhënë shpirt përqafohen. Pas çlirimit, arrestohet vëllai tjetër i tij Maksut Zhiti me profesion mësues ndaj të cilit sistemi hodhi akuza si i përzjer me çështjen e grupit të deputetëve. Maksuti, nga torturat e marra në hetuesi gjeti vdekjen. Në 1945, Hekuran Zhitin do ta hiqnin nga puna si mësues duke e çuar fillimisht si punëtor magazine e më pas në 1946 do t’a arrestonin pikërisht për poemën që kishte bërë. pas 1 vit e gjysëm burg, lirohet por njëherësh dëbohet nga Berati drejt Durrësit ku fillimisht punon hamall porti e më pas punëtor komunaleje.

Foto e vitit 1966 dalë në Skrapar

Me ndihmën e Kahreman Yllit, mikut dhe patriotit të tij skraparas, i’u mundësua të punonte sërish në arsim por këtë herë në fshatin Karbunarë të Lushnjes ku u vendos bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Fama që mori në fshat ishte e shpejtë pasi ai aty po përgatiste grupet artistike, kaq mjaftoi që Lushnja t’a kërkonte në qytet sepse do të themelohej Estrada e Lushnjes. Kështu, Hekuran Zhiti, Fotaq Filipeu, Vaçe Zela, Xhoxho Vasija etj do të ishin ndër themeluesit e estradës së Lushnjes që u krijua në vitin 1961. Deri në 1972 do të punonte në këtë estradë si aktor profesionist, më pas del me detyrim në pension. Fëmijëve të tij i’u mohua e drejta për të vazhduar studimet e larta, pas shumë peripecish vetëm njëri prej fëmijëve të tij, Visar Zhiti do kryente studimet e larta për Gjuhë Letërsi në Shkodër e më pas do punonte si mësues në një fshat në Kukës. Një poezi e konsideruar si poezi dekadente që kishte bërë Visar Zhiti, solli arrestimin e tij nga sistemi dhe dënimin me 10 vite burg të tij. Dënimi i djalit do të sillte dhimbjen e radhës së Hekuran Zhitit, i cilli ndërroi jetë në 1989.

@fatjonkaloci #corovodaonline

  • Share