CENS 2023 - Ja sa është numri i popullsisë që banon në bashkitë e Skraparit dhe Poliçanit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

CENS 2023 - Ja sa është numri i popullsisë që banon në bashkitë e Skraparit dhe Poliçanit

Fatjon Kaloci
19.10.24

Instituti i Statistikave në Shqipëri, publikoi në muajin qershor 2024 të dhënat e grumbulluara në terren lidhur me atë që u quajt ndryshe si CENS 2023. I nisur në muajin shtator 2023, procesi i evidentimiit në terren i shpërndarë në gjithë vendin synonte ndër të tjera mbledhjen e të dhënave statistikore mbi numrin e popullsisë dhe banesave në Shqipëri si edhe disa pyetjeve të natyrave të ndryshme. Duke u ndalur në tematikën lokale të blogut tonë, Skrapari rezulton ashtu siç pritej, me një rënie të numrit të popullsisë.  Zyrtarisht, numri i popullsisë së gjithë Skraparit (103 fshatra dhe qyteti Çorovodë së bashku), rezulton të jetë për vitin 2023 në shifrën 10,750 banorë gjithësej. Shpërndarja në bazë gjinore e këtij numri popullsie përkon me 5,419 meshkuj dhe 5,331 femra. Një tjetër element që mund të evidentohet nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë për Skraparin është edhe ndarja e këtij numri pra 10,750 banorë sipas 3 fashave moshore. Kështu, zyrtarisht nga ky numër 2,584 banorë janë të moshës mbi 65 vjeç. Thënë ndryshe, rreth 24% e popullsisë së Skraparit (103 fshatrat dhe qyteti Çorovodë) përbëhet nga të moshuarit. Grupmosha nga 0 vjeç deri në 14 vjeç në të gjithë Skraparin rezulton zyrtarisht sipas CENS 2023 të jetë sa 1133 banorë ose e thënë ndryshe 10.5% e popullsisë së gjithë Skraparit i përket kësaj grupmoshe. Grupmosha nga 15 vjeç deri në 64 vjeç rezulton të jetë 7,033 banorë duke përbërë kështu grupmoshën më të madhe nga dy grupmoshat e tjera të lartë përmendura. Corovodaonline në tabelën e mëposhtme, jep një pjesë të gjetjeve të CENS 2023 në mënyrë më të detajuar.

CENS 2023 Nr.Popullsisë Meshkuj Femra 0 deri 14 vjeç 15 deri 64 vjeç mbi 65 vjeç
SKRAPAR 10.750 banorë 5.419 banorë 5.331 banorë 1.133 banorë 7.033 banorë 2.584 banorë

Edhe Bashkia e Poliçanit duket se ndjek pothuajse të njëjtin trend përsa i përket numrit të popullsisë. Sipas CENS 2023 në Bashkinë e Poliçanit numri zyrtar i popullsisë është 8,762 banorë. Nga këta, 4,306 banorë janë meshkuj ndërsa 4,456 banorë janë të gjinisë femërore. Përsa i përket këtyre shifrave por të para sipas 3 fashave moshore 2,354 banorë janë të moshave mbi 65 vjeç. Grupmosha nga 0 vjeç deri në 14 vjeç rezulton me numrin 924 banorë. Tabela e mëposhtme jep në mënyrë më të detajuar të dhënat e CENS 2023 për Bashkinë Poliçan. 

CENS 2023 Nr.Popullsisë Meshkuj Femra 0 deri 14 vjeç 15 deri 64 vjeç mbi 65 vjeç
POLIÇAN 8.762 banorë 4.306 banorë 4.456 banorë 924 banorë 5.484 banorë 2.354 banorë

Me një sipërfaqe prej 831.44 kilometra katror, Skrapari vijon të mbetet një ndër zonat ku numri i popullsisë vit pas viti pëson rënie. Nëse në CENS-in e parafundit, atë të 2011, dendësia për kilometër katror rregjistrohej në rreth 15 banorë për një kilometër katror, CENS i 2023 e shfaq këtë tregues sa 12.9 banorë për një kilometër katror. Edhe përse i kufizuar me shumë bashki si ajo e Gramshit, Poliçanit, Beratit, Korçës, Përmetit rrugët mbeten prej dekadash problemi kryesor që komunikimi me fqinjët të jetë i vështirë në rrugët ekzistuese apo thuajse i pamundur nga mungesa e tyre. Në ndarjen administrative territoriale të viti 2014, Skrapari përbëhej nga 103 fshatra që i përkasin 8 njësive administrative të tij duke nisur nga Njësia Qendër, Bogovë, Vëndreshë, Çepan, Potom, Leshnje, Gjerbës dhe Zhepë. Ndërsa si qëndër administrative e Skraparit vijon të mbetet Çorovoda, qyteti ku fokusohet jeta institucionale dhe sociokulturore e zonës. Popullsia është pakësuar ndjeshëm nga largimet e banorëve kryesisht drejt qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Më herët qyteti i Çorovodës humbi mbi 40 për qind të popullsisë mes harkut kohor të viteve 2001 dhe 2011, ndërsa shumë nga komunat përbërëse kanë humbur mbi gjysmën e popullsisë. 

Mungesa e perspektivës, kryesisht ajo e vendeve të punës, ka bërë që banorët e qytetit të vendosen për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre drejt qyteteve të mëdha, ndërsa banorët e zonave të thella janë larguar drejt qytetit të Çorovodës, si rezultat i mungesës së rrugëve dhe mjekëve në fshatrat e tyre. Problematika kryesore e banorëve të Çorovodës ka qenë gjendja e vështirë e rrugës kombëtare Skrapar-Berat. Skrapari si burim kryesor ka të ardhurat që vijnë nga blegtoria dhe bujqësia, prodhime mjaft të vlerësuara këto në tregjet e vendit, ndër më të njohurat djathi dhe rakia e Skraparit. Me shumë atraksione turistike dhe me mijëra vizitorë të ardhur nga e gjithë bota për të eksploruar Kanionet e Skraparit si dhe me një resurs tepër të veçantë të turizmit fetar sidomos gjatë mujait gusht gjatë festës së Bektashinjve, gjatë ditëve të pelegrinazhit ku vizitorët duhet të udhëtojnë drejt malit të shenjtë Tomor sërish rrugët mbeten problemi shumëvjeçar i pazgjidhur. Viteve të fundit fenomeni i largimeve ka prekur edhe burimet njerezore dhe profesionistët nga fushat e ndryshme si të arsimit, mjeksisë, administratës etj, të cilët në shumicën e rasteve janë spostuar në qëndrat e jetës urbane në Shqipëri si në Tiranë, Durrës, Vlorë, etj.

       
         
close