Në krahun tjetër të Kanionit të Osumit, kur nga rruga automobilistike sheh një gjelbërim të pafund, sapo kalon urën mbi kanion, të duket sikur po futesh në një vend magjik. 8 kilometra pasi lë urën, shfaqet Prishta, një fshat i vogël që ndodhet në Skrapar, por që është më i madhi nga fshatrat e tjerë përsa i përket historikut shumëvjeçar që nis që nga vendbanimin ilir i qytezës së Orgesës, Kalasë së Prishtës tek mbajtja e Kongresi të Parë Bektashi etj,.
E harruar nga institucionet, e lodhur nga vizitat e fushatave zgjedhore, e papërfshirë në hartat dhe destinacionet turistike, banorët janë të vetmit që po sakrifikojnë çfarë munden për të ndryshuar sado pak situatën. Vjet, në 2021 banorët u detyruan të ndërmerrnin një iniciativë për të rregulluar rrugën. Shumë prej tyre, po përpiqen të përshtasin shtëpitë e vjetra karakteristike në bujtina apo shtëpi më atraktive për të tërhequr vizitorët dhe turistët që të shijojnë sa më shumë e sa më gjatë, Prishtën.
Në horizont shfaqet një shtëpi që duket qartë se është ristrukturuar së fundmi. Investimi i familjes Hajdaraj, është bërë në harmoni me natyrën dhe objektet e traditës i sheh të shumta. Mbi oxhak, një flamur shqiptar si për të dëshmuar dëshminë e një vendi patriot e atdhetar. Nuk ka shtëpi në Prishtë të mos ketë pemë frutore pranë. Më tej si të qendisura shfaqen vreshtat e rrushit dhe lastarët e rinj sikur zgjaten drejt teje për të rrëmbyer e mbajtur pranë këtij vendi.
Mikpritja këtu është pak më e veçantë dhe më e bukur. Nëse të ndodh që ulesh me dy vetë, pa pirë gotën e parë, do të shohësh se në sofrër, do të vijnë njerëzit më të mirë të banorit që të ka ftuar. Ata sikur i dinë vetë detyrat e tyre, dikush merrej me rakinë, dikush me mishin e me ushqimin, dikush me këngën e dikush me muhabetin e shtruar. Mes prishtallinjve në sofër, vështirë të shikosh ndonjërin që nuk qesh, që nuk këndon, që nuk të rrok gotën papushim vetëm e vetëm që të të bëjnë të ndihesh si ata, të mos ndihesh i vetëm. E në Prishtë ti ndihesh si në shtëpi…
Prodhimet janë të gjitha të Prishtës. Natyra është treguar bujare me këtë vend ndonse bujaria më e madhe është e vetë prishtallinjve. Si në çdo fshat të Skraparit, 3 dekadat e fundit, largimi i banorëve ka qënë i detyruar për shkaqe të pamundësisë së krijuar në vendbanimet e tyre. Kohët moderne ecën kaq shpejt, sa shumë të rinjve së Prishtës do u duhej të kapnin mundësitë si brenda edhe jashtë vendit. Larg fizikisht, ata gjatë ditëve sakrifikonin mallin për vendlindjen, për prindërit, miqtë e shokët, ndërsa gjatë netëve të ëndërronin ditën se kur do të rikthehen përsëri në Prishtën që i pret si prehëri i nënokes di të fal.
Sot Prishta duket më e bukur! Ajo po ndryshon nga nismat individuale gradualisht mes shumë vështirësive që jeta në çdo fshat ka, por jua sigurojmë se Prishta do ju mahnis, me natyrën, mikpritjen, njerëzit e thjeshtë e të dashur.
Çdo vit në 18 gusht festa pagane që kryhet prej vitesh, ajo e Teqesë së Prishtës mbledh qindra e qindra besimtarë bektashinj, turistë, vizitorë dhe njëherësh Prishta gumëzhon me rikthimin e prishtallinjve në shtëpi.