Çorovodë, 1998. Lart, Xhemal Molla, Shkëlzen Maliqi, Iliaz Kapxhiu, Ali Podrimja. Xhevahir Spahiu, Tomorr Çarçani; Poshtë, Zylyftar Hoxha. Gëzim Zylfo |
Të parët që erdhën në Shqipëri ishin, domosdo tregtarët, por edhe shkrimtarët dhe shkencëtarët kosovarë, të cilët i kishte djegur malli për kolegët e tyre të Tiranës, me shumicën e të cilëve njiheshin në distancë, nga letërkëmbimet apo nga ato që kishin lexuar për njeri-tjetrin, por jo për fytyrë.
Një grup intelektualësh kosovarë si: Ali Podrimja, Shkëlzen Maliqi dhe Agë Batusha, ekonomist në atë kohë, më duket në Belgjikë, pasi kishin bujtur për disa ditë në shtëpinë e Dritëro Agollit dhe Xhevahir Spahiut në Tiranë, vijnë bashkë me Xhevon në Skrapar.
Kur u kishte thënë Xhevua se do t’i çonte në vendlindjen e tij, në Skrapar, dhe jo vetëm në qytet, por edhe në mal të Tomorrit, në festën e përvitshme të bektashinjve, ata ishin lumturuar. Ishte një rast fatlum, që rrallë do ta kishte kosovar tjetër në ato vite për të hyrë thellë në Shqipëri, në Jug të saj, por edhe për të shkelur në malin e shenjtë.
Në një mbasdite vonë më bie telefoni i shtëpisë, nuk kishte cellular atëherë: “Xhevua jam, jemi në Skrapar, të flas nga 500 metra larg. Kam ardhur me disa shokë kosovarë dhe jemi te shtëpia e Iliazit (Kapxhiut), por Iljazi nuk qenka këtu, ka ikur në Tomorr”.
“Erdha”, i thashë.
Kur shkova unë miqtë kishin dalë në bahçen e shtëpisë së Iliazit, ishin ulur shesh në disa batanije që u kishte shtruar Ferruzeja, e shoqja e Iliazit.
Pasi u përshëndetëm, i them Xhevos, me qenë se s’ishte Iliazi, të shkonim nga shtëpia ime.
Ferruzeja që e dëgjoi këtë, u hodh dhe tha: “S’është Iliazi, “S’është Iliazi, por Iliazi nuk e ka marrë shtëpinë me vete, e ka lënë këtu! S’është Iljazi, ini ju zot shtëpie”.
“Burrneshë grua”, s’e mbajti dot veten Agë Batusha dhe nxori bllokun ku diçka shënoi, “por Iliazi nuk e ka marrë shtëpinë me vete, e ka lënë këtu! S’është Iljazi, ini ju zot shtëpie”.
Në darkë unë sipas zakonit mora gotën i pari dhe urova: “Gëzuar, u thashë, mirëse keni ardhur”! Dhe duke patur ndërmend fjalët e Ferruzesë, u thashë me të qeshur: “Edhe një herë gëzuar, dhe ta dini, se unë jam Iliazi”! Dmth, I zoti I shtëpisë…Qeshëm të gjithë, ndërsa Aga diçka shënoi përsëri në bllok.
Të nesërmen me një makinë që na i dhanë ata të komitetit (ende nuk ishin bërë emërtimet e reja) shkuam në Kulmak. Ishte dita e dytë e festës, kulmi saj. Në teqe kishte radhë për të hyrë, por kur na panë ne, na hapën udhë.
Pas një bashkëbisedimi të shkurtër me të ndjerin Haxhi Baba Reshat Bardhi, dolëm nga tyrbet. Edhe këtu, njerëzit mbanin radhë, sipas ritit hidhnin lekë që kishin taksur.
“Ç’është kjo?”, – thotë kurioz Aliu (Podrimja) .
Xhevua i shpjegoi ritin bektashi, sipas të cilit në vendet e shenjta hidhen lekë.
Atëherë Aliu nxori nga xhepi një tufë lekësh dhe bëri gati t’i hidhte.
“Dale, dale, i thotë Xhevua, jo të gjitha se na duhen, pastaj na duhen edhe për atje lartë në majë. Se atje është Abaz Aliu!…
Në këto e sipër një vajzë nga Gjerbësi, që dukej se kishte ecur me shpejtë, duke gulçuar tha:
“Më në fund u gjeta, sa jam lodhur”!
Ishte mësuese filloreje, një adhuruese e Ali Podrimjes që ia njihte të gjithë krijimtarinë. Dhe jo vetëm i dinte titujt, por dinte edhe shumë vjersha përmendësh.
Aliu mbushi sytë me lot kur ajo recitoi:
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
e vatrat shkimbur deri në një,
Zogun në qiell vrarë ta kanë.
Me duar të mia të çara
me rrashtat tona t’shpura mbuluar të kanë.
Pragje thyer e konaqe mbyllur…
Për gjithkë e për askë vrarëjemi…
Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Plepi im qiellin do ta shpojë,
plepi im i kallur –
qiellin e humbur majë një shpate.
“S’ma merrte mendja kurrë se do të dëgjoja këngët e mia në këtë mal kaq të lartë dhe të largët”, tha i prekur Aliu.
Aliu ka ardhur edhe dy herë të tjera në Skrapar bashkë me Xhevahir Spahiun
Kush ishte Ali Podrimja
Ali Podrimja, poet kosovar. Lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë, Kosovë. Është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër edhe në shkallë ndërkombëtare. Ndër veprat më të njohura të tij janë : “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005.
Podrimja jetoi në vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, çka u pasqyrua në të gjithë krijimtarinë e tij.
Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.
Më 18 korrik 2012 Ali Podrimja ishte i ftuar në festivalin e poezisë në Francë. Papritmas u zhduk. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Ai vdiq në rrethana të pasqaruara.
Krediti: Zylyftar Hoxha