Koordinata X: Poliçan 25 gusht 1992. Greva e parë sindikaliste në Shqipëri **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Poliçan 25 gusht 1992. Greva e parë sindikaliste në Shqipëri

Fatjon Kaloci
23.8.14
Një qytet mundet të ketë në historikun tij shumë ngjarje dhe data të shënuara, qoftë ky edhe qytet i ri. Por ka disa ngjarje dhe data të cilat ai nuk mundet që t'i harrojë. Poliçani është një qytet relativisht i ri dhe ngjarja për të cilën do të flasim i përket një kohe jo fortë të largët. Koha në të cilën u bë Greva e sindikalistëve të Kombinatit Mekanik e zhvilluar në vitin 1992, e cila vinte si pasojë nga një demostratë antiqeveritare. Poliçani u krijua aty rreth viteve 1960 me një urdher nga "lartë" dhe si një qytet tepër sekret. Si fillim u hodhën themelet e uzinës ushtarake, pastaj u ndërtuan pallatet e para dy katëshe. Qyteti mori formë aty nga viti 1979. Poliçani u popullua shumë shpejt me banor jo vetëm nga rrethinat e Skraparit dhe Beratit por dhe nga Saranda, Gjirokastra, Korça, Fieri, Vlora, Tirana, Durrësi, madje dhe nga Veriu i Shqipërise si Dibra dhe Shkodra. Intelektualët dhe specialistët më të mirë erdhën në Poliçan për shkak të të cilëve ai shpesh herë quhej si "Parisi i Vogël". Natyrën e tij rebele qyteti e ka kultivuar që herët. Të gjithëve ju kujtohet një ngjarje aty nga Shtatori i vitit 1989, kur gjatë ndeshjes së futbollit midis ekipeve "22 Tetori" i Poliçanit dhe "Traktori" i Lushnjes, pas një goli spektakolar të futbollistit legjendar poliçanas, Besnik Sherri pati një përplasje fizike midis tifozave poliçanas dhe lojëtarëve të ekipit lushnjar. Por kjo nuk mbaroi këtu, incidentet vazhduan në qytet ku grupe personash u ndaluan nga policia e asaj kohe disa edhe pa të drejtë. Shumë nga ne e kujtojnë mirë se si në qendër të qytetit pati disa përplasje verbale midis qytetarëve dhe disa ish-burokratëve të rregjimit komunist në atë kohë duke i akuzuar ata për gjendjen e vështirë ekonomike, për rregjimin e tollonave dhe radhët e gjata. Shumë veta u rrahën dhe u torturuan, disa u përjashtuan nga puna, pati dhe të tjerë që u mbajtën të arrestuar për gati 3 muaj. Pas viteve 1990 poliçanasit ashtu si gjithë skrapalinjtë mbështetën fuqishëm partitë e majta kryesisht Partinë Socialiste, kjo për shkak të lidhjeve të vjetra tradicionale që kishte kjo trevë që prej kryengritjeve antizogiste të vitit 1935 dhe deri me Luftën Nacional - Çlirimtare. Kjo u reflektua me zgjedhjet e 31 Marsit 1991 dhe 22 Marsit 1992 kur të gjithë deputetët i fitoi Partia Socialiste. Për këtë shkak pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës, Skrapari dhe Poliçani filloi të shihej me një sy tjetër nga regjimi i vetëquajtur "demokratik" i asaj kohe. Kjo gjë agravoi deri në atë pikë sa kulmi arriti me demostratat e atij Gushti të "nxehtë" të vitit 1992.

