Mblodhi 571 këngë të Skraparit duke ndërtuar thesarin e folklorit tonë. Mësuesi i dashur, Neim Mustafaraj

  • Share

Balada, këngë nizamësh, këngë kurbeti, elegjike, historike, dëshmorësh, këngë dashurie, dasme, këngë djepi dhe lirika të ndryshme me një të përbashkët, Skraparin. 571 krijime të folkut në zonën e Skraparit ndër vite, u mblodhën nga i paharruari Neim Mustafaraj në një prej vëllimeve që mund të konsiderohet një thesar i rrallë i folklorit tonë. Botimi voluminoz i titulluar “Këngët e Skraparit”, u botua në 1998 ndërsa për përmbledhjen, punuan dy personalitete e njëherësh dy intelektualë të shquar si Xhevahir Spahiu dhe Shaban Sinani.

Neim Mustafaraj lindi në 17 mars 1920, në fshatin Radësh të Skraparit. Shkollën fillore do t’a niste në Çorovodë dhe në vitet që flasim, vështirësitë e kohëve nuk mund të rrinin pa ndikuar edhe në sfidat arsimore të tij. Studion më pas në Berat. Këmbëngulja për dijen u konkretizua në 1964 kur edhe pse ishte 44 vjeç, ku u diplomua për gjuhë-letërsi, në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Tiranës. Prej atij viti do të niste së punuari si mësues ku punoi në shumë fshatra të Skraparit.

Pasioni i tij i madh, si mbledhës i folklorit lidhej me dëshirën për të mbrojtur dhe trashëguar vlerat dhe traditat tona ndër shekuj. Edhe pse libri “Këngët e Skraparit” mbetet më i njohuri, ai ka realizuar shumë artikuj në shtypin e shkruar të kohës, si dhe botime të tjera si: “Toponimia për 81 fshatra të Skraparit”, “Fjalët e rralla”, “Shprehje frazeologjike”, “Përralla dhe gjë a gjëza” etj.

Thuhet se pjesën më të madhe të punës për realizimin e shkrimeve të tij, e hodhi  të shtypur  në letër me një makinë  shkrimi që i’a kishte dhuruar shkrimtari Dritëro Agolli. @fatjonkaloci

  • Share