Kur ka vdekur Sulejmani, unë mund të kem
qenë 11 vjeç. E kam parasysh si tani, të fiksuar më shumë nga
borsalinoja që mbante në kokë, të cilën s’e kisha parë te asnjë njeri
tjetër deri atëherë, nga gazeta që ai s’e ndante asnjë herë nga dora kur
rrinte jashtë te sofati i portës, por edhe te ajo paraqitja qytetare,
me një kostum të hirtë, të vjetër, me një kollare të hollë si ajo që
është edhe në këtë fotografi që po botojmë. S’e kisha parë të merrej me
asnjë nga ato lloj punësh që ka fshati, madje as të dilte nëpër fshat
apo në mbledhjet e ndryshme që në atë kohë ishin të shumta. Bënte një
jetë të mbyllur prej asketi. Dhe kështu, larg dhe i heshtur, kishte
fituar një autoritet absolut, jo vetëm në fshat, por edhe në tërë zonën.
Fjala e tij kishte peshë dhe të gjithë, madje dhe zyrtarë e nëpunës të
kohës, konsultoheshin me të për çdo hall apo problem që kishin.
Ashtu siç kam shkruar edhe për shumë patriotë të tjerë, kam shkruar edhe për Sulejmanin, për të cilin, si bashkëfshatar, e kam ndjerë si detyrë, si dëshirë dhe, në shumë raste, jam mburrur dhe jam ndjerë krenar me të.
Në këtë shkrim, ndryshe nga të tjerët që
kam bërë më parë për Sulejmanin, jam tepër i sigurt dhe i saktë, pasi
të dhënat i kam nxjerrë nga material arkivor, një biografi e shkruar në
mars të vitit 1959 nga i biri, Mehmet Veizaj (Qafa), në atë kohë mësues.
Biografia është kërkuar në atë kohë nga Fronti Demokratik i Shqipërisë
dhe personalisht nga ish-luftëtari Zylyftar Veleshnja, pasi ka patur
paqartësi, madje edhe denigrim të figurës së patriotit Sulejman Qafa.
Para se të shprehem më tej, dua të
sqaroj se si më ra mua në dorë ky material: Një miku im i vjetër,
publicist, Veli Hoxha, një ditë rastësisht duke gërmuar në disa
materiale të vjetra të vjehrrit të tij, Ramiz Mustafa, ish-punonjës i
Arkivit Qendror të Shtetit, gjen dorëshkrimin e biografisë në fjalë.
Duke e ditur që unë, jo vetëm e kam fshatar, por edhe kam edhe lidhje
miqësore me familjen e njohur, Veliu i entuziazmuar, më merr në telefon
dhe më flet për “xhevahirin e rrallë” që kishte gjetur dhe që është një
fletore shkolle e mbushur plot. Pasi e shfrytëzova për këtë shkrim,
fletoren ia dhashë djalit të Mehmetit, nipit të Sulejmanit, Përparimit
(Veizaj) që banon këtu, në Tiranë.
***
Sulejman Veizaj (Qafa) u lind në vitin
1870 në fshatin Qafë të Skraparit në një familje të varfër fshatare. Që
në rininë e tij të hershme u dallua për cilësi të rralla njerëzore,
ndershmëri, zgjuarsi dhe inteligjencë, çka e bënë atë të dallueshëm nga
moshatarët e vetë në fshat dhe në zonë. Shkrim e këndim mëson në fshatin
fqinj, Vëlushë, nga një tregtar nga Përmeti që kishte dyqanin aty.
Shkonte vetëm natën, pasi linte punët në bujqësi dhe mësonte nga një
gërmë në natë.
I detyruar nga gjendja ekonomike e
familjes, shkon të punojë në Selanik, ku kishte edhe shumë shqiptarë të
tjerë. Nga natyra inteligjent, siguron një punë të mirë, nëpunës dogane,
e cila e ndihmoi të mësonte në mënyrë autodidakte dy gjuhë të tjera,
turqishten dhe greqishten.
Si nëpunës dogane shfrytëzon rastin dhe
dërgon libra dhe gazeta shqip të shoqërive patriotike jashtë për në
Shqipëri dhe në kolonitë e tjera shqiptare, në Sofje dhe Egjipt. Janë
vitet 1905-1908, kur veprimtaria atdhetare e Rilindjes kishte arritur
kulmin. Aty hyn në lidhje me shoqërinë” Drita”, Komitetin e Rilindjes
dhe botuesin Shahin Kolonja.
