Emri Fatos ka një nga shpjegimet më të shkurtra se çdo fjalë tjetër në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, që do të thotë: trim i madh dhe i dallueshëm. Në Veriun e Shqipërisë Fatos do të thotë kreshnik. Me anë të metaforës letrare “Fatosat e Shqipërisë” kuptohen protagonistët dhe figurat më në zë të kohëve të ndryshme historike etj. Populli thotë që emri është kapistër, sa për t’u kapur, për ta mbajtur, por jo se tregon vlerat, cilësitë dhe personalitetin e një njeriu. Po të qe se ai tregonte vlerat, vetëm si nominim, si kuptim leksikor, morfologjik gjuhësor, njerëzit do të zgjidhnin emrat më domethënës, më të mirë, më të fortë, më të bukur dhe njeriu do të gëzonte cilësi dhe vlera apriori, vetëm nga emri dhe jo nga puna dhe veprimtaria e tij e gjatë jetësore. Por kjo nuk ndodh kurrë ose ndodh rrallë, që emri të përputhet dhe të ngjisë aq përsosmërisht me cilësitë e individit, siç ka ndodhur edhe në rastin e Fatos Çerenishtit, djalit me origjinë nga Skrapari, një prej operatorëve turistikë më të njohur dhe më të mëdhenj në Shqipëri, të cilit emri i qëndron bukur dhe hijshëm pranë karakterit dhe cilësive të rralla njerëzore që ai gëzon. Por çështja e emrit të Fatosit nuk mbaron këtu, ajo shkon edhe më tej, me emrin e kompleksit turistik famëmadh që ai administron, të cilit mund t’i kishte zgjedhur një emër më të bujshëm, më tingëllues, madje edhe të huaj, siç janë rendom në Golem, por edhe në të gjithë bregdetin shqiptar. Jo, ai krijoi fonemen gjuhësore shqipe "Fa-fa", njëlloj si ba-ba, ma-ma, la-la, xha-xha, ta-ta, te-te, li-li, lu-lu, de-de që përdoren shpesh në Skrapar për njerëzit e dashur të rrethit familjar dhe të të afërmve. Emërtimi FAFA i kompanisë gjigante turistike, vjen nga bashkimi i dy gërmave të para të emrave Faik, i ati i ndjerë i tij dhe Fatos, emri i tij. Kjo fjalë e stisur mençurisht prej Fatosit, e ngrohtë dhe përjetësuese, ka kaluar çdo cak, kufi dhe imagjinatë, duke u bërë e njohur në saitet më me famë turistike të botës. Sivjet, në gusht, kur isha me pushime, meqenëse isha jo më shumë se 500 metra larg njërit prej komplekseve të tij gjigant "Blue Fafa", mendova t'i bëja një vizitë të shkurtër për t'i thënë, të paktën një fjalë: "Fatos, ti je një djalë i mirë, i suksesshem dhe i kujdeshem"! Dhe kaq. Njoftova dy miqtë e mi të Durresit, Hajri Nuhun dhe Gëzim Aliajn dhe iu thashë që të vinin te unë dhe bashkë të takoheshim me Fatosin. Ata e mirëpritën idenë, u lidhën me Fatosin dhe e realizuam takimin, këtë radhë te "Fafa Premium", kompleksi i mëparshëm, një kompleks edhe ky gjigant, për të mos thënë sa një lagje qyteti rural.
