Së bashku me ju, Corovoda Online do të ndalet përmes këtij shkrimi në një studim shkëputur nga libri "Visare të Skraparit" një botim i shtëpisë botuese "Albatros 2008" nga Viktor Bakillari. Së fundmi një ndër fjalët plot mister që po bëhen pjesë e fjalorit të përditshëm, me shpeshtësinë e saj në shkrime e materiale të ndryshme, është ajo: "Dodona". Mes dilemes Dodona e Janinës apo e Tomorricës (Berat - Skrapar) nis ky studim:
nga: Viktor Bakillari
Gjatë vitit shkollor 1990-1991 punova si mësues i gjuhës frënge në Shkollën e Mesme “Pehlivan Dorozhani” në Zhepë. Rrugën nga Greva në Zhepë së bashku me mësuesit e pasionuar Petrit Shallari, Aranit Bakillari, Albert Shallari, Rystem Zhuri (nga fshati Postenë), Idajet Shatro (nga Leskova) e përshkonim në këmbë. Me fjalë të tjera, kur shkonim në shkollë, Tomorrin e kishim në të majtë, kur ktheheshim, në të djathtë. Kënaqeshim me gjatësinë dhe madhështinë e tij. Nuk ngopeshim së e parë.
Një shkrim i shkëputur nga libri: "Visare të Skraparit" - Botim nga Albatros - 2008
Autori i këtij Libri: Viktor Bakillari
Botimi në Corovoda Online me autorizimin e vetë autorit.
© Corovoda Online
nga: Viktor Bakillari
***
Zoti i
Madh, apo Allahu i Madhërishëm, apo Dodona Pellazgjike, apo Baba Tomorri, apo
me emër përmbledhës FATI deshi që unë të lindja në fshatin Grevë. Ky
fshat ndodhet në krahinën e Tomorricës dhe ka përballë Malin e Tomorrit.
Dritarja e dhomës në të cilën flija kur isha fëmijë shikonte nga Tomorri. Kur
vija t’i ndihmoja nënës (nënes në të
folurën e atyre anëve) në Gjinishtë dhe në Dumbravë (toponime, këto, të fshatit
Grevë) sodisja krejt Tomorrin, që nga rrëza e lumit Tomorricë e deri në majë.
Kur shkoja gjatë pushimeve të verës (ndërsa isha nxënës në shkollën 8-vjeçare)
bashkë me shokët në mal për të mbledhur çaj dhe lule, përsëri nga Shkëmbi i
Postenës, nga Kestreci, nga Liseci, nga Qafa e Gjarpërit (e Gjalprit sipas
banorëve të zonës), nga Guri i Prerë,Tomorrin e kishim në pëllëmbë të dorës. Na
bënte gjithnjë përshtypje me lartësinë e tij. Na dukej sikur prekte Qiellin.
Në klasën e katërt, ndërsa mësuesi i gjeografisë shpjegonte
se vendi ku duket sikur mali puqet me qiellin quhet vija e horizontit, një shok
i klasës mori guximin dhe i tha mësuesit:
O mësues, pse thatë: duket sikur puqet? Në
Tomorr, Qielli bashkohet vërtet me majën e Tij.
Mësuesi
qeshi çiltër me naivitetin e shokut tonë dhe i tha se kur të ngjitej në majën e
Tij do të bindej...
***
Gjatë vitit shkollor 1990-1991 punova si mësues i gjuhës frënge në Shkollën e Mesme “Pehlivan Dorozhani” në Zhepë. Rrugën nga Greva në Zhepë së bashku me mësuesit e pasionuar Petrit Shallari, Aranit Bakillari, Albert Shallari, Rystem Zhuri (nga fshati Postenë), Idajet Shatro (nga Leskova) e përshkonim në këmbë. Me fjalë të tjera, kur shkonim në shkollë, Tomorrin e kishim në të majtë, kur ktheheshim, në të djathtë. Kënaqeshim me gjatësinë dhe madhështinë e tij. Nuk ngopeshim së e parë.
Gjithnjë më ka joshur dhe më ka tërhequr ky mal. Gjithnjë
kam dashur të di sa më shumë për të dhe për gjithçka që lidhet me të: për të
dhënat e tij, për atë çka kanë thënë e shkruar tanët dhe të huajt, për
legjendat dhe gojëdhënat. Kujtoja se kërshëria ime për këtë mal do të venitej
një ditë prej ditësh nga moria e punëve që mbysin njeriun, por ja që jo dhe jo.
Duke lexuar, dëgjuar, biseduar, madje dhe hamendësuar për këtë mal u përpoqa që
të shtjelloj dhe përmbledh disa të dhëna përshtypjebërëse, nga autorë të
ndryshëm që nga ata më të lashtët deri te të mëvonshmit, sidomos P. Ikonomin,
për t’iu përgjigjur sa më mirë të vërtetës. Këto të dhëna shpresoj se do të
shuajnë disi kërshërinë e të interesuarëve dhe të kureshtarëve sidomos atë të
të rinjve skraparas që nuk kanë pasur kohë, mundësi dhe rast për t’i mësuar.
***
Tomorri,
sipas ndarjeve të gjeografëve dhe historishkronjësve të moçëm bënte pjesë në
Pellazgji. Më vonë, pas qindra dhe mijëravjeçarësh, krahina në të cilën Ai
ndodhej emërohej me emrin Iliri dhe shumë më vonë Toskëri. Tomorri ka për
Shqipërinë rëndësinë që ka Olimpi për Greqinë, madje dhe më të madhe. Sipas
disa studiuesve seriozë, selia prehistorike fillestare e perëndive të moçme të
stërgjyshërve tanë pellazgo-ilirë nuk ka qenë, siç mëtohet, në Olimp, por... mu
në Tomorr. Pa e tepruar aspak, mund të themi se ky Mal ose BABAMAL (siç thotë
poeti ynë Xh. Spahiu, për nder dhe respekt të Shenjtërisë së tij) është një
ndër monumentet më të mëdha natyrore kombëtare të Shqipërisë.
Konstandin
Kristoforidhi nga Elbasani (1827 – 1895) nuk njihet vetëm si i pari
mjeshtër i shqipes që ka studiuar me themel të dy dialektet e shqipes atë Gegë
dhe Toskë, por dhe si një adhurues i Malit të Tomorrit.
Në vitin
1884 Kristoforidhi shkroi tregimin “Gjahu
i malësorëvet”. Fatkeqësisht vepra nuk u botua në gjallje të autorit. Atë e
botoi Konica në njërin prej tre
dialekteve që e kishte shkruar autori; në atë toskërisht, në revistën Albania në vitin 1902. Nëntitulli
i këtij tregimi është shumë domethënës: HIEJA
E TOMORRIT. Vepra u shkrua prej tij në dialektet toskërishte, gegërishte e
mesme dhe gegërishte e veriut. Qysh në faqet e para autori për qëllime
patriotike idealizon malin e Tomorrit.
Kristoforidhi është i bindur se Mali i Tomorrit është ruajtës i fateve të
Shqipërisë dhe ky mal u ka zbardhur armët Shqiptarëve. Ngjarjet e tregimit
Kristoforidhi i zhvillon në Malin e Tomorrit. Disa banorë të zonës, të bashkuar
shkojnë për gjah dhe ashtu të bashkuar vrasin kafshë (gjah) me bollëk. Kthehen
në shtëpi dhe e ndajnë gjahun sipas rregullave me short. Ata ndihmohen nga disa
shërbëtorë. Në variantin geg të
tregimit, autori sqaron dhe shpjegon se shërbëtorët e Shqiptarëve në atë kohë
ishin Grekë të cilët ishin zënë të
gjallë në luftën e Moresë nga Shqiptarët. Këta të fundit i njihnin shërbëtorët
për të huaj, e jo për bij shqiptarësh që luteshin në Hijen e Tomorrit dhe
kishin shqipen për shenjë të Zotit[1].
