Koordinata X: Neim Mustafaraj - Mbledhësi i 650 këngëve popullore të Skraparit **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Neim Mustafaraj - Mbledhësi i 650 këngëve popullore të Skraparit

Fatjon Kaloci
8.10.14
Poezitë, si për shembull ato të Xhevahir Spahiut, janë bërë për t'u recituar nga ai që ka talent, fjalët e urta të krijuara nga populli të mbledhura nga Mojsi Zaloshnja janë bërë për t'u përdorur në vendin dhe kohën e duhur nga kushdo. këngët e krijuara nga populli të përmbledhura nga Neim Mustafaraj janë bërë për t'u kënduar nga njerëz si Demir Zyko...
Me këtë shkrim, Viktor Bakillari do të niste më shumë se pesë vite më parë një artikull të botuar asokohe në gazetën "Dielli i Tomorrit". Koordinata X dhe Corovoda Online pasqyron më tej këtë shkrim.
Në folklorikën e rrethit të Skraparit një vend dinjitoz zë dhe Neim Mustafaraj. Mustafaraj lindi në 17 mars 1920 në Radësh, Skrapar. Tepër kërkues ndaj vetes, i etur për dije (përfytyroni që shkollën e lartë e nisi në vitin 1964) pra në moshën 44 vjeç; ai bën pjesë në atë grup skrapalinjsh nam-mirë që gjithë jetën e tij e shkriu për edukimin dhe arsimimin e breza e brezave të tërë. Shumë Skrapalinj kanë hyrë në histori si njerëz të pushkës, si trima e kapedanë. Mustafaraj bën pjesë në atë kategori njerëzish që kanë hyrë në historinë e rrethit tonë si njeri i penës. Ai ishte një ndër pionerët e parë të arsimit që jetën e tij e shkriu në dobi të Skrapalinjve duke i arsimuar e edukuar me traditat më të mira atdhetare dhe atë të krahinës ku jetoi e punoi. Emri i tij lidhet, sidomos me punën qëmtuese, me punën ku mund të krahësohej pa mëdyshjen më të vogël si "punë blete", duke grumbulluar në të gjithë Skraparin materiale me vlera të pakrahësueshme të traditës popullore të trevës sonë.
Mustafaraj ka qënë një nga ata burra skrapalinj që i njihte traditat, kulturën, folklorin, historinë, gjuhën dhe krijimtarinë e trevës si rrallëkush.
Ai ka qënë bashkëpunëtor i Institutit të Folklorit duke krijuar pranë këtij instituti fondin e vet. Ne sot duhet të krenohemi dhe t'i jemi shumë mirënjohës Mustafarajt i cili me përkushtimin, vullnetin, pasionin e tij ka arritur të mbledh baladat dhe këngët historike, lirikat familjare, shoqërore e sevdarishte (dashurisë), ninullat, këngët popullore fetare dhe rituale, fjalë të urta, frazeologji e shprehje të figurshme si dhe frazeologji popullore të trevës së Skraparit.
Ne duhet t'i jemi mirënjohës mbledhësit të folklorit edhe për një arsye tjetër.
Mbas viteve 1990 e deri tani, populli i Skraparit pothuajse është përgjysmuar. Familje e fise të tëra janë shpërngulur nga Skrapari i Neim Mustafaraj dhe kanë lëshuar rrënjët gjetkë për një jetë më të mirë. Të dhënë (nga halli ) pas materiales, libri është lënë disi pas dore dhe tradita është tundur e tronditur disi. (Besoj se në këtë rast shprehja: Simbas vendit dhe Kuvendit, nuk do t'u shkonte shumë për shtat). Shumë nga brezi i ri nuk dinë të këndojnë, nuk dinë të mbajnë iso, nuk dinë të pijnë raki (Skraparlliu tradicional është pijetar, jo pijanec), nuk dinë apo kanë harruar të bëjnë dolli, nuk dinë ta presin mikun siç ka bërë i ati apo gjyshi i tij njëherë e njëkohë. Periudha në të cilën po kalojmë është kalimtare dhe për Skrapallinjtë e vegjël e të rinj të kudo ndodhur (të paktën nëse pyet një fëmijë nga Tirana, Durrësi, Korça, Vlora, Berati etj që ka prindër nga Skrapari thotë : jam nga Skrapari, pavarësisht se ka lindur në ndonjë nga qytetet e përmendur më sipër, do të vijë koha që ata të kërkojnë rrënjët dhe gjurmët e traditës.
Libri "Këngët Popullore të Skraparit" është një libër me mbi 650 këngë të mbledhura nga mësuesi i pasionuar Neim Mustafaraj, i redaktuar dhe i përgatitur për botim nga dy emra të mëdhenj të letrave: Xhevahir Spahiu dhe Shaban Sinani Botues Reklama 1998. Ky libër është një nderi që mbledhësi i ka bërë Skraparit, miqëve dhe dashamirësve të Skrapallinjve. Vetëm një idealist shumë i zellshëm si Mustafaraj mund të rropatej e gjesdiste fshat më fshat, në kohë të mirë e të keqe, në kushte të vështira, ndodhta - ndoshta shumë herë në këmbë, për të grumbulluar e mbledhur, si puna e bletës që mbledh nektarin lule më lule, folklorin e pasur të Skraparit.
E kush mund të marrë një nismë të tillë sot? Edhe në daltë dikush, çka është e mundur se njerëzit punëtor nuk i kanë munguar kurrë Skraparit, a do të arrinte dot ky dikushi që të grumbullonte kaq shumë material kur gjysma e Skrapallinjve janë larguar? Pikërisht ky fakt është një nga meritat e mëdha të Mustafarajt.
Cilido prej nesh mund të habitet me numrin e madh të këngëve që paska patur Skrapari. E, pra të gjitha këto këngë janë grumbulluar duke i rënë Skraparit kryq e tërthor, fshat më fshat, me durim, pasion, zell e dashuri nga mbledhësi i folklorit Neim Mustafaraj. Xha Neimi gjeshtisi në vitin 1994 duke lënë pas, pa e zmadhuar aspak një vepër të papërsëritshme. Vepra e mbledhur prej tij meriton një vëmendje të veçantë nga studiuesit.
Faleminderit, xha Neim!
©Corovoda Online / Një shkrim nga Viktor Bakillari Gazeta Dielli i Tomorrit
       
         
close