Pas nje bisede prej gati dyorëshe, unë i dhurova Fatosit me autograf një nga librat e mi, “Udhëtimet e mia nëpër Shqipëri”, të cilin e kisha marrë kastile që nga Tirana dhe që besoja se për të ishte i vlefshëm me që brenda ai ka objekt turizmin dhe zgjerimin e hartës turistike në Shqipëri. E priti me kënaqësi, natyrisht, ishte brenda limerit të tij. Fatosin e kisha njohur më tepër nëpërmjet medias së shkruar apo vizive për kontributetet e çmuara që ka dhënë në fatkqësinë natyrore të tërmetit të dhjetorit 2019, ku ai strehoi dhe mbajti me ushqim e fjetje 600 persona të mbetur të pastrehë, kryesisht familje të këputura, njerëz me aftësi të kufizuara, tetra dhe paraplegjike. Çeli madje dhe një kopsht për fëmijët e vegjël. Kisha dëgjuar nga miqtë e mi të shoqatës “Tomorri” në Durrës për shpirtin filantropik dhe patriot të tij. Sa herë ata kanë nevojë, ai, jo vetëm lëshon mjediset e kompleksit të tij për veprimtari të ndryshme kulturore dhe artistike të kësaj shoqate dhe të tjera si kjo, por edhe i sponsorizon ato, siç janë formacionet e mëdha artistike, sportive, apo edhe eventet e konkurseve “Mis Albania”, “Mis Globi”. E paharrueshme, emocionuese dhe e pa përsëritshme për bashkëpatriotët e tij ka qenë veprimtaria që ai e organizoi vitin e kaluar, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, me breza të tërë nxënësish dhe mësuesish të shkollës së mesme të Poliçanit, ku ai kishte qenë nxënës dhe ku i ati i tij, Faik Cerenishti, kishte qenë mësues. Të gjitha mjediset e kompleksit atë ditë kur ishim ne aty, ishin plot me pushues, kryesisht të huaj, çekë, polakë, ukrainas dhe nordikë. Maxhordomi na çoi në një sallë të pa hapur (për shkak të numrit të kufizuar te pushuesve këtë vit nga pandemia Kovid), ku bashkë me një mikun e tij nga Mallakastra (falje, qe nuk i mora dot emrin) po na priste Fatosi. Na doli përpara me atë buzeqeshjen e tij karakteristike dhe të përhershme që vetem ai di ta japë. Dalëngadalë në bisedë e sipër mësojmë se kush është Fatos Cerenishti dhe "FAFA" famëmadhe e tij, zbulojmë sa djersë, mund e sakrifica janë dashur për të arritur aty ku është. Personalisht i kam dashur dhe i dua njerëzit e suksesshëm, sepse e di sa e vështirë është. Edhe vetë Fatosi, kur kthen kokën pas, habitet me gjithë atë gjë të madhe që ka bërë, me gjithë atë lartësi që është ngjitur... “Por mos harro se aty janë netë pa gjumë, janë ditë që nuk ngryseshin, janë djersë që i hiqte vetëm dushi i darkës, janë borxhe tregtie që të gërryjnë shpirtin deri sa t’i lash, ndërkohë që të zë një borxh i ri më mbytës së i pari, janë moskuptimet dhe keqkuptimet me njerezit e tu më të afërt që nuk e kanë haberin e maleve të tu me halle”
... Dhe Fatosi vazhdon të tregojë historinë dhe “marrëzinë” e tij të biznesit që nga fillimi. Ishte oficer policie në një kohë tepër të ngarkuar me ngjarje dhe krime të një natyre të re që krijoi tranzicioni. U përshtat shpejt me këtë situatë dhe pati shumë sukses në punë. Në kohën e qeverisë Nano, rastësisht, u njoh nga shtypi me një lehtësi ligjore dhe fiskale që Kryeministri kishte bërë për të favorizuar biznesmenët vendas për trojet në bregdet, kur ligji i mëparshëm favorizonte të huajt. Kjo lehtësi qe shumë e përkohshme, si një vetëtimë në qiell të kaltër, të cilën ai e shfrytëzoi dhe mori truallin e “Fafa Premium” që ka tani. Natyrisht, me truall pothuajse falas, ishte e lehtë të filloje, por nuk ishte e lehtë të vazhdoje. “Unë e di ç’kam hequr, vazhdon të tregojë ai, natë ditë në këmbë. Megjithëse kisha bërë kërkesë disa herë për lirimin tim si oficer policie, nuk më lironin. I vazhdoja të dyja punët. Dhe ia dola. Bëra kompleksin e parë. Dhe i pari bëri të dytin “Blunë e Madh”, të cilën, për hir të së vërtetës, e kam si dhuratë nga të huajt, nga turistët çekë e polakë që vinin e pushonin këtu e më shikonin se si punoja. Ata i kanë bërë projektet, kanë ndjekur punimet, më kanë ndihmuar madje pa interes edhe me financime. Pra në një farë mënyre kompleksi im është edhe i tyre. Ndaj dhe vijnë shumë turistë nga këto vende” – mbyll bisedën Fatosi. Pas një bisede prej gati dyorëshe, ajo që më bëri përshtypje, ishte se nuk “mu qa” asnjë herë, edhe pse këtë vit turizmi ishte në pikë të hallit. Faktin që ai punonte me gjysmë kapaciteti (dy hotele të pa vënë në punë) dhe me gjysmën e fuqisë punëtore për shkak të epidemisë së Kovidit, e mora vesh nga të tjerët dhe jo nga ai. Po nga të tjerët mësova se, në të dy komplekset e këtij operatori të fuqishëm turistik, punojnë në periudhë piku mbi 500 vetë, se në shërbimin hotelier ka mbi 1500 shtretër, se vetëm në një vakt ulen për të ngrënë 3000 deri në 3200 turistë dhe se në 5 kuzhina e restorante shefat janë të huaj, italianë dhe turq. Nuk mora të dhëna të tjera, por më thanë se të gjitha ato ishin befasuese. Suksese Fatos Cerenishti, kolos i turizmit shqiptar!
©Corovoda Online / Një shkrim nga Zylyftar Hoxha - Me të drejta publikimi për Corovoda Online