Fshatarët pasi ranë të gjithë në ujdi për të dalë për gjah, vendosën si të parë
të tyre Mark Shalë Gjatin. Ky do të jepte urdhra dhe të gjithë do t’i bindeshin
se kështu e kërkonte rregulli. Ja sesi u drejtohet ai shërbëtorëve:
[1] K. Kristoforidhi / Gjahu i malësorëvet, fq. 25 / Rilindja-Prishtinë
1968
-
Pa dëgjoni, ju, o shërbëtorë. Sot
pas mesditë, t’u hipni kuajvet e të vini sindonja njëzet veta ndë rëzët të
malit t’Tomorrit, atje tek të dëgjoni krismën’e pushkëvet që të na shërbeni e
të na ngarkoni gjahun që kemi për të bërë ndë dashtë Zoti të na sbardhë armëtë.
-
Fort mirë, o zotëri.
-
Edhe mbani vesh, o shërbëtorë, se
çpo u them yve.
-
Urdhëro, t’u ngjatë jeta.
-
Shikoni, o të mjerë, të mos i
afrohi fort malit Tomorrit, po të vini një shenjë pushke lark rëzësë malit, se
mal’i Tomorrit ka hie të rëndë e u shkel, a u hedh ndonjë koqe rrufeje e u
godit ndë majët kresë, e u depërton tej mb’at’anë, e u vret, e s’u lë pikë
gjallë.
-
E dimë, o zotëri, e dimë, se edhe
t’jem (tim V.B.) atë ashtu e vrau me rrufe e e doq e e
përcëlloi e e bëri si kërcu të zi.
-
Ashtu pra, ta dini të mos shkelni
ndë malt të Tomorrit se është vënt i mirë,
është mal i shenjtëruar. Aty e ka të
ndënjturit Zot’i Shqipërisë që ruan Malësinë, ay na ka ruajturë neve
Malësoritë e s’kemi rënë në dorë t’armikutë gjer më sot, edhe na ka për të na
ruajturë kurdo sepse atë kanë pasë luturë pleqtë tanë të vjetëritë, e gjyshatë
tanë e stërgjyshatë tanë e katërgjyshatë tanë, e gjithë të parëtë tanë moçëmit.
-
I qofshim falë, i qofshim falë,
Zotit të Madhit jetësë (thonë gjahtarët).
-
Ay është Zot’i fortë (thotë Mark
Shalë Gjati). Ay është që vrënon qiellin me mjegullë e me re e vetëtimë e
bubullimë, e hedh me rrufe e bie shi e breshër e dëborë: ju mos na vështroni
neve përse vemi ndë malt të Tomorrit, e gjuajm’atje e shkelëmë mb’atë vënt të
mirë sepse na njeh Zoti i Tomorrit se jemi Shqipëtarë e bij Shqipëtarësh[1]
neve s’na bën gjëkafshë Hieja e Tomorrit, po na pret me të mirë e na ruan e na
ndih e na sbarth armëtë[2]...
Duke kaluar në dialektin geg,
Kristoforidhi, vazhdon duke e komentuar dhe dhënë konsiderata për Malin e
Tomorrit (që të kuptohet më lehtë, po e përshtatim në shqipen standarde):
Mali i Tomorrit dergjet mu në mes të
Shqipërisë dhe është më i madh se të gjithë malet e Shqipërisë. Shqiptarët e
quajnë Tomorr, edhe kur flasin për të, thonë “Mali i Tomorrit”, dmth. Mali i të
Mirit, Mali i Hie-së, sepse Hie do të thotë
shqip, Zot, sikurse thonë edhe vend i mirë, vend i shenjtëruar, vend i
hienueshëm. Të gjithë Shqiptarët thonë , sipas fjalëve që kanë lënë pleqt e
parë, se Orakulla e Dodonës ka qenë në malin e Tomorrit, prandaj dhe
priftërinjtë e Dodonës kanë qenë quajtur Tomorët, të mirë, Tomorri. Të gjithë
shqiptarët besojnë gjer më sot se mali i Tomorrit është i hienueshëm dhe se aty
ka të ndenjunitë (selinë V.B.) Hieja
e pleqëve të parë, dmth. e Shqiptarëve të vjetër, prandaj vit për vit ngjiten
në majë të malit të Tomorrit, e i luten Zotit[3]...
Kristoforidhi qysh para Naimit, Çajupit, pohon se te mali i
Tomorrit rri Zoti, rri i madhi i jetës, rri ai që ruan Shqipërinë dhe nuk i lë
Shqiptarët të bien në dorë të armiqve. “I
qofshim falë ati Zoti. Hieja e ati na mbuloftë e na ruajtë e na sbarthtë armët
në luftë.[4]
” Kur një personazh pyet se kush i shërben Zotit të Tomorrit, Kristoforidhi
vë në gojën e një personazhi tjetër:
-
Shqipet e malit i shërbejnë, ato
janë ëngjëjt’e ati përandaj edhe neve na thonë Shqipëtarë, sepse lusim Zotin e
shqipeve edhe jemi të fortë posi ato, edhe shokët e atyre tek kanë bërë foletë shqipet ndëpër shkëmbet
e ndëpër shkrepat e maleve, atje kemi ngritur shtëpitë edhe neve Malësorët[5].
Nëntitulli
që Kristoforidhi i ka vënë tregimit të tij Hieja
e Tomorrit është interesant dhe ia vlen vërtet të përqendrohemi pak. Fjala hije është një fjalë polisemike
(shumëkuptimëshe) shqipe e stërlashtë. Kuptimi përmbledhës i saj është: vend ku
nuk bien rrezet e diellit, vend që s’e rreh dielli. Po a përdoret me këtë
kuptim në veprën e Kristoforidhit? Duke e lexuar vërejmë se jo, nuk është
përdorur në këtë kuptim. Mbasdite dhe në mbrëmje po, krijohet një gjysmerrësirë
por në këtë vepër nuk flitet për këtë aspekt. Një kuptim tjetër i fjalës Hije (kuptim konkret dhe figurativ)
është: vend i mënjanuar që nuk bie në sy. Edhe ky kuptim i kësaj fjale është
shumë larg atij çka ka dashur të shprehë autori. Kuptim tjetër (figurativ) i
kësaj fjale është: Pamja e një njeriu a e
një sendi që na bie në sy në tërësinë e
tipareve të një njeriu a të një sendi dhe na krijon një përshtypje të caktuar.
Besojmë se ky është njëri nga kuptimet e fjalës hije që figuron në librin e
Kristoforidhit. Tomorri ka hije të rëndë. Por nuk mjaftohemi vetëm me kaq.
Kuptimi tjetër i fjalës hije që na intereson është dhe ky tjetri që vijon: Pamje e bukur dhe e mirë e diçkaje; të qenët
i hijshëm; hijeshi, bukuri, pamje, dukje. Një rrëfenjë me Zotin (Allahun)
tregohet kështu: Profeti Musa (Mojsi) deshi të shikonte Zotin, bukurinë e tij.
Ai nuk e lejoi se bukurisë së tij nuk mund t’i rezistonin sytë e njeriut.
Profeti nguli këmbë duke iu lutur që ta shikonte. Atëherë Zoti i tha se do të
lëshonte te faqja e një mali përballë një grimcë të hijeshisë së tij (fjala
hijeshi do të thotë shumë i bukur, bukuri e skajshme). E porositi Profetin të
kthente shpinën dhe vetëm pasi t’i thoshte Zoti që të kthehej, ta shikonte,
atëherë do të kthehej. Kur Profeti u kthye për ta parë, u habit. Zoti e kishte
shkrumbuar gjithë faqen e malit, profeti ra pa ndjenja dhe kur u përmend i
kërkoi falje Zotit. Mali nuk i kishte rezistuar dot grimcës së hijeshisë së
Zotit. Nëse do të bëjmë një paralelizëm në shkallë të përzvogëluar, këtë bukuri
(hijeshi) ka dhe mali i Tomorrit për armiqtë, për shërbëtorët në librin e
Kristoforidhit. Prandaj dhe personazhi kryesor i librit të tij i porosit
shërbëtorët që t’i rrinë larg e të mos i afrohen se Tomorri ka hije të rëndë.
