Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton prej vitesh emri i tij është i njohur në grupet e interesit apo lobet që mbrojnë çështjet shqiptare. Për të, fjala rutinë nuk vlen pasi çdo ditë sjell diçka të re. Në rrjetin social, ashtu si dhe në jetë është mik i të gjithëve, bamirës e mbështetës, ndonse ai ka mundur që gjithçka t’ja bëj ballë i vetëm.
Sako Satka, ka lindur në fshatin Gostënckë të Skraparit në 19 janar 1949. Ulja për të parën herë në bangat e shkollës së fshatit të tij të lindjes, shumëfishohej në emocione kjo edhe falë mirësisë së ofruar nga mësuesi i tij i parë, Bektash Shahu për të dhe për gjithë nxënësit e fillores. Një pjesë e mirë e kujtimeve të vendlindjes ruhen ende me nostalgji edhe sot kur ai është 73 vjeçar. Shtëpia e të parëve, bisedat, traditat, zakonet dhe kënga tek ai ruhet më së miri. Më pas, do të shpërngulej nga Skrapari drejt Tiranës, dhe mesviteve të 90’s (më saktë në vitin 1996) do të zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me bashkëshorten Hamidenë dhe dy fëmijët.

Zbritja në “tokën e premtuar”, nuk do të ishte e lehtë. Puna e tij e parë, në Shtetet e Bashkuara do të ishte në dukje një punë si të gjithë të tjerat për emigrantët, por nga kjo punë mori jetë edhe suksesi i mëvonshëm në sipërmarrjet e tij. Fillimisht, do të punonte në një parkim, ku do të priste biletat e parkimit dhe orientonte drejtuesit e mjeteve.
Për një ekonomi më të mirë familjare edhe pjesëtarët e tjerë nisin të punojnë aty. Një prej aksionerëve i dha mundësinë e të punuarit së bashku në një parkim të ri, që ishte i lokalizuar në një pikë më të frekuentueshme. Përtej përpjekjeve që bënte e gjithë familja për të punuar, fluksi i lartë i punës do t’a vinte mes dilemës; nëse duhet të punësonte të tjerë fitimet do ti uleshin apo nëse duhej të vazhdonte si më parë.
Duke ndjekur risitë e teknologjisë, zgjodhi opsionin e dytë duke futur në veprim, parkimet me vetëpagim. Puna do të rritje shumë dhe nga 1 parkim do të menaxhonte më 6 të tillë së bashku me ortakun. Por në këtë pikë të suksesit dhe fluksit të punës, Sako mendoi të kishte diçka të vetën për të punuar. Në një hark kohor të shpejtë, ai bleu një truall dhe gradualisht nisi të krijoj disa sipërmarrje, jo thjesht parkimi por edhe Real Estate, Kompani Ndërtimi, etj.
Suksesi i vazhdueshëm në biznes e bëri atë pronar të një prej resoranteve më të njohura në Cleveland, Ohio në SHBA. Në 17 korrik 2004 me një investim prej 2.000.000 dollarë nis resoranti më i mirë i kohës i quajtur “Titanik Grille” (apo Titanik 1) në pronësi të tij. Resoranti mblidhte emra më të zëshëm të ekzekutivit në SHBA. Më pas zgjeron sipërmarrjen edhe me “Titanik 2”.
Njohësi i 4 gjuhëve të huaja, do të ishte kështu një pikë referimi e fuqishme veçanërisht për çështjet shqiptare. Në një intervistë, ai tha se një ditë para se të merrej vesh se Kosova do shpallte Pavarësinë, kishte qënë Bill Klinton që i kish dhënë lajmin më para sesa ai të mësohej gjerësisht.
Në foto të ndryshme arkivore, ai shfaqet me personalitete të rëndësishme në SHBA, që jo gjithkush që ëndërron tokën e premtuar, mund ti krijohet kjo mundësi. Përtej Sakos si sipërmarrës, me uljet dhe ngritje dhe problemet që has shpesh sipërmarrja, në të vërtetë qëndron një njeri i rrallë.
Ai flet ende me një dashuri idilike për Skraparin e vendlindjes, është mjaft aktiv në rrjetet sociale, i kudo gjendshëm në biseda dhe komunikime. Rikthimi në vendlindje, është ëndrra që i shfaqet thuajse çdo natë. 7 vite më parë, ai ka qënë një mbështetje e fortë edhe për Corovoda Online, për nismën që bashkon bashkëqytetarët tanë ngado që janë.