Rreth 40% e popullsisë që banon realisht në Skrapar janë të moshuar. Nën heshtje, të rinjtë: “Këtu ka mbaruar çdo gjë”.

  • Share

Dita botërore e të moshuarve 1 Tetori, e gjen Skraparin edhe më të moshuar ndërsa askush nuk mund të flas me siguri për të ardhmen. Vitet e fundit, si asnjëherë më parë gjithçka në Skrapar mbulohet me një heshtje mistike. Ata pak të rinj të mbetur pranojnë se “këtu ka mbaruar çdo gjë”, krejtësisht ndryshe nga propagandat, të cilat synojnë t’a minimizojnë apo kritikojnë cilindo që shpreh këtë realitet. Shprehjet tipike “Kemi punuar dhe do të punojmë për të ardhmen” duket se rivalë më të fortë, kanë vetë shifrat që flasin ndryshe, një e tashme në qorrsokak e një e ardhme aspak e sigurtë. 11 vite më parë, Censusi i fundit i 2011, i realizuar në Shqipëri, tregoi se në Skrapar banonin realisht në 2011, 12.400 banorë. Që prej 2011 e deri tani numri ka parë vetëm rënie.

Sipas @corovodaonline, me të dhënat tona, numri real i banorëve që jetojnë e banojnë në Skraparin e 2021 ishte sa 7.800 banorë në të gjithë Skraparin. Kjo shifër nuk është e njëjta me atë që deklarohet nga gjendja civile. Kjo e fundit përfshin çdo banor që ka lejen e banimit apo që është i rregjistruar ndonse mund të jetoj apo banoj në një shtet tjetër apo qytet tjetër përtej Skraparit. Numri mesatar shumëvjeçar i pensioneve në gjithë Skraparin konsiderohet 3.100 ose ndryshe rreth 39,7% e popullsisë banuese.

Pa plane të qarta afatgjata zhvillimi, pa nxitje të kurseve të aftësimit profesional të së rinjve, pa nxitur politika punësimi, të rinjtë i largohen vendlindjes gjithnjë e më shumë. Të mikluar nga simpatitë politike apo personale, banorët që jetojnë ende në Skrapar po e pranojnë duke heshtur “fundin e Skraparit”. Qyteti po mbetet pa rini.

Mendimi intelektual thuajse është zbehur, edhe në rastet kur ai ekziston, ai është qartazi i njëanshëm me pushtetin por jo me realitetin njerëzor të Skraparit. Intelektualë që importohet drekave dhe darkave lëpirëse, me qëllimin për t’i ardhur në ndihmë pushteteve, në të vërtetë japin më shumë shqetësim për vendasit të cilët prej vitesh i kanë parë këta intelektualë si persona të arrirë në profesionet e tyre e që mund të përmirësonin të tashmen, jo ta amplifikonin me dashuri idilike të tipit Bravo e madhe… ndërsa qyteti i ngjan një ceremonie mortore pambarim nga ikja e ikja e njerëzve, të rinjve, të papunëve… madje edhe e vetë atyre intelektualëve që flasin me gjuhë të zgjedhur sesa bukur është të jetosh në Skrapar, por që kur i pyet pse s’vjen të jetosh këtu, befas tërhiqen. A vallë “trumpetimet” i ndihmojnë të gënjejnë në gjuhë intelektuale apo duan ti veshin gënjeshtrave një intelekt të arratisur që kërkon vëmendje?. Pompoziteti krah pushtetit nga njëra anë dhe dashuria për së largëti janë krejt të ndryshme nga realitieti i ditëve që jeton çdo ditë qyteti që plaket e plaket pambarim.

  • Share