Armiqve dhe shërbëtorëve të Shqiptarëve Tomorri me hijen e tij u bën gjëmën,
ndërsa Shqiptarët dhe bijtë e tyre Ai i njeh prandaj dhe i mirëpret e nuk u
shkakton dëme. Po kështu ndërtesa e parë që iu përkushtua Zotit në Tomorr ishte
shumë e bukur, kishte hijeshi të madhe, ndoshta dhe për këtë arsye fjala
tempull, faltore përkon me fjalën e parë shqipe në fushën e adhurimit të
Zotit: HIJERORE. Shkurt kjo fjalë
është barasvlerës i fjalës shqipe FALTORE. Kjo fjalë nuk do të thotë
asfare ndërtesë, ngrehinë e ngritur në hije, por ndërtesë e ngritur me hijeshi,
pra bukur shumë.
***
Rilindësi
ynë, Çajupi, një nga poezitë e
tij e titullon “Baba Tomorri”. Poezia përshkohet tejendanë nga grishja që i bën
autori shqiptarëve që të bashkohen pa dallim feje. Poezia nis me përshkrimin
lakonik që i bëhet Tomorrit.
Baba-Tomor,
kish’ e Shqipërisë,
Mal
i lartë, fron i perëndisë,
Tek
ti vinin njerëzit që moti
Për
të mësuar se ç’urdhëron zoti[6]...
Duket
qartë se qysh në kohët e mugëta njerëzit vinin (ngjiteshin) në Tomorr për të
parë fatin e tyre.
***
Qenia
e epërme, krijuesi i gjithçkaje njihet nga njerëzimi me emrin Zot. Ai është
kudo, aty ku e rrok dhe ku nuk e rrok mendja. Megjithatë është fakt se sa herë
që kemi nevojë për Të, njerëzia kudo që ndodhet, nder duart nga Qielli dhe
sytë, po kështu, i tret po në Qiell. Duke e pranuar apriori se Zoti (selia e
Tij kryesore) është në Qiell, njeriu mundohet që t’i afrohet sa më shumë atij.
Dhe mënyra më e logjikshme për t’iu afruar
është ngjitja e lartësive, dhe me lartësi vetvetiu nënkuptohen malet,
dhe për të shkuar në mal, logjika kërkon që në të të ngrihet një faltore dhe atje
njerëzit me kënaqësi i bëjnë blatime. Po kështu e njëjta gjë ndodh dhe me anën
e kundërt të kësaj logjike. Gjithnjë Zoti ndodhet kudo dhe selinë kryesore e ka
në Qiell. Ai kujdeset për njerëzinë. Duke zbritur poshtë kufiri i parë i Tokës
për Të (ashtu si dhe për Dritën) janë lartësitë, pra malet, prandaj dhe
njerëzia i ngre faltoret nëpër lartësi dhe nëpër vendet më të bukura dhe më
dominuese.
Nisur
nga kjo logjikë Mali i Tomorrit i plotëson këto kushte: pra është i lartë, i
bukur, dominues, në zemër të Shqipërisë, që njerëzit të kenë mundësi të vinë
nga të katër anët e Dherit. Ashtu siç veprojnë njerëzit për ndërtimin e qytetit
duke e menduar dhe zgjedhur mirë qendrën e tij, edhe vet Zoti e krijoi Tomorrin
e Shqipërisë në mes të saj që ai të jetë i arritshëm nga skajet e saj.
Gjithashtu përçohet brez pas brezi se njerëzia përreth, qysh në lashtësi,
dëshmuar kjo nga historianë seriozë duke filluar që nga Herodoti, Hesiodi,
Plini, Pindari, Plutarku, Straboni etj., etj. ka ngritur një faltore me emrin
Dodonë. Të gjithë të lartpërmendurit si dhe shumë të tjerë thonë se Dodona
është ngritur në malin e Tomorrit. Gjetja e kësaj faltoreje përbën çelësin e
historisë pellazgo-ilire si dhe dëshminë kyç të historisë së racës sonë
pellazgo-iliro- shqiptare. Dodona Pellazgjike e Tomorrit është zanafilla,
rrënja dhe burimi i qytetërimit pellazgo-ilir dhe atij greko-romak.
Të
gjithë këta burra të mençur kanë shkruar e përshkruar (siç do ta shikojmë më
tej) për faltoren e Dodonës, por
megjithatë deri më sot nuk janë vërtetuar koordinatat e sakta të saj. Kjo
faltore fillon e përmendet që në Iliadën e Omirit (Homerit), një poemë epike,
kjo, e stërgjatë, që në origjinal përbëhet nga afro 16.000 (gjashtëmbëdhjetë
mijë) vargje dhe ndahet në 24 këngë sipas shkronjave të alfabetit grek. Për të
kuptuar lashtësinë e Dodonës të dëshmuar me shkrim, le të themi se ngjarjet në
Iliadë (Iliada e mori këtë emër nga qyteti
Iljon njohur ndryshe dhe me emrin Trojë) zhvillohen në shek XII para
erës sonë (lufta e Trojës u zhvillua në këtë shekull), ndërsa poemat homerike
janë përfunduar rreth shek VIII-VII para J.Krishtit. Mendohet se Homeri ka
jetuar rreth shek. VIII para erës sonë.
- “Mbret i Pellazgve dhe i Dodonve, o
Zeus,
ti
që nga larg nën urdhra mban Dodonën
me
akuj dimnit, ku rrojnë priftënt Selas,
që
kurrë s’lajnë kambë e flejnë me bri për tokë[7]...
Krahas Iliadës,
Dodonën pellazgjike e ndeshim dhe te vepra tjetër madhore e Homerit; te Odisea.
Në librin XIX; 290 shkruhet:
Pastaj
thonte se kishte vajtur në Dodonë për t’u këshilluar me hyun
dhe
për të dëgjuar nga lisi i gjatë fallxhor
mendimin e Zeusit,
në
se duke u kthyer në atdheun e tij,
pas
një kohe të gjatë, të tregonte ose jo se kush ishte.
Në poemat e Homerit ka grimca informacionesh
interesante për historinë e Ilirisë, si për shembull, për pjesëmarrjen e fisit
të pionëve në luftën e Trojës, për lokalizimin e vendbanimeve të tyre, për
pjellorinë e tokës së Epirit etj. Këto të dhëna kanë një rëndësi të veçantë
sepse janë njoftimet e para të shkruara që kemi për historinë e Ilirisë.
Babai
i Historisë, Herodoti (484-420 para J.K.), në librat e tij përveç historisë së grekëve dhe persëve paraqet dhe
ngjarje nga historia e atyre popujve, me të cilët ata kishin marrëdhënie. Vepra
e tij përmban të dhëna me përmbajtje gjeografike dhe historike. Në veprën e
Herodotit gjejmë dhe shumë të dhëna të rëndësishme për pellazgët. Përveç
këtyre, ai është i pari autor që zë në gojë emrin e ilirëve. Në veprën e tij
gjejmë dhe të dhëna mbi mënyrën e jetesës
së njerëzve të epokës së tij, zakonet e tyre si dhe për tokat dhe kullotat
e Apollonisë. Të dhënat e Herodotit janë të sakta çka dëshmohet dhe nga gjetjet
arkeologjike. Herodoti, sipas Naimit, thoshte se në Tomorr që moti rrinte vetë Zoti.
Në vjershën “Shqipëria” Naim Bej Frashëri shkruan:
Gjithë
bota vin që moti
Në
Tomorr ku ishte Zoti
Që
t’i falen Perëndisë
Zotit
madh të Gjithësisë.
Në librin IV-33 Herodoti flet për
fatthënësit e Dodonës. Në librin II. 53-59 pohon se e ka vizituar këtë faltore
si dhe dëshmon se ky është tempulli i parë i ndërtuar në tokë, pra më i vjetri
nga të gjithë tempujt e tjerë. Te ky tempull, gjithnjë sipas Herodotit vinin
dhe bënin blatime edhe popuj të Evropës si dhe shumë njerëz nga Iliria e
Epërme. Ja se ç’shkruan ai në librin II., 52.