Puna e tij në Selanik vihet re, ndaj
vjen në Shqipëri, lidhet fillimisht me çetën e Gorë-Oparit ku qëndron
vetëm dy muaj. Pastaj vepron me çetat e Skraparit të Backës dhe të
Servet Zaloshnjes. Për veprimtarinë e tij kundër regjimit turk, në vitin
1911 arrestohet dhe burgoset.
Mbas shkatërrimit të Perandorisë Osmane
dhe Shpalljes së Pavarësisë, shkon në Vlorë. Qeveria e Ismail Qemalit e
ngarkoi me detyrën e kapterit të xhandarmërisë së Skraparit, që në atë
kohë ishte një funksion politik për të propaganduar Qeverinë e Vlorës,
për t’u mbushur mendjen fanatikëve turkoshakë mbi përparësitë e qeverisë
së re, por edhe për mobilizimin e forcave për mbrojtjen e territoreve
ku ishte shtrirë Qeveria e Vlorës nga sulmi i andartëve grekë në vitet
1913-14.
Ndërkohë në Çorovodë kishin ardhur si
nënprefekt dhe nëpunës të Qeverisë së Vlorës, Themistokli Gërmenji dhe
Baki Gjebrea nga Gjirokastra. Sulejmani bashkëpunon me ta duke marrë
pjesë në luftën për mbrojtjen e Qeverisë së Vlorës nga forcat e Esat
Pashë Toptanit.
Pasi prishet Qeveria e Vlorës, vendi
ndodhej në një gjendje kritike, mbeturinat pro turke dhe forcat e Haxhi
Qamilit u vendosën në Berat, Themistokli Gërmenji dhe Baki Gjebrea ikin
nga Çorovoda, pasi vendoset një nënprefekt tjetër aty, që ishte
përfaqësues i rebelëve. Nënprefekti i ri arreston me një herë
Sulejmanin. Gjatë bastisjes së shtëpisë, gjendet një letër që Baki
Gjebrea i dërgon Sulejmanit, ku i kërkon të mbledhë forca dhe të niset
drejt Beratit, kundër rebelëve që kishte zaptuar qytetin. Sulemanin e
çojnë në burgun e Beratit. Letra qe një provë për ta dënuar me vdekje.
Për fatin e tij, shpëtoi nga vdekja, pasi pas dy – tri ditësh nga
dënimi, erdhën forcat e Qeverisë së Durrësit, të cilat morën në dorë
Beratin dhe hapën burgjet.
Kthehet në fshat, por fati historik e
kishte caktuar të mos bënte jetë të qetë, forcat e andartëve greke po
vërshonin me furi mbi të gjithë Skraparin. Me një çetë vullnetarësh, zë
pritë në Galinat e Qafës. Të paktë në numër, në këtë përpjekje të parë
vetëm sa i çoroditën forcat armike. Më pas me më shumë luftëtarë zunë
malin e Vlushës. Në fshehtësi të plotë rrethuan fshatin ku ishin forcat
greke. Pas disa orë luftimesh, vritet komandanti i andartëve grekë,
Kostë Piçorri, në krahun e të cilit nën një tatuazh shkruheshin këto tri
gërma greke: KPS, që thoshin, Kostë Piçorr Samarin.
Të informuar për veprimtarinë e
Sulejmanit, andartët dogjën tërë fshatin Qafë. Domosdo flakët e para
dolën në shtëpitë e Sulejmanit. Familja shkoi muhaxhir, ndërsa ai
maleve, nuk dinte gjë për fatin e saj. E gjeti familjen pas shumë kohësh
në qiell të hapur në ullishtat e Vlorës.
Në vitin 1920, merr pjesë në Luftën e
Vlorës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, i pa mobilizuar, i çoroditur nga
ajo që po ndodhte qëndroi në shtëpi, me një simpati të lehtë për
austriakët, të cilët vinin shpesh dhe konsultoheshin me të.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit
1922-23 bën një fushatë të pashembullt që Skrapari të përfaqësohej me
bijtë e vetë në Parlament e jo me Vrionasit. Si rezultat i punës së
fortë, fiton grupi popullor.
Në vitin 1924 ndihmon fuqishëm Nolin në
marrjen e pushtetit dhe krijimin e qeverisë. Në një telegram të asaj
kohe shkruhet: “Zotit Sulejman Emin Qafa, Skrapar. Ju falënderoj
personalisht ju dhe popullin e Skraparit. Kryeministri Fan Noli”. Pas
telegramit vjen një urdhër me të cilin emërohet nëpunës për sekuestrimin
e pasurive të bejlerëve në Berat, ku qëndroi deri në fund të kësaj
qeverie. Rivendosja e qeverisë së Zogut qe me pasoja për të gjithë
përkrahësit e Nolit. Sulejmanin e arrestojnë dhe e internojnë në kampin
politik të Krujës.
