Pamje: Mali i Tomorrit |
"Kemi informata të sigurta se englezët në Skrapar këto ditët e fundit i kanë shumëzue shkarkimet të çdo lloj materiali e ushqime në zonën bazë Staraveckë, me qendër Helmës. Prej disa ditësh brigada e shtatë dhe shumë njësina të brigadave të ndryshme si të Kurveleshit, Zagoris e tjera janë grumbullue në katundin Therepel ku kanë bërë organizimin e forcimit dhe stërvitje më armë të rënda artilerije dhe murtaja. Pararojat e këtyne fuqirave sot janë diktue në katundet mâ të afërta me këtë qytet. Nga këto informata na rezulton se të kuqtë në gjithë zonat e kontrolluara prej tyne kanë bërë mobilizim të përgjithshëm. Gjithë këto përgatitje i bëjnë për sulmin dhe okupimin e këtij qyteti. Mbasi përballimi i sulmit të tyne të fuqishëm me forcat që kemi sot duket tepër e vështirë, lutemi t'intervenohet mundësisht sa mâ parë për dërgimin e një fuqije tjetër të mjaftueshme".
Çorovoda Online ka veçuar edhe një dokument tjetër. Me interes është shkresa nr. 311/4 Rezervat i Posaçëm që i drejton Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 30 korrik 1944, zëvendësishtkomandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Tahsin Bishqemi, ku evidentohet fakti se Komanda e Zonës së Operacionit të Beratit, me anë njerëzish besnikë që ka dërgue në vend, ka ardhë në gjendje të vërtetojë informatën e referuar më poshtë:
"Përmbi katundin Helmës në Skrapar dhe pikërisht në rrëzën e Malit 'LIRZË', në nji livadh pak a shumë i gjanë si dhe në lagjen Xholak po t'atij katundi, ku gjindet prapë një livadh i tillë janë ngrehun një numër i konsiderueshëm baraka ende të pa ngjyrueme. Ndër të dy këto vende zbresin aeroplanë englezë me shkarkue materiale të ndryshme dhe ushqime. Gjinden atje 15 oficera dhe 30 nënoficera e ushtarë englezë të pajisun me radiotransmetuese. Për ruejtjen e këtij Shtabi âshtë caktue brigada e 12-të e formueme rishtas me elementa mâ të shumtit kurveleshas dhe përbahet nga 200 veta. Enver Hoxha me shtabin e tij ndodhet n'atë qendër. Aty nga data 19 - 20 e këtij mueji (korrik) janë nisun prej Skrapari në drejtim të Elbasanit një çetë prej 250 vetash me tri barrë municion rezervë dhe një mortajë të rândë me qëllim që të shkojnë në ndihmë të çetave në viset e veriut".
Sipas raportimit të datës 30 korrik 1944 të kolonel Bishqemit për Ministrinë e Punëve të Brendshme, që ju referohet blogu corovoda online, rezultonte se para disa ditësh ishte bërë një mbledhje çetash komuniste në Çorovodë dhe se ndërmjet komunistëve ekziston një grindje, pse një pjesë don të quhen nacional-çlirimtarë dhe pjesa tjetër komunista internacionalë. Popullsia ishte shumë e dëshpëruar, sidomos për korrjen dhe konfiskimin e grurit, të cilin e depozitojnë pa e ça kryet për ushqimin e popullit. Nga gjenda e krijuar në Skrapar, Dishnicë e Mallakastër, kolonel Bishqemi sugjeronte se do të ishte lehtë që të kryhej një operacion vetëm me fuqi qeveritare, sepse sipas mendimit të Komandës së Zonës së Operacionit të Beratit kishte për të pas ndihmën e plotë të popullit.
©Corovoda Online