Një ditë të bukur Tetori, 1980, Filip Çakuli mbërriti në Çorovodë. Në atë mot punonte në revistën “Hosteni”. Pas vizitave në kafene, librari, bibliotekë, përfundoi në zyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv një mesoburrë, pak i sëkëlldisur. Këtu mori rrugë biseda. Ministria e Transportit kishte hartuar një fonogram “top sekret” me këtë tekst: “Njoftoni ministrinë për numrin e vaporëve, motobarkave, skafeve që keni në shkallë rrethi.” Fonogrami ishte nisur në rrethet e Sarandës, Vlorës, Durrësit, Lezhës, Pogradecit, Shkodrës. Sipas rregullit, i pari fonogramin e lexoi Kryetari i Komitetit, në fillim buzëqeshi. Shaka e bukur, mendoi! Skrapari vetëm malet e shkëmbinjtë i ka me shumicë dhe me këtë ide qëndisi një letër. Kur e përfundoi, ndjeu shejtanin brenda vetes, po sikur të jetë një lojë e sigurimit të shtetit, për të hutuar imperializmin amerikan dhe revizionizmin sovjetik? Nuk ka bërë kurrë vaki që ministria të bëjë një gafë të tillë, sidomos kur hartohen fonograme të firmosura nga vetë ministri, që është jo vetëm veteran i luftës, por edhe anëtar i Byrosë Politike? Hej bela! Kujtoi vitin 1975, në gazetën “Zëri i Popullit” u botua artikulli: “Kur flet klasa punëtore nuk flet burokracia.” dhe ai nga Tirana përfundoi në Skrapar, në vendin ku ha pula gurë, me kuç e me maç, vetëm për një lapsus. Këndoi edhe një herë letrën. Pse e vë veten në zamet,- foli me vete? Në cep të fonogramit vuri shënimin: “Ta shohë nënkryetari”! Letra me protokoll u nis nga njëra zyrë te tjetra. E pa nënkryetari e qeshi në fillim, por kur pa firmën e ministrit dhe të kryetarit, i ngriu buzëqeshja në buzë.
Mendoi: “Po ja lë kopilin në derë shefit të industrisë dhe transportit”. Shefi na qëlloi njeri praktik, kopjen e fonogramit e nisi fshat më fshat. Pas një jave erdhi përgjigjja. “Sipas porosive, fonogramin e zbërthyem. Bëmë verifikimin. Nuk kemi as anije e as barka.” Shkresa me protokoll kaloi zyrë më zyrë. E plotësuar me firmat nga baza, nga shefi, nënkryetari dhe kryetari mori formën e fonogramit. Me protokoll dhe me siglën top sekret, u nis për në Ministrinë e Transportit. Pas një jave mbërriti një fonogram i ri, e kishte firmosur vetë ministri.- Hajde gomarllëk hajde! Edhe bufi e di, që në Skrapar nuk “rriten” vaporë! Kaq syleshë, xhanëm, që nuk e kuptuat që ishte gabim?! Historinë e fonogramit, ministri i’a tregoi gruas, që kishte një kleçkë të vogël në biografi, për të cilën ai ishte rrëfyer në parti. Por shoku Enver, paskësh thënë: “Nuk ka pse të shqetësohemi! Rëndësi ka që i është rrëfyer partisë”! -Edhe Mehmet Shehu, iu rrëfye partisë për punën e fejesës së djalit të mesëm, me një vajzë nga familja Turdiu pa biografi të mirë,I tha gruaja e tromaksur,- kur përfundoi së lexuari letrën e burrit ministër. Por gjashtë muaj pas rrëfimit, Mehmeti vajti te të shumtët, me një plumb në ballë, që u tha vetëvrasje, por që nuk i dihet filli. Do një këshillë? I tha gruaja. Mohoje fonogramin që ke dërguar në Skrapar. Grua e mençur, mendonte ministri, ndërsa shkruante fonogramin e dytë që kundërshtonte të parin. Pse i ha kësula ministrit, bluanin mokrat e Kryetarit? Të rrëfehem apo të mos rrëfehem në parti? Në këtë sëkëlldi e gjeti Filipi në vitin 1980, Kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Skraparit. Kur e dëgjoi avokat Ngjela historinë pas 35 vjetëve, bëri këtë shpjegim filozofik. Regjimi i Enverit nuk ishte diktaturë, ishte despotizëm. Diktaturat kanë ligje të ashpra, po i shkele, thuaji burgut hapu. Despotizmi nuk ka as ligje e as rregulla. Nuk di pse dënohesh dhe kur do dënohesh?! Prandaj të gjithë e kishin lepurin në bark!
©Corovoda On Line
©Corovoda On Line