Punoi si mësues për 3 vite në Backë, Skrapar. Vasil Qesari në poezitë e krijuara në Skrapar.

  • Share

Vasil Qesari mësues, gazetar, fotograf i njohur lindi në Vlorë në vitin 1948. Gjatë viteve 1970 deri në 1973 ai u emërua mësues në shkollën 8-vjeçare në Backë të Skraparit. Lidhur me këto kujtime, Vasil Qesari shkruan:

“… në kujtime të largëta e pikërisht aty, në Backën malore e të larget te Skraparit ku, në vitet ’70 -’73, isha emëruar mësues në një shkollë 8-vjeçare. Ishim katër mësues e banonim në një dhomë të shkollës e aty flinim edhe hanim. Ajo ishte “rezidenca” jonë alpine ! Aty, rrëzë Ostrovicës, afër 1800 metra lartësi, “mjeti” ynë i vetëm zbavitës, ishte një radio “Orion”me llamba të cilen unë e kisha sjellë nga Vlora deri në Çorovodë e pastaj, ngarkuar mbi një mushkë, bashkë me ca plaçka të tjera, mezi e kisha çuar gjer në fshatin malor… Dëgjoja, aso kohe, shpesh “Radio France International” e “Radio Montecarlo” 

Në vijim @corovodaonline, publikon disa poezi të realizuara nga Vasil Qesarit gjatë qëndrimit në Backë, Skrapar. Poezitë në vijim janë të shkëputura nga vëllimi “Lulet e Natës”.

Portreti Im

Mërzitja e Dhimja përbëjnë hirin
e zjarrit tim që flakëron prej kohësh,
të syve të mi me bisht ( kujtim nga nëna )
plot dritë, dhëmshuri dhe kuriozitet…
Të kësaj goje që pi vetëm ujin e shqetësimit,
të profilit tim të konsumuar nga erozioni i
varfërisë, lodhjes e trishtimit,
të dhëmbëve të rrallë, gurë të gjymtuar
nga myshku i pafjalësisë,
të flokëve të djegur nga dielli mëdhetar,
të trupit tim të pakët nga trashëgimnia,
fëmijnia e varfër, ushqimi e letargjia.
Për pak kohë ç’do të mbetet nga gjithë kjo?
Përgjigjja është e lemerishme, o shpirti im!
Asgjë, veçse një skicë e zbehtë që harrohet,
humbet e vdes në vetmi.
E që koha – kjo plakë e neveriteshme-
çdo ditë e fshin me leckat e saj të fëlliqura.
Megjithatë, o plakë shtrigë,
ti nuk do të fshish nga e imja memorie
ato që ishin Dëshira dhe Mendimi im!…
Backë – Skrapar ( 1971 )

Natë e Bardhë

Natë. Jashtë bie borë…
Natyra si piktorë surealistë
skicon peisazhe të frikëshme.
Ftohtësia e qiellit puth tokën
e pemët të tkurrura nga ngrica
lëvizin gjymtyrët e tyre të sakatosura
duke thirrur:
-Pak diell! Pak diell se vdiqëm!
Bardhêsia qëndron e varur kudo,
në fusha, male e horizont,
si çarçafët e nderur në muret e spitaleve
të sëmundjeve infektive.
E unë s’arrij të fle.
E bardhë për mua kjo natë
si qindra të tjera.
Dhimbja e zemrës më bezdis në krahëror.
Një qënje e padukëshme e mizore
Përditë bën të vdesë diçka përbrenda …
Backë – Skrapar ( 1972 )

Letra e Nënës

Si një nina-nana e harruar nga fëmijnia
së largu më erdhi letra jote, nënë !
Letra jote e parë, sa shumë e kam pritur…
Nënë e dashur!
Shkrimi yt si hieroglifet egjiptiane
ka më tepër dashuri se Kleopatra për Qezarin.
Ti shkruan pa pikë e presje si dekadentët,
po në letrën tënde ka më tepër dhëmbshuri
sa gjithë bota e tyre e vogël si lajthi.
“Të puth në sytë e bukur !” -shkruan ti
e unë mendohem e them me vehte:
“Ku e gjeti nëna ime kaq poezi?!”.
Falemiderit, nënëza ime,
të tillë gëzim s’kam ndjerë kurrë !
( Edhe kur e dashura më shkroi
me shkrimin e saj të rrallë,
të shumëpriturën letër të parë ).
Backë – Skrapar ( 1971)

Mjaft më!

Mjaft më
me kotësinë e këtyre ditëve
pa kufi mes dritës dhe errësirës!
Mjaft më
me këtë baltë të neveritëshme
në shuajt e këpucëve, duar e fytyrë !
Mjaft më
me këtë ushqim anemik e të pakët
të denjë për katërkëmbshit pa arsye!
Mjaft më
me shoqërinë e padëshiruar
të Mërzitjes, Trishtimit e Revoltës!
Mjaft më
me ftohtësinë e këtij vendi
e cila të shtyn reumatizmin e shpirtit!
Mjaft më
me këtë ferr polar
që zemrat ngrin si blloqe të kuq akulli!…
Backë – Skrapar ( 1971 )

  • Share