Pellazgët kishin zakon t’u flijonin
perëndive çdo gjë, sikurse mësova në Dodonë, dhe ata nuk kishin për ta ndonjë
emër, pasi nuk i ka dëgjuar njeri t’i thërrisnin me emra. Ata i thirrnin në
përgjithësi si perëndi, për arsye se pasi kishin vënë të gjitha gjërat në
rregull, mbanin ligjet e gjithësisë. Ata arritën t’i njohin emrat e
perëndive vetëm tepër vonë, kur i sollën
nga Egjipti (por emrin e Dionisit e mësuan, pasi mësuan emrat e perëndive të
tjerë). Më vonë ata vajtën për t’u këshilluar për këto emra tek orakulli i
Dodonës (ky orakull njihet si më i lashti i Helladës, dhe ishte atëherë i vetmi
në këtë vend). Pellazgët, kur pyetën orakullin e Dodonës në se mund t’i merrnin
këta emra që vinin nga barbarë, ai u përgjigj se mundnin. Që prej kësaj kohe i
kanë përdorë në flijimet e tyre, dhe më pas helenët i morën këto emra nga
pellazgët.
Pellazgët i adhuronin perënditë, madje siç tregon vet
Herodoti, helenët emrat e perëndive i kanë marrë nga pellazgët. Sipas
mitologjisë së vjetër faltorja e Dodonës e ka marrë emrin nga Dodoni, i biri i
Zeusit dhe i Evropës si edhe prej Dodonës, bijës së Oqeanit dhe Tithiës, e cila
ka qenë e bija e Qiellit dhe e Dheut. Priftërinjtë ose fatthënësit, sipas
historianëve të lashtë, quheshin Tomuri.
Fatthënat e tyre quheshin Tomure
ndërsa vetë mali quhej Tomuros ose Tmaros dhe në këtë mal, ndoshta në majë
të tij, ngrihej faltorja e famshme e Pellazgëve me emrin Dodona.
Pranë saj gurgullonte ujë akull i ftohtë. Krahina përreth Tomurosit quhej Tomuriasë.
Nga ky mal i shenjtë i Pellazgëve sipas historianëve të lashtë dukej deti.
Por
ç’do të thotë emri Dodonë?
Etimologjia
e kësaj fjale është e ndërlikuar. Disa mendojnë se ajo rrjedh nga greqishtja e
vjetër “figos”. Kjo fjalë në
shqip do të thotë vgje. Kjo na duket shumë e largët. Disa të tjerë mëtojnë se
ky emër rrjedh nga zëri i gjëmimit të rëndë; pra na del me origjinë nga një
fjalë onomatopeike. Tomorri ishte vazhdimisht i mbuluar me re, të cilat
ktheheshin në gjëmime, borë, breshër e në shi. Zhurma që shkakton gjëmimi mund
të përkthehet në letër “dodo”
nga ku dhe fjala Dodonë. Po kështu etimologjinë e kësaj fjale orvatet të na e
japë edhe Eustathi (1.VII.16). Sipas tij kjo fjalë rrjedh nga greqishtja
“dhidho, dhune” (shqip me dhënë).Vendi
i Dodonës quhej, sipas historianit, dhurat-dhënës
(greq.anisidhoros = drithëdhënës) dhe
dhënës i mjeteve të jetesës (greq. zoidhoros) dmth. dhedhënës
, dhé pjellor (tokë që prodhon) me një fjalë shqip: Dhedhana,
Dhodhona. Burimi kryesor i jetës në lashtësi ishte toka. Pra ajo ishte
dhënësja e mjeteve të jetesës. Për këtë arsye njerëzit e hershëm vendosën që
t’i ngrinin asaj në shenjë respekti, por dhe për t’iu lutur e falur
vazhdimisht, një tempull. Njerëzit besonin se duke vizituar këtë faltore, duke
i blatuar asaj (dhuruar, kushtuar si shenjë miradijeje e mirënjohjeje) gjëra të
shtrenjta, mendonin dhe besonin se dheu
(toka) i tyre do të (pro)dhonte
më shumë.
Hesiodi
( mesi i shek. VIII. para Krishtit), lindur në një familje fshatare
dhe marrë me bujqësi, shkroi dy
poema të gjata. Njëra prej tyre titullohet “Theogonia”
(Krijimi i Perëndive) me përmbajtje krejtësisht mitologjike, dhe tjetra “Erga kai hemerai” (Punë dhe ditë). Te
vepra e dytë jepen udhëzime për punimin e tokës si dhe një kalendar për bujkun.
Vepra e tij (Punë dhe ditë) përshkruhet nga mendimi se puna të jep nder, ajo
nuk është turp, turp është vetëm dembelia dhe se puna i sjell njeriut pasuri
dhe pavarësi. Në veprën e Hesiodit
ndeshim dhe disa vargje te të cilat flitet për fushat e gjera pjellore,
për kullotat e pasura, për kopetë e mëdha dhe për Dodonën në Epir. Le të shkëpusim
një fragment nga kjo poemë (134 (156)):
Është një fushë, Hellopia, shumë pjellore
dhe me luadhe të mira
e
pasur në dele dhe në qe këmbëharkuar;
këtu
banojnë burra me shumë kope gjedhësh
dhe
një sasi e panumërt fise mortarësh;
këtu,
në pjesën më të fundit është ndërtuar Dodona;
këtë
Zeusi e deshi që të jetë një faltore
e
vyer për njerëzit...
Po kështu Straboni
(58 para J.K. – 25 pas J.K),
i cili njihet si gjeograf i madh ashtu si Hesiodi, pohon se Dodona
gjendet larg kufirit të fundit të Epirit (Toskërisë). Me interes të veçantë për
ne janë librat VII dhe VIII.
Në librin VII. ai
flet gjatë për Dodonën duke iu referuar edhe Homerit. Midis të tjerash shkruan:
... Në atë kohë, pra, siç thashë, ndonëse vendi ishte i
ashpër dhe plot me male –Tomari, Polyani dhe shumë të tjerë-megjithatë gjithë
Epiri dhe Iliria ishin të pasura, kurse tani një pjesë e madhe e tyre është
shkretuar dhe vendet e banuara janë fshatra dhe gërmadha të braktisura. Fatin e
këtyre e pati deri diku edhe orakulli i Dodonës. Ky orakull, sipas Eforit,
është ndërtuar nga pellazgët. Për këta të fundit flitet se kanë qenë më të
vjetrit nga të gjithë ata që sunduan në Helladë; dhe poeti [Homeri] thotë
kështu: O Zeus, sundimtar dodonas, i pellazgëve” dhe Hesiodi thotë: “Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve.”
Në librin VIII. 7
shkruan: “Dodona është vend i fortë... Mali Tomorr në rrëzë të tij ka shumë
burime”. Pranë këtij mali jetonin Talarët
dhe zona njihej me emrin Talarija. Këta ishin pjesë e fisit të Molosëve. Rreth Talarëve kishte shumë kullota dhe dhera
moçalorë. Popullsia e asaj zone ishte shumë e pasur me bagëti si lopë, qe,
dhen. Të parët e tyre kanë qenë loparë.
Toponimet “Talar dhe Talari”që na jep Straboni meritojnë vëmendje. Këto fjalë
janë të ngjashme me fjalët Lalarë, (Lalë)
dhe Lalëri. Nga kjo konkludojmë se Lalët dhe Lalërija e dikurshme janë stërgjyshërit e Myzeqarëve dhe Myzeqeja e
sotme. Toponimi Lalar është i
trashëguar deri në ditët e sotme. Pranë Patosit, mbi qytet, ndodhet një mal.
Një nga majat e këtij mali quhet Maja e
Lalarit dhe një tjetër Qafa e
Lalarit e cila ka shërbyer si vend strategjik kundërajror i ushtrisë sonë.
