1903 – Ali Spahiu nga Malindi i Skraparit zgjidhet Kryetar i Bashkisë së Vlorës

  • Share

Kryetar i Bashkisë së Vlorës nga viti 1903 deri në vitin 1907, ishte Ali Spahiu që ishte nga Skrapari. Ai njihej edhe me emrin Ali Ylviu (Skrapari) kjo për famën që kishte Ylvi Spahiu, gjyshi i tij. Ali Spahiu lindi në Malind të Skraparit në 20 qershor 1853, studimet e para i kreu në Berat pranë medresesë së Beratit. Më tej do të shkonte në Greqi, ku ndoqi studimet në gjimnazin Zosimea në Janinë.

Gjatë kohës së qëndrimit në Greqi njihet me vëllezërit Frashëri, me Halit Bërzheshta dhe me Hamdi Filati duke ju bashkuar me ta, lëvizjes kombëtare. Nën ndikimin e Halit Bërzheshta dhe Hamdi Filatit u përfshi në veprimtari të gjerë të Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit.

Në vitin 1880, fitoi konkursin në Fakultetin e Shkencave Juridiko – Politike në Stamboll, Turqi ku prej andej do mësonte se Porta e Lartë Osmane kishte filluar përndjekjen ndaj anëtarëve e veprimtarëve të Lidhjes së Prizrenit.

Në qershor 1881 në një letërkëmbim me mikun e tij Hamdi Filati, Ali Spahiu shkruante:
…njëdizaj. në Shkup kanë mbyllë ndë bodrum kryeshqiptarët e Shkupit. Janë nisë për atje taborre të tjera katër a pesë për të bërë gjak me shqiptarët e për të shuar të ngriturit krye për autonomi. Fletoret thonë se në Kosovë është bërë luftë e gjakshme…

Gjatë viteve të shkollës së lartë, 1880 – 1884 ndërsa studionte në Stamboll, u bë anëtar i klubit “Stambolli”. Besohet se, gjatë viteve të studimit, nga Turqia ai ka nisur së paku 5 alfabetare të Shoqërisë së Stambollit për në Skrapar, me dëshirën për të nxitur mësimin e leximin shqip.


Pas viteve 1890, Ali Spahiu filloi të shoqërohej me Shahin Kolonjën dhe në vjeshtën e vitit 1900 ndërsa Ali Spahiu emërohet Inspektor në Doganën e Sarandës, ndërsa Shahin Kolonja, miku i tij u zgjodh si Kryetar i Bashkisë së Vlorës. Kolë (Nikollë) Karbunara për veprimtarinë kombëtare të Ali Spahiut në fillimte shek.. XX thotë: “Në beledien e Vlorës u emërua Ali Ylviu (Skrapari), miku i Shahin Kolonjës dhe Dush Stratit. Unë e njoh në ato mote të vështira, pse me anën e tij që ishte inspektor i doganave, ne vlonjatët, beratasit, gjirokastritët e të tjera, na ndihte të sillnim librat e fletoret shqipe nga kollonitë e mërgimit, nëpërmjet na vëllave dhe kushullës Austro-Hungarese

Tre vite më vonë, në 1903 detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës do ta merrte Ali Spahiu që do të qëndronte në këtë detyrë për katër vjet deri në prill të vitit 1907. Në prill të vitit 1907 Ali Spahiu pushohet nga puna si kryetar i Bashkisë së Vlorës dhe emërohet në Manastir.

Në 1908 ishte një nga prej patriotëve të shumtë që po merreshin me organizimin e Kongresit të Manastirit. Në vitet 1913-1914 Ali Spahiu pati një bashkëpunim të ngushtë me Xhelal Koprenckën, zëvendës ministër i Luftës të Qeverisë së Ismail Qemalit. Ata të dy kishin qenë shokë të ngushtë edhe në Selanik e Janinë, por edhe në organizimin e frontit të luftimeve knndër andartëve grekë në Skrapar, Berat e Kolonjë, më 1913. Së bashku me Ibrahim Abdullai, Mehmet Mallkeqi dhe Xhelal Kopënckën në korrik të vitit 1914 shoqëruan Edith Durhamin, britaniken që pasqyronte në shtypin evropian, fatin dhe dramën e shqiptarëve. Ali Spahiu do të ishte në vitin 1916 – 1917, nënprefekt i Beratit.

Në vitin 1920 iu përgjigj Komitetit “Mbrojtja Kombtare” për mobilizimin e luftëtarëve në Berat, Skrapar e Lushnjë në epopenë e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Edhe pse i moshuar, ai luftoi me trimëri në kodrat e Risilisë dhe të Bistrovës për çlirimin e Vlorës.

Ali Spahiu vdiq në qershor të vitit 1923 në Berat. Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në muajin nëntor 2012, Këshilli i Qarkut të Vlorës i dha Ali Spahiut titullin “Nderi i Qarkut të Vlorës”.

Kredite për informacionin e shkruar: Prof.Dr. Bardhosh Gaçe

  • Share