Pas 14 muajsh kthehet në fshat bashkë me
të vëllanë, Dervish Rexhepin, edhe ky i internuar. Në këtë kohë
Sulejmani sëmuret nga një grip i rëndë dhe humbet përfundimisht
dëgjimin. Heq dorë nga çdo veprimtari, por, çuditërisht, një ditë i vjen
telegrafisht nga Tirana emërimi si kontrollor pyjesh në Berat. I
ndodhur në kushte tepër të vështira ekonomike, me shtëpi të djegura e të
rrënuara në fshat, shkon familjarisht në Berat.
Nuk vazhdon shumë dhe në vitin 1933, si
kundërshtar i Zogut, pushohet nga puna. Kthehet përsëri me familjen në
fshat, i vënë nën vëzhgim nga autoritetet vendore. Në këtë kohë bashkë
me të vëllanë, Dervish Rexhepin nisën të ndërtojnë shkollën e fshatit,
një godinë moderne për kohën, ku filloi mësimi në vitin 1936.
I moshuar, në bazë të ligjeve të kohës,
fitoi një pension të vogël. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e
gjeti në moshën 80 e ca vjeç, kur, veç dëgjimit, kishte humbur të gjitha
aftësitë fizike. Megjithatë kryen që nga fillimi për tre vjet radhë
detyrën e kryetarit të këshillit nacionalçlirimtar të fshatit. Disa herë
komandantët e Ballit Kombëtar që vepronin në Skrapar deshën ta
shfrytëzonin pozitën e tij si njeri publik, si një patriot dhe luftëtar i
vjetër, por ai u dha përgjigjen e merituar, duke ruajtur fshatin, por
edhe zonën për rreth nga ndikimi i tyre.
Në vitin 1951, kur u bë rishqyrtimi i
pensioneve, i u pre pensioni padrejtësisht, me pretekstin se kishte qenë
xhandar në vitin 1912(!), xhandar i qeverisë së parë shqiptare të
Ismail Qemalit!…Megjithatë ai nuk u dëshpërua nga kjo padrejtësi e
madhe, mbi të gjitha morale. Në vitin 1954 u paralizua dhe u qorrua
plotësisht. Vdiq më 12 janar të vitit 1957.
Fëmijët e tij, Mehmeti, Emini, Skënderi,
Feriti dhe Drita ecën në gjurmët e të atit, ata dhe fëmijët e tyre më
pas ruajtën dhe ruajnë traditat më të mira të kësaj familje të madhe dhe
të njohur në tërë krahinën e Beratit dhe të Skraparit.
Qëndrim i çuditshëm ndaj figurës së këtij atdhetari të njohur
Në vitin 1959, pas vdekjes së
Sulejmanit, Mehmeti djali i tij, i pakënaqur nga trajtimi i figurës së
të atit, i cili kishte bërë aq shumë dhe nuk gëzonte asgjë, as status
veterani, as pension, iu dërgon një letër autoriteteve të kohës, ku
kërkon arsyet e këtij qëndrimi mospërfillës si ndaj figurës së
Sulejmanit, por edhe ndaj pasardhësve të tij, që jo vetëm ishin lënë në
kushte të mjerueshme dhe pa asnjë ndihmë, por edhe shiheshin vëngër nga
regjimi i asaj kohe. Ka qenë kjo arsyeja që Zylyftar Veleshnja ka
kërkuar me urgjencë një biografi të hollësishme të veprimtarisë së
Sulejmanit, të cilën e ka shkruar Mehmeti dhe në esencë është ajo që
kemi botuar në këtë shkrim. Pas kësaj, figura e Sulejman Qafës u
rehabilitua disi, në vitin 1980, me rastin e 60-vjetorit të Luftës së
Vlorës mori Medaljen Për Veprimtari Patriotike. Dhe kaq, askush nuk
është kujtuar më pas për të, megjithëse ai ka qenë aktiv në Qeverinë e
Vlorës të vitit 1912 dhe duhet të ishte përmendur me rastin e
100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Peng i Sulejmanit, trajtimi i Haxhi Qamilit si patriot.