Gjithashtu në librin 7, Straboni thotë se Dodona kishte një kambanë
shumë të madhe që tingëllonte gjatë. Megjithëse kambana ishte shumë e madhe dhe
e rëndë, atë arrinte ta lëvizte era. Kjo dëshmi tregon edhe një herë për motin
e ashpër që bënte asokohe në Tomorr.
Gjeografi
Meletios thotë se pranë tempullit
kishte shumë gra të cilat quheshin pëllumbesha. Ato ishin barbare. Fjala
“barbar” nuk ka kuptimin që ne ia dimë sot. Kjo fjalë, duke u kthyer prapa në
kohë, kishte kuptimin “gjuhëtjetërfolës”, pra ata që nuk flisnin gjuhën greke quheshin barbarë. Pranë Dodonës, sipas gjeografit
Meletios, ishte një pyll me lisa dhe me vgjenj. Vgje quhet pisha e butë. Sot e
kësaj dite në fshatin Grevë, pranë Dumbravës së Sipërme, ndodhet një pyll i
tillë me emrin Vgjeri.
Tit
Livi (Titus Liviusi) në librin VII, 3 shkruan se banorët përreth
Tomorrit hanin lende lisash dhe valanidhesh. Valanidhi është një lloj dushku me
trung të trashë e të lartë, me lëkurë ngjyrë hiri e të plasaritur, me gjethe
vezake dhe që prodhon lende të mëdha e me kapuç të gjerë. Krahas tyre njerëzit
hanin aso kohe në rrethinat e Tomorrit edhe stika (fistiqe) nga vgjenjtë e
butë, lajthi dhe arrë. Arra quhej aso kohe valanidh i Zotit (Dhios
valanos). Edhe sot e kësaj dite, sipër fshatit Gjerbës ka një pyll të madh me
lajthi. Gjithashtu në fshatrat e Tomorricës si në Mëlovë, Zaloshnje, Gjerbës,
Grevë, Kovoçanj, Postenë, Leskovë, Zhepë etj. ka shumë arrë, dhe prej të parëve
na është lënë si trashëgimi brez pas brezi, se këtë pemë e cila rron deri në
600 e më shumë vjet është gjynah ta
presësh. Priftërinjtë e faltores, si njerëz të zgjuar që ishin, u mësuan
banorëve përreth Tomorrit të punojnë (lërojnë) dherin dhe të mbillnin drithëra.
Plini
(Pliniusi), që i ka rënë Tomorrit rreth e rrotull, thotë se ka numëruar përqark Malit të Tomorrit, në
rrëzët e tij, 100 burime.
Bartolemeu,
mbështetur te Straboni në librin e
tij “Udhëtim
i të Riut Anakarsis në Greqi në mes të shekullit të katërt” [8]
në faqet 87-90, përmend se nuk mundi të shkonte në Dodonë pasi dimri në të
ishte shumë i egër e i vrazhdë. Në ato anë si fisi më i shkëlqyer përmendet ai
i Molosëve, dhe se në një nga vendet veriore të këtij fisi ishte ngritur qyteti
i Dodonës me faltoren e Zeusit pranë, faltorja më e vjetër nga të gjitha të
tjerat e kohës së lashtë. Dodona, vazhdon Bartolemeu, ishte ngritur në Tomorr. Rrëzë tij burojnë shumë burime me ujë
të pashtershëm. Faltorja, famën dhe pasurinë ua detyron të huajve që vinin për
të parë fatin. Tempulli ishte shumë i bukur, ishte zbukuruar me dekore dhe
statuja të shumta. Qyteti i Dodonës rrihej fort nga erërat. Pyllin e shenjtë të
orakullit e rrethonin moçale (këneta) dhe në livadhet e bukura të tij kullosnin
shumë kope me bagëti. Në shënimet e Bartolemeut përmendet gjithashtu se nga
Teba e Egjiptit ikën dy pëllumba. Njëri prej tyre erdhi në Dodonë të Epirit,
ndërsa tjetri iku në Libi të Afrikës. Pëllumbi që erdhi në Dodonë quhej Pelje. Kjo fjalë në gjuhën e fiseve të vjetra të
Epirit do të thoshte Plakë.
Anakarsisi i Ri këto të dhëna për Dodonën, thotë Bartolemeu, i ka grumbulluar
në Ambraki. Te fjala Pelje vlen të
ndalemi pak. Në një pjesë të Tomorrit verior, një vend quhet Çukë e Pelës dhe një tjetër Qafë e Pelës. Në të shqiptuar dhe në të
dëgjuar kjo fjalë dëgjohet ...e Pelës.
Pra populli e njeh me emrin Çuk ose Qaf’e Pelës. Dhe të gjithë habitemi se
si ka mbetur ky emër në majë të Tomorrit. Me fjalë të tjera ç’kanë dashur pelat
në Tomorr? Në të vërtetë mendojmë se këtu kemi të bëjmë me një keqshqiptim ose
shpejtshqiptim të fjalës Pelë. Pra,
emërtimi i saktë është Çuka e Peljes,
që do të thotë Çuka e Plakës.
Argumentin më të fortë që fjala “pelia”
do të thotë “plakë” na e jep Straboni në veprën “Gjeografia” në librin
VII. Ja një ilustrim me vlerë nga ky libër:
...Thonë
se plakat, në gjuhën e molosëve dhe të tesprotëve i quajnë “pelia” dhe pleqtë “pelii”...
Si
tek maqedonasit, edhe tek tesprotët dhe molosët, plakat i quajnë pelia dhe
pleqtë pelii.
Melitosi (gjeograf antik)e përmend emrin pelje me kuptimin pëllumba për tri gratë
fatthënëse (parashikuese të fatit) të Dodonës.
Pausaniasi (shkrimtar i lashtë grek), shek.
II. pas J.K.,autor i librit “Përshkrimi i
Greqisë”, i famshëm për njohuritë e tij mbi Greqinë e lashtë, në librin A’14 shkruan se mali i Tomorrit
është në Epir, dhe hijerorja (faltorja) e Zeusit ngritur në Dodonë ndodhet po në të. Po kështu
në të është dhe vgjeri i shenjtë i Perëndisë.
Ashtu si gjithçka, edhe Dodona
pati lulëzimin dhe shkëlqimin e saj për shekuj që s’mbahen mend. Fakti që ne
nuk e gjejmë dot se ku ka qenë me gjithë të dhënat e shumta, por asnjë të saktë
e të prerë, do të thotë se ajo u shkatërrua. Lidhur me rrënimin e saj na janë
përçuar disa të dhëna. Kështu Tit
Livi (Titus Livius) historian latin 59 para J.K. – 17 pas J.K. autor i
dëgjuar i një Historie të Romës nga
zanafilla deri në shek. 9 pas J.K. të përbërë nga 142 libra, prej të cilëve sot
ruhen fatkeqësisht vetëm 35, në librin VIII, 24 shkruan se faltorja e Dodonës u
zhduk nga mesi i shek.I. (para Krishtit). Në epokën Augustit (Jul Çezarit 63
para Krishtit -14 pas K.), perandorit të dëgjuar të Romës, ky tempull kishte
famë të madhe. Mendohet që Çezari ta ketë vizituar.
Një
ndër historianët e mëdhenj grekë ka qenë dhe Polibi (200-120 para
Krishtit). Në librin e tij “Historitë” (lib.
IV., 67) flet dhe për faltoren e Dodonës. Sipas tij, kjo hijerore (faltore) u
prish nga fisi grek i Etolinjëve udhëhequr nga gjenerali i tyre Dorimahu
(Dhorimahos). Ata dogjën dhe rrënuan ndërtesën e bukur me qemerë dhe prishën shumë shtatore të bukura të
ndërtuar në të. Ky gjeneral rrafshoi dhe shtëpinë e shenjtë të priftërinjve.
Por njerëzia kishte nevojë për të adhuruar Zotin. Iu përkushtua sërish punës
dhe mjeshtërit e mëdhenj ndërtues e ringritën nga hiri, e rindërtuan nga e para
dhe njerëzit filluan t’i bënin dhe t’i blatonin shumë dhurata ashtu si dikur.
