Maj 1948 – Përfundon ndërtimi i rrugës automobilistike Berat – Çorovodë

  • Share

74 vite më parë, në muajin maj 1948, përfunduan punimet e rrugës Berat – Çorovodë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge kishin nisur që në vitin 1923, por ato nuk arritën të konkretizoheshin përpara majit të 1948. Me një rëndësi shumë të madhe për banorët, kjo rrugë përfaqësonte komunikimin e vetëm rrugor të Skraparit me Beratin. Për historikun e kësaj rruge, gazeta Jehona e Skraparit publikoi një artikull të Izet Dyrmishit, ky i fundit referonte në shkrim të dhënat e dokumenteve mbi historikun e rrugës.

Nënprefektura e Skraparit e kishte me detyrim bërjen e kësaj rruge që në 1923. Gjithçka, që nga hapja e trasesë, nga shtrimi me kalldrëm dhe çdo proçes tjetër do të kryhej me “punë me detyrim”. Veprat e artit që do ndërtoheshin gjatë rrugës do të bëheshin me fondet e qeverisë qëndrore. Autori, duke i’u referuar një dokumenti të Arkivit Qëndror të Shtetit të vitit 1928, faqe 277, fletët 137 – 138, D.39, përmend se:

Në statistikën e vitit 1923, për rrugën Berat – Çorovodë, kanë punuar 2987 persona me detyrim.
Në statistikën e vitit 1924, për rrugën Berat – Çorovodë, kanë punuar 3115 persona me detyrim.
Në statistikën e vitit 1925, për rrugën Berat – Çorovodë, kanë punuar 3197 persona me detyrim.
Në statistikën e vitit 1926, për rrugën Berat – Çorovodë, kanë punuar 3206 persona me detyrim.

Në shkrim, termi persona me detyrim përdoret si detyrues. Por në vitin 1928, ritmet e punës ishin shumë të ngadalta. Nisur nga ngadaltësia e punimeve, ish-ministri i punëve Botore dhe arsimit së asaj kohe, Abdurraman Dibra, hodhi në diskutim dy variante të reja të bërjes së rrugës, por përfaqësuesit e Skraparit i kundërshtuan të dyja këto variante. Sipas A. Dibra njëri variant ishte ai i ndërtimit të rrugës Paraspuar – Skrapar, ndërsa varianti tjetër i tij ishte bërja e rrugës që do të lidhte Çorovodën, përmes Urës së Lapanit, Ballabanit e deri sa të lidhej me Këlcyrën. Arsyeja që u kundërshtuan këto dy variante nga ana e përfaqësuesve të Skraparit ishte se kështu do të ndërpriteshin lidhjet historike, tregtare dhe natyrale me Beratin dhe komunikimi me zona të tjera të Shqipërisë do bëhej më i vështirë. Në këtë mënyrë, punimet vijuan të kryeheshin si më parë, por në vitin 1939 punimet do të ndërpriteshin. Deri në këtë moment, pra që nga 1923 e deri në 1939, për 16 vite në qeverinë e Zogut ishin bërë me kalldrëm vetëm 5 kilometra dhe një urë në vendin e quajtur Çezma e Thatë.

Me ardhjen e pushtuesve italian në Shqipëri, me ritme të shpejta nën luftën italo-greke, italianët ndërtuan 12 kilometra rrugë deri në Vërtop dhe më pas nuku vijua më tej kjo edhe për shkak të luftës. Punimet për vijimin e kësaj rruge do të rinisnin në vitin 1946. Riza Kuçi i cili ishte caktuar kreu i aksionit të ndërtimit të rrugës, në fund të 1947 përfundoi kilometrin e 38 të kësaj rruge, ndërsa pjesa tjetër prej gati 12 kilometra nga Kakruka deri në Çorovodë u realizua nga puna e Brigadës së xhenjos së Ministrisë së Mbrojtjes.

Në 1 maj 1948, përfundoi ndërtimi i rrugës Berat – Çorovodë.

  • Share