Si nisi greva e Poliçanit?
Greva filloi më datën 20 Prill 1992, në atë periudhë Kryeministër ishte Aleksandër Meksi, Ministër i Mbrojtjes Safet Zhulali (i ndjerë) dhe Drejtor i Kombinatit Mekanik Gëzim Cane. Sindikata fillimisht i parashtroi disa kërkesa administratës së Drejtorisë në Kombinatin Mekanik, si ruajtjen e fuqisë punëtore, përmirësimin e kushteve të punës dhe nëse do të bëhej reformë, mbi kriteret që duheshin ndjekur. Në 14 Maj 1992 është bërë protesta e parë konform rregullave para drejtorisë së Kombinatit Mekanik Ushtarak. Kjo për arsyen se nuk i ishte kthyer përgjigje kërkesave të lartëpërmendura. Ndërkohë me kerkesat e sindikalistëve u njohën dhe, ish- Presidenti Sali Berisha , ish-Ministrit i Mbrojtjes Safet Zhulali, ish- Kryeministri Aleksandër Meksi dhe gjithë forcat politike të kohës. Para se të niste greva një përfaqësi e sindikatës, mori takim me ish- Presidentin Sali Berisha, si rezultat u shkarkua si Drejtor Gëzim Cane, dhe në fund të muajit Maj u emërua Drejtor Njazi Spahiu. Ndërkohë greva ishte duke vazhduar. Drejtori i ri pranoi zgjidhjen e kërkesave brenda 10 ditëve, por më vonë ai filloi te luante me grevistët. Ai arriti deri aty sa mos të njihte as Komisionin e Grevës, ndaj grevistët rritën kërkesat e grevës duke kërkuar edhe shkarkimin e tij si Drejtor i Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Acarimi dhe konflikti midis sindikalistëve dhe Drejtorit të Kombinatit Mekanik arriti deri në atë pikë sa detyroi Ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali bashkë me Kryetarin e Kontrollit të Shtetit Blerim Çelën të vinin vetë në Poliçan duke organizuar një takim me grevistët në ambjentet e Kombinatit Mekanik. Ky takim u zhvillua në një gjendje të tensionuar nga të dyja palët dhe nuk u arrit asnjë rezultat. Pas këtij takimi drejtoria mori masa ekstreme deri aty sa nxori punëtorët jashtë uzinës, nxori lista me punëtorë të rinj kryesisht militantë të krahut të djathtë, deri sa erdhi në atë që u quajt provokimi i 24 Gushtit kur një ushtar gjuajti me armë zjarri mbi punëtoret e pa armatosur grevistë, disa prej të cilëve të irrituar u futën në zyrat e drejtorisë duke u konfrontuar me administratën e cila në kundërshtim me ligjet e punës kishte shkarkuar 3500 punëtorë dhe kishte gati një jave duke mos u dhënë rrogën në kundërshtim me "Ligjin e Grevës" gjë që kishte bërë të mundur rëndimin e gjendjes ekonomike të poliçanasve. Keqsimin e situatës ekonomike do ta permendte në Parlament deputeti i PS Shkëlqim Cani (ekonomist), i cili në seancën e datës 22 Tetor 1992 për heqjen e Imunitetit të deputetit Ilir Meta midis të tjerave do jepte disa fakte:
"...Kërkoj të tërheq vëmendjen e deputetëve dhe të Qeverisë ndaj një gjendjeje te veshtire ekonomike në Poliçan, ku janë pa punë rreth 45 për qind e të aftëve për punë, ndërsa të papunë e në asistencë mbi 76 për qind e tyre. Shprehur më ndryshe, çdo të punësuari i duhet të mbajë 6.6 persona. Ose e punësuar është vetëm rreth 15 për qind e popullsisë, ndërkohë që ndihmat për Poliçanin janë 700 gram për person..."