Në biografinë e shkruar nga Mehmeti për
të atin thuhet se Sulejmani, sidomos pas çlirimit, lexonte shumë, ç’t’i
binte në dorë, por më tepër gazetën “Zëri i Popullit”, të cilën nuk
ndante nga dora. Kishte peng shtrembërimet e ngjarjeve historike ku ai
kishte marrë vetë pjesë dhe e dinte se si ishin në të vërtetë dhe se si
përshkruheshin tani vonë. “Do të shkoja i qetë dhe i gëzuar, thoshte ai,
sikur të shihja historinë e pastër ku të mos figuronte emri i Haxhi
Qamilit si patriot, por si tradhtar, si fetar që kishte në shpirt
Anadollin dhe Stambollin dhe që me bajrakun e Turqisë në dorë luftonte
idenë e kombit shqiptar, luftonte dhe vriste patriotët e Rilindjes,
luftonte flamurin e bukur shqiptar dhe që thoshte: Ç’janë këta kaurë që
duan të na copëtojnë mbretërinë e osmanllisë…Ky është një gabim i
pushtetit popullor. Udhëheqësit e sotëm janë të rinj, nuk e kanë parë me
sy dhe nuk e njohin këtë tradhtar. Sikur të isha në gjendje të vija një
herë në Tiranë dhe t’i thosha qeverisë ta heqin nga historia këtë emër
si patriot dhe ta vënë si tradhtar”!…
Qafë, Skrapar 1914: dimër dhe armiq
Nga ditari i Sotir Treskës, botuar në revistën “Ylli i Mëngjesit”, 1917, Boston Mass SHBA
Sotir Tereska, dyqanxhiu i fshatit
Panarit, një ndër aktivistët e luftës për Pavarësi, mik i Themistokli
Gërmenjit në ditarin e tij, botuar në revistën “Ylli i Mëngjesit”, 1917,
përshkruan ngjarjet e asaj kohe.
Ndër të tjera në ditar ai përshkruan
edhe një udhëtim të datës 20 janar 1914, ku bashkë me një grup prej 12
vetësh shkojnë nga Panariti në Çorovodë për të takuar Themistokli
Gërmënjin, ndërkohë që në Panarit, Treskë e Trebickë kishin pllakosur
andartët grekë. Takimi me Themistoklinë do të bëhej për t’u organizuar
dhe vepruar për t’i bërë ballë pushtimit grek.
Në ditarin e tij Sotir Treska, veçse
tregon se ç’po ndodhte ato ditë në Panarit dhe disa fshatra të
Skraparit, përshkruan edhe udhëtimin për në Çorovodë. Në shënimet e tij
ka edhe një përshkrim për fshatin Qafën dhe për Sulejmanin, në
shtëpinë e të cilit bujtën atë natë.
Ja ç’thotë ai ndër të tjera:
“U nisëm për udhë, por me zemër të
thyer dhe plot hidhërimë. Nata na zuri në Potom, po këtu nuk mundëm të
gjenim jo vent për të fjetur po as bukë, se ishtej mbushur plot
refugjatë. Muarëm udhë, dyke vendosur të harrijmë në fshatin Qafë.
Kur harrimë ne qaf e Potomit, nuk
ishtej ngrysur mirë. Ndenjëm të çlodhemi pakë e të marrim frymë.
Panorama përpara nesh ishtej e bukur, se vendi i lartë ku po rrijmë për
të dëfryer shpirtin brengosur, na lintej të shikonim fshatra të bukura,
vende të shtruar dhe të thyer.
Të veshur me dushk, male të unjët
dhe të lartë, ku me pyll të dendur ku të rrallë; ku të lërur e mbjellë e
ku të shkretë e pa zot. Kundreq nesh qëndronte mali i lartë i Tomorrit,
me krye të bardhë përpjetë, me shtatin të drejtë e të lartë, i cili
shikon në të gjithë anët e Shqipërisë dhe adhurohet prej popullit, si
një sent i shenjtëruar.
Pëshpëllima e fletëve të dushkut,
dyke u tundur prej erës qëruar të vendit, fylli i bariut, zilet,
këmborët dhe blegërimat e bagëtive, ishin muzika më e bukur, që
ngazëllonin shpirtin e brengosur dhe dëfrenin zemrën e hidhëruar.
Pas dy orë udhe nëpër errësirën
natës, harrimë në fshatin Qafë ku hoqëm dreq për në shtëpinë e
atdhetarit të flaktë z. Sulejman Qafa, ndonëse ishim 12 shpirt, po, u
pritmë kaq mirë sa unë dhe shokët kemi nga një kujtim të pa harruar në
zemrat dhe në mendjet tona.
Të nesërmen në mesin e ditës harrimë në Çorovodë.
(Marrë nga libri “Masakra e Panaritit”, Petrit Zeneli, faqe 117-118)