Në këtë faltore njerëzit luteshin të kishin më shumë drithë dhe bagëti si dhe
vinin për të parashikuar fatin e tyre. Megjithëse ende nuk janë gjetur dëshmi,
mendohet se dhe Leka i Madh ( Aleksandri : Maqedoni 356-Babiloni 323 para J.K
(të jetë rastësi që të dy vdiqën në
moshën 33 vjeçare!?)) të ketë vizituar Dodonën dhe të ketë marrë bekimin e saj.
Historianë
të ndryshëm përveç të lartpërmendurve janë marrë me Dodonën. Njëri prej tyre
është dhe P. Aravantioni (1859-?). Ai duke studiuar historianë të ndryshëm arriti që të dhënat t’i
përmbledhë në një broshurë. Aravantioni shkruan se për vendndodhjen e Dodonës
nuk ka argumente fort të qëndrueshme. Pagjendshmërinë e Dodonës e vështirëson
fakti se historianët e ndryshëm e vendosin në krahina të ndryshme të Epirit
(Toskërisë). Fiset e ndryshme të Toskërisë luftonin kundër njëri-tjetrit, dhe
secili fis që sundonte të tjerët i jepte emrin e vet për një kohë të gjatë
derisa mposhtej nga të tjerë. Kështu kur Epiri sundohej nga Thesprotët, i
gjithë vendi njihej si Thesprotia; kur këta thyheshin në luftë me Molosët,
vendi quhej Molosi.
Aravantioni
shton gjithashtu në shënimet e tij se Dodonën e ndërtuan Pellazgët, prandaj dhe
Zeusi quhej Zoti i Pellazgëve. Interesante është dhe dëshmia që sjell një
konsull grek i quajtur Rikaqis. Rikaqisi në vitet 1910-1911 ka qenë
konsull në Berat. Ai ka shkruar një broshurë në të cilën arrin në përfundimin
se Tomorri është mali i Dodonës.
Historianë
të mëvonshëm thonë se Dodona gjendet në malin e Nemërçkës, në lindje të
Dropullit dhe në perëndim të Leskovikut, disa të tjerë e çojnë në krahinën e
Sulit. Kjo është një orvatje dështake e tyre sepse bie menjëherë ndesh me
historishkronjësit e vjetër, sepse këta të fundit ngulmojnë se Dodona ndodhet
në një mal pranë detit. Mali ynë i Tomorrit i plotëson këto të dhëna, sepse
prej tij duket deti, ndërsa prej Nemërçkës nuk duket horizonti i detit.
Gjithashtu mali i Nemërçkës nga të gjitha dëshmitë e brendshme dhe të huaja, jo
vetëm që nuk ndodhet pranë detit, por dhe nuk është regjistruar nga Straboni
dhe gjeografë të tjerë ndonjë tërheqje, apo largim deti. Gjithashtu Nemërçka
nuk është thirrur apo quajtur kurrë Tomorr. Nga ana tjetër, sipas historianëve
të rinj kemi malin e Uliçkës në krahinën e Sulit. Megjithëse prej Uliçkës dhe
Sulit mund të duket deti, ky nuk është një argument tepër bindës, sepse bie
ndesh me të dhënat që na janë përçuar nga Omiri (Homeri). Te Omiri gjejmë
fjalën kyç “dhisqimeros”. Kjo fjalë
do të thotë dimërkeqe. Dihet se
Uliçka dhe Suli në përgjithësi nuk janë shquar kurrë për dimër të egër, dhe
mali Uliçka nuk ka qenë thirrur kurrë qysh në lashtësi me emrin Tomorr. Po
kështu pranë Sulit nuk ndodhet ndonjë fushë siç ndodhet Myzeqeja (Lalërija e
dikurshme) pranë Tomorrit.
Nga
sa u shkrua më sipër, historishkruesit e lashtë nuk na japin vendin e saktë të
Dodonës. Madje na dalin dy Dodona, një në afërsi të Janinës rrëzë malit
Tomaros, dhe një tjetër në Shqipëri midis Skraparit dhe Beratit. Dodona e
Janinës nuk ka dyshim, ka qenë ndërtuar. Kjo Dodonë e Epirit antik, 18 km larg
Janinës, që kalonte herë te thesprotët e herë te molosët, sipas epërsisë së
tyre pësoi një varg të gjatë ndërtim-shkatërrimesh. U shkatërrua nga prijësi
etolas Dorimahu në vitin 219 p.e.r. dhe pas disa vitesh u rindërtua. Dhe prapë
u shkatërrua nga romakët në vitin 168 p.e.r. Dhe përsëri u rindërtua. Dhe
përsëri u rrënua nga trakët në vitin 89
p.e.r. Dhe përsëri u rindërtua. Dhe përsëri u rrafshua, por kësaj radhe e
gjitha gjatë luftës gotike në kohën e Justinianit në shek. VI. të e.r. Sot kanë
mbetur dhe ruhen teatri i saj me 50
shkallë, tempujt e Zeusit Naios e Diones, dy hyjni të mëdha dhe godina ku vendoseshin dhuratat
kushtuar këtyre hyjnive që njihet me termin thesauri. Dodona ka qenë e famshme
për orakullin e saj. Këtu fillojnë e koklaviten disi punët. Ky orakull sipas
dëshmive letrare dhe historike lidhet me pellazgët, pra me një periudhë shumë
më të lashtë nga ajo kur u vendosën helenët në gadishullin ballkanik dhe
themeluan qendrën e orakullit të tyre të njohur në Delf. Pra kur kanë ardhur
helenët në Ballkan, e kanë gjetur të ndërtuar orakullin (faltoren) me emrin
Dodonë. Vetëkuptohet se ky orakull, kjo faltore apo hijerore pagane e
stërlashtë duhet të ketë luajtur një rol të dorës së parë jo vetëm në
konceptimin e besëtytnive mitologjike, në parashikimin e fatit dhe të së
ardhmes, por edhe në ngjarjet e mprehta politike të kohës.
Fakti që kur erdhën
helenët në Ballkan e kanë gjetur të ndërtuar Dodonën, do të thotë se banorët e
asaj kohe ishin pellazgët, të parët e ilirëve, të arbërorëve, pra të
shqiptarëve të sotëm. Fakti që Dodona përshkruhet qysh nga Omiri si dhisqimeros (dimërkeqe) dhe në Janinë
nuk mund të pretendohet për një dimër rigoroz, të egër, do të thotë se nuk
bëhet fjalë për Dodonën e Janinës, por për Dodonën e këtushme. Njerëzit më para
kanë qenë ndoshta-ndoshta më të lirë sesa sot të lëviznin e të shpërnguleshin.
Me këtë duam të themi se duke qenë Dodona e Tomorrit e padurueshme nga
pikëpamja e të ftohtit, njerëzit duke u shpërngulur kanë marrë me vete edhe
emrat dhe dëshirën për të ndërtuar një Dodonë tjetër. Fati e ka dashur që kjo Dodonë e dytë të ndërtohet në
afërsi të Janinës. Pra mund të nxjerrim si përfundim, se Dodona e Janinës është
Dodonë bijë e Dodonës së Tomorrit të Shqipërisë. Ndryshe s’ka sesi përputhen
gjithë këto ngjashmëri. Tradicionalisht njerëzit (pellazgët, ilirët, shqiptarët
e vjetër dhe ata të viteve 1990 gjithnjë kanë zbritur në drejtim për nga Jugu i
Shqipërisë së sotme dhe nuk dëshmohet deri më sot që të ketë ndodhur dukuria e
kundërt. Pra kemi Dodonë në Janinë, kemi dhe Dodonë në zonën Skrapar-Berat.
