Rruga Çorovodë – Përmet mbetet mes “loteve” të premtimeve

  • Share

Për çdo banor të Skraparit, Rruga Çorovodë – Përmet mbetet mes vitesh një “gënjeshtër e bardhë elektorale”. Në 2019, me një investim prej 1.219.030.410 lekësh përfunduan 4.9 kilometrat e lotit të parë të punimeve. Rruga e asfaltuar nga Lapanj deri në dalje të fshatit Rog, Skrapar befas përfundon. Kjo situatë është e tillë që nga 2019 deri më sot 2022, ku kjo mbetet një rrugë që ndërpritet në mes.

Pamje Arkiv

Investimi i lënë në mes, duket sikur shuan edhe ëndërrat e banorëve se një ditë do të lidhen me një qytet tjetër (përveç Poliçanit) së paku nëpërmjet një rruge me asfalt. Banorët e mbetur mes viteve shpresë, në vitet kur ka zgjedhje u propozohen projekte të tjera si për ti shfokusuar nga “llogaridhënia” politikanët, siç ishte premtimi i dhënë për bërjen e rrugës që do lidhte Skraparin me Korçën, a thua se e mbyllën premtimin e dhënë për rrugën me Përmetin dhe tashmë po punohet për zhvillime të tjera. Rezultati: Asnjë nga rrugët nuk është finalizuar deri në fund. Dhe të vetmit që e vuajnë këtë pasojë janë banorët të cilët në varësi të pikëpamjeve politike, simpatizojnë nga halli i përveçem por nuk i shpëtojnë dot hallit më të madh, atij të një qyteti që mes vitesh mbetet mes premtimesh dhe gjithnjë e më shumë mundësitë e jetesës për të rinjtë zvogëlohen.

Pamje Arkiv

Mungesa e mbështetjes financiare nga shteti, i bën autoritetet vendore të pafuqishme që me të ardhurat që ato mbledhin, të realizojnë me fondet e veta këto investime madhore ndërqytetase. Nën presionin e realizimit të premtimeve të bëra nga politika e madhe si dhe nga ana tjetër nën presionin e heshtur të komunitetit që bën sikur nuk i sheh këto investime të lëna përgjysëm apo të hedhura në ajër si një cocktail elektoral për vota, autoritetet vendore përpiqen të mirëmbajnë sa të munden disa rrugë rurale, duke i shtruar me dhe’ e çakull të rralluar, ndonse vetë e dinë se janë investime provizore që me shiun e parë vjeshtarak do të zbehen. Përtej përpjekjeve, mirëmbajtje të tilla nuk është se ndikojnë shumë në zhvillimin ekonomik të një zone. Rrugët ndërqytetase janë ato të cilat mund t’i jepnin një frymëmarrje ndryshe kësaj zone.

  • Share