Bëri 27 vite burgim për kritikat që bënte ndaj sistemit, skrapaliu doli 65 vjeç nga burgu **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Bëri 27 vite burgim për kritikat që bënte ndaj sistemit, skrapaliu doli 65 vjeç nga burgu

Fatjon Kaloci
10.3.24


Ai lindi në fshatin Vërzhezhë të Skraparit në 1 gusht 1922. Për herë të parë në burg ai hyri në moshën 31 vjeçare. Ndaj tij u dhanë tre herë dënime me burg derisa rifitoi përfundimisht lirinë por kjo vetëm në moshën 65 vjeçare. Vuajti 26 vjet e 10 muaj e 20 ditë heqje lirie në vitet 1953-1971 dhe 1978-1987. Flasim për Qani Sulo Mulita. 

Dënimi i parë me 12 vite burg

Vuajtjet e tij nisën në kohën e kryerjes së shërbimit ushtarak tek i cili u mobilizua si ushtar në 6  dhjetor 1952. Shërbimin e detyrueshëm do t'a kryente në Repartin nr.5390 në qytetin e Elbasanit. Pas gati 8 muajsh ai u arrestua. Data e saktë e arrestimit të tij ishte 2 korriku 1953. Akuza u ngrit në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 dhe nenit 72 të Kodit Penal, për “tradhti ndaj atdheut” dhe “agjitacion e propagandë”. Gjykata e cilësoi “element armik”, me të kaluar të keqe familjare, se dëgjonte e komentonte radiot e huaja, se ishte i pakënaqur me triskat etj, se po përgatitej të arratisej. Midis të tjerash në vendim thuhej: “Edhe pasi vjen në ushtri, duke qenë i pakënaqur se si element armik nuk i qe dhënë triska e Frontit Demokratik, jo vetëm zhvillon agjitacion e propagandë kundër pushtetit, por njëkohësisht bën vepra përgatitore për t’u arratisur në një shtet armik, në Jugosllavi. Kështu i pandehuri me qëllim të përcaktuar, i thotë ushtar Hysen Rustemit, pse qëlloi mirë në qitje, çfarë i duhej, jeta është e padurueshme, etj.”.Gjykata Ushtarake Territoriale Korçës, me veprim në Elbasan, me vendimin nr.124, datë 24.12.1953, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 12 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 2 vjet.

Dënimi i dytë në SPAÇ

Ndërsa vuante dënimin e parë ku bashkë me të burgosur të tjerë të Kampit Nr.4 ndërtonin në Tiranë ato që ende njihen si Pallatet Agimi, ai u arrestua sërish në 23 qershor 1954 edhe këtë herë me të njëjtat akuza Neni 75, Organizatë kundër Pushtetit, Neni 64, Tradhëti ndaj Atdheut si dhe Neni 65, Spiunazh. Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.189, datë 17.7.1954, në seancë të mbyllur, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U lirua më 3 maj 1971 nga Reparti nr.303 Spaç.

Dënimi i tretë i Çorovodës

Pas daljes nga burgu në 1971 ai u përpoq të integrohej. Në kohën kur punonte në Çorovodë në Ndërmarrjen e Ndërtimit në 10 shkurt 1978 sërish do të arrestohej nën akuzat e bazuara tek nenet 72/1 dhe 42/a të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Skrapar, me vendimin nr.13, datë 29.4.1978, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.  Një informacion i datës 19 janar 1978 thuhej se nga viti 1974 e në vijim, raportuan për të 5 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të cilët raportonin se ai ishte “armik i këtij pushteti”, “nuk linte rast pa vjellë kundër tij”, fliste keq për Enver Hoxhën, shprehte mosbesim te ligjet, përbuzte gjendjen ekonomike të vendit. Gjykata çmonte se nuk kishte ndërprerë “veprimtarinë armiqësore”. Midis të tjerash, në vendim thuhej: “I pandehuri në rrugën e tij armiqësore, i vendosur është përpjekur të errësojë realitetin socialist në vendin tonë, kujtuar me nostalgji dhe ka mburrur ‘trimëritë e mençuritë’ e ish-krerëve të Ballit, ka dashur të pengojë rininë tonë të punojë për ndërtimin e veprave të ndryshme, ka folur për ‘jetën e mirë’ që bëhej para çlirimit, etj...Me qëllim që të ulte fuqinë mbrojtëse të vendit, i pandehuri thoshte se zboret ushtarake nuk janë të mira, ato na lodhin kot. Në biseda të ndryshme ka mburrur armiqtë si Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani, etj, duke i paraqitur trima e të mençur e duke ruajtur shpresën se do të përmbysej pushteti popullor”. U lirua më 2 mars 1987.

       
         
close