Kemi malin Tomaros në Janinë, kemi dhe malin Tomorr në Skrapar-Berat. Kemi Sul
pranë Janinës, kemi dhe Sulovë pranë Tomorrit. Kemi Lopessi në Greqi të
përmendur nga Meleti, kemi dhe Lybeshë, rrëzë Tomorrit. Kemi Vidhan (fshat në
lindje të Tomorrit pranë lumit Tomorricë), kemi dhe Voodhoon në Greqi. Kemi
Dodonë në Tomorrin tonë, kemi dhe Dhoodhoon në Greqi. Por nga ana tjetër kemi
rreth 100 burime rreth e përqark Tomorrit dhe nuk përmenden sesa burime ka
Tomarosi i Janinës. Kjo do të thotë se banorët e parë të këtyre anëve, kur janë
shpërngulur nga zona e tyre i kanë marrë me vete këto toponime dhe i kanë
ngjallur atje ku janë ngulitur. Si argument mbështetës të kësaj teorie mund të
përmendim edhe shpërnguljet e Tomorricarëve pas epokës së Skënderbeut në
Italinë jugore, ku krijuan fshatra duke u vendosur emrat e atyre që kishin jetuar
si Zhepë, Gjerbës etj. Nga ana tjetër, autorët antikë si Plini i Ri, Teopompi,
e që e kanë qerthulluar këtë mal shkruajnë se në këmbët e tij gurgullojnë 100
burime. Kjo do të thotë se në këtë rast bëhet fjalë për Tomorrin e këtushëm dhe
jo atë të Janinës. Në vitin 1917 në Tomorr u bë një ekspeditë nga gjeologë
austriakë. Në bazë të matjeve dhe të studimeve të tyre ata nxorën si përfundim
se mali i Tomorrit ka brenda një liqen të madh me ujë të pashtershëm dimër e
verë. Kjo shpjegon dhe burimet e tij të shumta. Po kështu, ushtimat që dëgjohen
në Tomorr herë pas here të japin përshtypjen sikur shkëputen shkëmbinj brenda
tij dhe bien apo rrëzohen në ujërat e liqenit që ndodhet në të.
Nëse
më sipër u morëm me etimologjinë e fjalës Dodonë, le të orvatemi tani të
shpjegojmë prejardhjen e fjalës Tomorr. Sado të mëqaken grekët për ta shpjeguar
me gjuhën e tyre, fjalët Tomure dhe Tomuri janë fjalë të shqipes së hershme.
Kuptimi i tyre është Të mirat e Të mirët dmth. Mali i Të Mirëve dhe hijerorja e ndërtuar atje
ishte Orakulli i Të Mirave dhe shërbente si selia e perëndive të vjetra
pagane. Zoti zbriste në mes të reve dhe të mjegullës dhe bisedonte për punët e
njerëzve dhe të botës. Prej fjalëve të mësipërme rrjedh dhe emri Tomuriasë
që tregon krahinën e malit Tomorr, të quajtur Tomorricë dhe banorët anas
të asaj zone Tomorricarë (Tomorrianё). Edhe diçka tjetër interesante. Në
epopenë homerike haset fjala “Tmaros”.
Kjo fjalë çuditërisht nga pikëpamja fonetikore ka ngjashmëri me fjalë “Tmerr”.
Duke pasur parasysh dhe tregimin e Kristoforidhit kjo fjalë na del mirë në
shteg. Kështu Tomorri ishte si mali i tmerrit për armiqtë dhe njerëzit në
përgjithësi. Ai i tmerronte njerëzit me shkrepëtimat, vetëtimat, bubullimat,
gjëmimet që zbrazeshin mbi të si dhe me stoçenin (erën shumë të fortë) dhe me
dëborën e gjatë që mbulonte malin. Prandaj dhe Omiri (Homeri) shkruan Dodona
dimërkeqe (dhisqimeros). Në Tomorricë
fryn një erë e fortë, erë që të pret, siç thotë populli. Kjo erë njihet nga
Tomorricarët me emrin Stoçen. Sipas Strabonit kjo erë ishte aq e fortë
saqë arrinte të tundte kambanat e tempullit. Kjo erë vjen prej Tomorrit, dhe
fshatarët e zonës përreth që nga Gjogovica deri në Dobrenj e më tutje thoshin
se “po fryn Tomorrja, ose na preu Tomorrja”. Gjithnjë kam pasur
përshtypjen se kjo do të ishte fjalë turke. Nëse do të shikojmë etimologjinë e
saj mund të vërejmë se fjala Stoçen i
përngjan fjalës latine Stercenius.
Kjo e fundit është emri i një perëndie të vjetër, mbrojtëse e plehërimit të
tokave pjellore. Këtë perëndi e kanë adhuruar dikur pellazgo-ilirët si popull
bujk që ishin. Mundet që këtë emër ta kenë lënë edhe romakët, si emri i
perëndisë së mbrojtjes së plehërimit të tokave pjellore dhe të Myzeqesë, që
plehërohet nga lumenjtë kur derdheshin në të.
Autorët
antikë Hesiodi, Dionis Pirigjitiu, Eustathi dhe Sraboni kanë shkruar se Mali i
Tomorrit dhe Dodona e tij ndodhet jo larg detit, dhe se rrëzë malit ndodhet një
fushë me gjerësi dhe pjellori të madhe. Në këtë fushë mbilleshin drithëra,
kulloteshin bagëti kishte livadhe dhe kope të shumta me dhen, qe, lopë. Këto
thënie na bëjnë të mendojmë se bëhet fjalë për Tomorrin tonë. Nëse hipet në një
nga majat e tij, deti duket shumë qartë dhe në vijë ajrore ai nuk është më larg
se 80 km. Nëse për Myzeqenë do të themi se ajo është fushë e madhe, për Janinën
do të thoshim, sipas atyre që e kanë parë, nëse do të bënim një krahasim, asaj
do t’i përshtatej fjala “fushëz” në raport me Myzeqenë tonë. Fusha e Janinës
shtrihet në një luginë mjaft të vogël dhe të ngushtë dhe thëniet e autorëve
antikë për fushë e madhe pjellore dhe kullota të mëdha dhe me kope të mëdha nuk
gjejnë terren. Të gjitha përshkrimet e këtyre autorëve i përshtaten Tomorrit
dhe fushës së Myzeqesë. Myzeqeja për pjellorinë e saj, për kullotat e paana
përmendet qysh në kohën e Romakëve. Ata madje e kishin Myzeqenë grunar (hambar)
të Romës. Hesiodi në shkrimet e tij përmend se në fushën e madhe të Dodonës
(nënkupto fushën e Myzeqesë; Janina siç thamë ka fushëz e jo fushë) kishte qé
shumë të mëdhenj që i tërhiqnin këmbët zvarrë. Kushtet që këta qé të rriteshin
i plotësonte vetëm fusha e Myzeqesë dhe këta qé s’ishin veçse buajt e Myzeqesë.
Le të sjellim një argument tjetër: Aristoteli (384-322 para erës sonë),
mësuesi i Lekës së Madh në librin e tij “Mbi
historinë e kafshëve” te libri III 20,522 b. thotë:
Lopët e Epirit, të mëdhatë japin secila një
shtamë e gjysmë nga të dy sisët. Mjelësi qëndron në këmbë, duke u kërrusur pak,
sepse nuk mund të arrijë po të qëndrojë ndenjur.... Kafshët e mëdha kanë nevojë
për shumë ushqim, por kjo krahinë ka shumë kullota të mira dhe vende të
përshtatshme në çdo stinë.
Qentë
dhe delet më të mëdha janë ato që quhen pirrike, të cilët e kanë emrin nga
mbreti Pirro...
Siç
shihet, del qartë se lopët e mëdha s’mund të jenë tjetër përveçse paraardhëset
e buallicave dhe krahina që ka shumë kullota me siguri duhet të jetë Myzeqeja.
Piktori Ndini Bardhi nga Myzeqeja, pohon se buajt (buallicat) janë një racë
shumë e vjetër e qeve dhe se mendohet që prejardhjen e kanë nga India.
Gjithashtu, megjithëse ata janë sa një katana, janë notarë shumë të
mirë.