Në kundërpërgjigje të situatës, në orën 03:00, më 25 gusht 1992 nga pushteti i asaj kohe u ndërmorën disa arrestime. U arrestuan 11 sindikalistë emrat e të cilëve ishin :
Fatos Mançe, Njazi Dervishi, Namik Ahmeti, Njazi Bakiasi, Hetem Seiti, Barjam Qafa, Hetem Kushova, Bashkim Vila, Sami Sefa, Njazi Shkembi dhe Ing. Thoma Cilingili. Arrestimi i tyre qe gati i frikshëm sa të kujtonte sekuenca nga filmi kilian "Në Santiago bie shi" i cili i kushtohet terrorit shtetëror ndaj kundërshtarëve politikë të rregjimit profashist të Augusto Pinoçetit. Sindikalistët u rrëmbyen, gati përdhuneshëm natën nga policë special me maska dhe u dërguan në të dalë të qytetit ku prisnin shumë mjete policie për t'u nisur më vonë në drejtim të burgut të Beratit. Kjo situatë bëri që më 25 Gusht situata në qytet të agravohej së tepërmi. Në orën 09.00 të 25 Gushtit pati një përplasje verbale midis qytetarëve të Poliçanit dhe dy punonjësve të Rendit një prej të cilëve ishte Shef i Komisariatit të Skraparit të cilët pas këtij konflikti verbal u futën në Bashkinë e qytetit në një dhomë duke u strehuar atje, nga frika e punëtorëve të cilët ishin të shumtë në sheshe. Ndërkohë në qendër të qytetit kishte filluar demostrata dhe aty nga ora 10.00 filluan të fluturonin 2 helikopterë mbi kokat e demostruesve. U fol se në një prej helikopterëve ishte Ministri i Mbrojtjes ndërsa në tjetrin ai i Rendit, Bashkim Kopliku. Gjatë kësaj kohe në Berat erdhi me shpejtësi ish- Kryeprokurori Maksim Haxhia, i cili kërkoje takim me një përfaqësi të sindikalistëve. Një grup qytetarësh u takuan me Kryeprokurorin në Berat. Haxhia çuditërisht e konsideroi grevën të ligjshme dhe ishte kundër arrestimit të sindikalistëve të Poliçanit. Nga ky takim u vu re se arrestimi ishte politik dhe i organizuar nga segmente të cilat mbështesnin krahun e djathtë brenda prokurorisë. Kjo mbështetje ndaj Poliçanit, i kushtoje karrierën Kryeprokurorit të cilin e shkarkuan pas disa muajsh. Në Poliçan situata u tensionua më shumë me mbërritjen e forcave speciale dhe forcave të ushtrisë aty rreth orës 13.00 pati përplasje të dhunëshme midis qytetarëve të pambrojtur dhe qindrave forcave policore. Si rezultat pati 34 të plagosur nga të dyja palët, një vajzë 10 vjeç u plagos në këmbë me armë zjarri, u dogjën disa makina policie dhe specialet lanë qytetin duke u shpërndarë në kodrat rreth e qark. Populli vazhdonte demostratën ndërkohë që gjithë kodrat e qytetit ishin rrethuar me forca ushtarake. U mbajtën shumë fjalime të zjarrta nga shumë qytetarë por fjalimi që kujtohet më shumë ishte i Meriba Kondit e cila me zërin e saj ju drejtua qytetarëve për qetësi dhe maturitet duke i'u shmangur provokimeve. Parrullat që dëgjoheshin ishin "Poliçani nuk është Kosovë", " Lironi shokët tanë", "Duam Bukë", "Duam Punë". Në këtë situatë në Poliçan beftas u shfaqën deputetet e së majtës Servet Pëllumbi, Sabit Brokaj, Ilir Meta, Namik Dokle dhe të tjerë të cilët dënuan terrorin policor dhe u pozicionuan në favor të qytetarëve të Poliçanit. Kjo gjë bëri të mundur uljen e tensioneve dhe në këtë kohë dolën dhe dy drejtuesit e rendit të cilët deri në atë kohë ishin strehuar në një zyrë në Bashkinë e Poliçanit. Edhe ditët e mëvonshme pati demostrata dhe shumë arrestime. U arrestuan sindikalistë të tjerë si Meriba Kondi, Izet Bregu, Bashkim Kuci, Antoneta Fisko, Bashkim Jankishta dhe të tjerë.Shumë kanale televizive dhe gazeta të huaja i bën jehonë kësaj greve si RAI, ZDF MEGA, STAR, pati dhe gazeta në SHBA të cilat shkruan për këtë ngjarje. Ja si shkruante njëra prej tyre, gazeta "Deseret News" USA 30 Gusht 1992:

"...Zyrtarë të qeverisë fajësuan një ligjvënës socialiste të Shtunën për një trazirë në një fabrikë municioni, ku punëtorët, të zemëruar per mosmarrjen e pagave, u përleshën me policinë, si rezultat pati 17 të punetore dhe gjashtë oficerë policie të plagosur. Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali dhe Ministri i Rendit Publik Bashkim Kopliku, të dy te Partisë Demokratike, akuzuan Ilir Metën, një deputet i Partisë Socialiste për rajonin Policani, si organizator te greves. Ministrat propozuan që hetimet të zhvillohen dhe Meta, në qoftë se shpallet fajtor, të përjashtohet nga Parlamenti. Meta, i cili hodhi poshtë pretendimet, kërkoi një komision parlamentar . Sipas Servet Pëllumbi, një zyrtar i lartë dhe deputeti socialist, qeveria nuk arriti të paguajë 70 për qind te pagave të punëtorëve gjate 15 ditëve e para të gushtit. Kjo arriti në shkelje të një marrëveshje..."

Në vend të mbylljes, ditët që pasuan ishin ditë të tensionuara në Poliçan, pati qindra ndalime policore aq sa qytetarët e Poliçanit flinin natën nëpër kodrat e qytetit, dhjetra dhe qindra qytetarë u rrahen apo keqtrajtuan nga segmente të caktuara policore. Gjashtë sindikalist: Hetem Seiti, Barjam Qafa, Njazi Dervishi, Meriba Kondi, Izet Bregu dhe Bashkim Jankishta u mbajtën në arrest me burg pa afat në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut, duke mos u mbajtur seancë për caktimin e masës së sigurisë nga gjykata e cila ishte një shkelje e rënde proçedurale. 14 sindikalistë u akuzuan me akuza nga me absurdet por me qesharakja ishte se disa akuza ishin akoma me terma komunistë sipas Kodit të vjetër Penal të RPSSH. Gjatë qëndrimit në birucat e Beratit ndaj tyre u përdor dhunë psikologjike dhe fizike, u përdor shantazh dhe presion. Gjyqi i sindikalistëve u zhvillua me datat 15-20 Nentor 1992 në Skrapar. Ishin 5 ditë gjyqe dhe një farsë e vërtetë. Një shkelje e të gjitha rregullave dhe ligjeve, aq sa seanca shpesh herë ishte komike. Asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dëshmitar, por gjykata e gjendur para presioneve nga lartë i denoj sindikalistët minimalisht 3 muaj burg. Greva e Poliçanit tronditi dhe ekuilibrat politikë në Tiranë, Kuvendi Popullor u mblodh në shtator 1992, shkarkoi nga Kryeprokuror Maksim Haxhin, duke vendosur në vend të tij Alush Dragoshin.

"Kuvendi Popullor, me vendimin nr.231, datë 17.9.1992, shkarkoj nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm Maksim Haxhia, për dobësi të theksuara në punë, për mungesë objektiviteti dhe zvarritje në hetimin e disa çështjeve penale të rëndësishme. "

Më 22 Tetor 1992 pas disa ditësh debate parlamentare të tensionuara i hiqet imuniteti deputetit Ilir Meta i akuzuar si nxitës i demostratave në Poliçan. Në muajin Prill 1993 në Poliçan erdhi për vizitë Presidenti i Republikës Sali Berisha në një përpjekje për uljen e tensioneve midis të tjerave ai deklaroi:

"Ata që politizuan grevën e Poliçanit ishin mjeranë politikë"

Shume ujëra kanë rrjedhur nga atëherë, shumë politikanë janë larguar dhe shumë të tjerë kanë dalë në skenën politike. Disa nga protagonistët e këtyre ngjarjeve janë larguar nga qyteti, disa të tjerë nuk jetojnë më, por një gjë nuk do harrohet kurrë nga poliçanasit: KY ISHTE SOLIDARITETI QYTETAR I ATYRE DITËVE QË NE SOT SHUMË N'A MUNGOJNË...!
©Corovoda Online/ Publikim me të drejta autori për Corovoda Online nga Mr.sc. Besim DERVISHI
       
         
close