Në
pjesën perëndimore të Tomorrit ndodhet një toponim me emrin Qytezë. Ky vend
shëmbëllen me një kështjellë natyrore me gurë të mëdhenj si arka. Ky vend
ndodhet poshtë fshatit Tomorr, poshtë Çukës së Peljes. Ndoshta Straboni
ka pasur ndër mend pikërisht këtë vend kur thotë se Dodona është vend i fortë.
Pranë Qytezës, në një shesh të bukur thuhet se dikur ka qenë një kishë e
krishterë me emrin “Metamorfoza” ose Shën Sotiri, e cila sipas gojëdhënave ka
qenë ngritur mbi rrënojat e një faltoreje pagane. Njëra nga majat e Tomorrit e
ka emrin Stradomi, Staradomi, Saradom ose Stërdomi (varet nga
shqiptimi). Fillimisht mendja të shkon se bëhet fjalë për një toponim të lashtë
pellazg përkthyer në gjuhën sllavo-bullgare. Sllavo-bullgarët kanë ardhur në
ato anë, madje i kanë lënë emrin Çorovodës (Çjorrnaja Voda = Ujë i Zi). Ata
kanë dëgjuar banorët e zonës sesi quhej vendi dhe thjesht kanë bërë përkthimin
në gjuhën e tyre: st(a)ra = i vjetër
dhe dom = shtëpi; e gjitha Staradomi
= Shtëpia e vjetër. Edhe nëse do të ishte kështu, nuk do të kishte asgjë të
keqe me kusht që toponimi mos të ishte emër maje mali. Fakt është që Stradomi është vend shumë i ftohtë
dhe në verë. Ndoshta kjo fjalë rrjedh nga latinishtja Saturnu – domi dmth. banesa, shtëpia e Shtunit (Saturnit) që hante
fëmijët e tij. Nënteksti është i qartë. Ajo ishte një majë shumë e ftohtë, dhe
kush guxonte të ngjitej atje rrezikonte të ngrinte. Po kështu fjala Stradom në
sllavishten e vjetër (bullgarishte) do të thotë heq shumë, vuaj shumë.
Kuptohet kush ngjitej në atë majë do të vuante shumë, nëse do të pranojmë
mendimin hipotetik që ky toponim rrjedh nga kjo gjuhë. Pranë vendit të
Stradomit ndodhet dhe një çukë që e sqaruam më sipër: Çuka e Peljes. Ky vend njihet ndryshe dhe Çuka e Shën Ilisë.
Para
se ta mbyllnim këtë shtjellim, do të dëshironim t’i hiqnim velin anës mistike
të Tomorrit pa mëtuar (pretenduar) aspak se ia kemi arritur. Jemi të mendimit
se emri Tomorr ka mistikë, mister e përse jo edhe poezi brenda. Tomorri duhet
dekoduar. Kodi misterioz i tij është i vështirë të zbërthehet, megjithatë më
lejoni të sjell në vëmendjen tuaj duke bërë një kapërcim pindarik dy hamendësime poetike. Lexuesi le të gjykojë
vet.
E para: Fjala Tomorr, e kthyer mbrapsht, pra e
lexuar nga fundi është RRO MOT.
Pra Tomorri është një mal që ka rrojtur dhe do të rrojë nga mot, për jetë të
jetëve. Në urimin që bëhet në zonat rreth e përqark Tomorrit shprehja
krahasimore Rrofsh sa mali i Tomorrit
është e zakonshme për këdo.
E dyta: Interesante është fjala angleze Tomorrov. Kjo fjalë me rrënjë ose bazë fjalën Tomorr në shqip
do të thotë Nesër. Në çdo kohë
ky mal u ka prirë dhe paraprirë Shqiptarëve. Kurdoherë, Ai ka qenë e nesërmja e
Shqiptarëve dhe e paraardhësve të tyre. Edhe Shqiptarët që do të lindin nesër,
për Tomorrin ata do të jenë gjithnjë një ditë prapa, me fjalë të tjera Ai do të
jetë gjithnjë deri në pafundësi e pakta një ditë para kujtdoje. Kushdo që lind
do t’i thotë Tomorrit gjithnjë e nesërmja. E nesërmja është e ardhmja, e ardhmja është e papritura,
prandaj dhe njerëzit qysh në lashtësi shkonin në Tomorr për të qenë sa më afër
së nesërmes, për të mësuar për fatin e tyre nga fatthënëset.
Nga
gjithë përsiatjet, parashtrimi dhe shtjellimi i mësipërm arrijmë në përfundimin
se Hijerorja anase Dodonë dhe
Tomorri i saj ndodhen në Shqipëri ndërmjet Tomorricës (Skraparit), Beratit dhe
Gramshit.
Për Shqipërinë ditë
të mira po vijnë dhe më të mira priten dhe shpresohen. Nëntoka e Tomorrit është
e paprekur, e pacenuar dhe e pacenueshme. Megjithëse u përpoqëm që të hapim
vraga drite nëpër errësirën e shekujve, fjala e fundit u takon shkencëtarëve.
Ata duhet të përvetësojnë arritjet më të fundit të shkencës bashkëkohore nga
pikëpamje teorike dhe t’i zbatojnë ato në praktikë. U takon arkeologëve në
bashkëpunim me të gjithë sivëllezërit e tyre gjeologë, historianë, etj. që të
gërshetojnë punët për të nxjerrë në dritë (ashtu siç bëri Shlimani për
nxjerrjen e rrënojave të Trojës) koordinatat, vendndodhjen e Hijerores Dodonë
të Tomorrit të Shqiptarëve.
Kush e kupton heshtjen e tij që
është më e fortë se një piskamë, kush dëgjon me zërin e arsyes kambanat e
tundura furishëm nga stoçeni, kush e shikon madhështorin Tomorr me kryet te
Qielli (po të duam le të mos i japim të drejtë shokut tim kur ishte në klasën e
katërt!) nga Berati, Tomorrica, Koshnica, Qafa e Gjarpërit, Qafa e Kërrabës apo
nga vende të tjera e kupton lehtë gjuhën e tij teksa thotë: Unë jam Tomorri i
Zotit të Pellazgëve dhe i Shqiptarëve si pasardhës të drejtpërdrejtë të tyre.
Në qoftë se qyteti i Beratit gjatë gjithë historisë së tij për arsye të
ndryshme ka ndërruar emër disa herë, më konkretisht gjashtë herë: Orestias,
Lefqi Petra, Antipatrea, Poliheriupoli, Beligrad dhe së fundmi Berat, mali i
Tomorrit këtë emër ka pasur qysh në zanafillë dhe këtë emër do të ketë për jetë
të jetëve. Ai është baza e historisë së vjetër dhe e asaj të resë, është
simboli i bashkimit kombëtar pa dallim feje dhe krahine. Ai mirëpret këdo. Ai
bekon këdo që mendon drejt. Ai ndëshkon me rrufenë dhe stoçenin e tij këdo që
mendon dhe vepron mbrapsht. Njerëz të mirë kudo qofshi, ejani dhe bëhuni
adhurimtarë të bukurisë pagane! Paçi bekimin e Baba Tomorrit! Ashtu qoftë!
[1] Kurse shërbëtorët sipas autorit janë grekë, të huaj, prandaj Tomorri
nuk i njeh e nuk i pret mirë dhe se ata po të të shkojnë atje, hanë ndonjë koqe
rrufeje e shkrumbohen ose bëhen si kërcunj të zinj prej saj.
[2] Po aty : fq. 24
[3] Po aty fq. 27 (në origjinal kjo pjesë është në dialektin geg)
[4] Po aty fq. 28
[5] Po aty fq. 28
[6] Çajupi :Baba Tomori / Vepra letrare 1/ fq. 39
[7] Iliada / Homeri XVI. Fq.287-290 botim i vitit 1965.
[8] Barthelemy : “ Voyage du Jeune Anacharsis en Gréce dans le milieu
du quatrième siècle” Tome 2. Librairie Hachette Paris 1873
Autori i këtij Libri: Viktor Bakillari
Botimi në Corovoda Online me autorizimin e vetë autorit.
© Corovoda Online