Intervista: Naim Zoto botuesi i "Perpara gjyqit te Historise" Libri dedikuar te pathenave rreth figures se Xhelal Staraveckes **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Intervista: Naim Zoto botuesi i "Perpara gjyqit te Historise" Libri dedikuar te pathenave rreth figures se Xhelal Staraveckes

Fatjon Kaloci
1.9.12
Pas nje serie publikimesh te Corovoda On Line ne Rubriken Koordinata X rreth te pathenave te Clirimit te Skraparit ne nje material te perfshire ne Librin e botuar nga Shtepia Botuese "Naimi" me Titullin: Xhelal Staravecka - Perpara Gjyqit te Historise", Corovoda On Line publikon te plote nje Interviste me botuesin Naim Zoto, pak dite pas publikimit online ne blogun tone te materialeve ne fjale. .
Intervistë e botuesit Naim Zoto, shtëpia botuese “Naimi”-shtëpi botuese dhe studio letrare
-Ju keni botuar librin me kujtime historike të Xhelal Staraveckës me titullin “Përpara gjyqit të historisë”, i cili është pritur me shumë interes nga lexuesi dhe ka ngjallur debate të shumta. Si arritët deri këto dorëshkrime të shkruara 46 vjet më parë në Paris?
-Në një lloj mënyre edhe odiseja e gjetjes së dorëshkrimit të kujtimeve të Xhelal Staraveckës, një protagonist i historisë shqiptare në vitet ’30-’60 të shekullit që lamë pas, lidhet dhe ngjan me jetën plot peripeci të vetë autorit. Jeta dhe veprimtaria e Xhelal Staraveckës, natyrisht, madje, ca më shumë, dëshmia e tij e shkruar, vazhdimisht është shoqëruar me cilësimet “e rrezikshme”. Kësisoj është vlerësuar si nga pushtetet e ligjëruara që kanë mbajtur vulat dhe karriget këto 100 vjet në Shqipëri, por, ca më shumë, nga pushtetet okulte (të fshehta apo të fshehura) që shpesh kanë pasur më shumë ndikim se sa kolltukombajtësit në fatin e kombit dhe shtetit shqiptar.
Duke qenë se kam lindur në atë krahinë ku kishte lindur dhe zhvilluar aktivitetin e tij autori i këtyre kujtimeve, në kujtesën time prej fëmije ishte formatuar pikërisht ky imazh për Xhelal Staraveckën; diçka mes “gogolit” dhe “heroit”. Më kishte rastisur që nëpër biseda nëpër odat e pasdarkave në Skrapar, sapo niste ndonjë histori e tipit “Kur erdhi Xhelali...” apo “Kur doli çeta e Xhelalit në Qafë të Kiçokut...”, i zoti i shtëpisë shikonte nga ne fëmijët dhe na urdhëronte “Tani shkoni e flini ju të vegjlit!”. Kur pyesja njerëzit e mi të afërt se “Kush ishte ky Xhelali?” për të cilët flitej gati nën zë, pothuaj gjithnjë merrja të njëjtën përgjigje: “Rri, more djalë, se nuk janë punë për ty këto... Janë të korkolepsura gjërat në këtë vend”.
Pastaj u bëra gazetar në gazetën “Zëri i Popullit” dhe një herë më caktuan të shkruaj një reportazh për festën e çlirimit të Skraparit nga pushtimi fashist. Nuk e harroj shefin e veteranëve të asaj kohe, i cili, kur e pyeta për herë të tretë, krejt pa djallëzi, se “nuk më the kush ishte komandant i çetës partizane që çliroi qytetin”, më la me bllokun e shënimeve në dorë. Dhe, duke ikur, më tha i nervozuar: “Edhe unë po ta them për herë të tretë: E çliruan partizanët!”. E, pra, për 50 vjet nën regjimin komunist askush nuk guxonte ta përmendte publikisht emrin e një prej komandantëve më të mëdhenj antifashistë të jugut të vendit, Xhelal Staravecka. Mirëpo edhe pasi kaluan 20 vjet nën demokraci, askush nuk u kujtua për këtë figurë historike.
Kohë më parë, kur themelova shtëpinë botuese “Naimi”, vendosa t’i futesha zbulimit të enigmës “Staravecka”. Kam pasur kontakte me njerëz të të gjitha “ngjyrave” politike. E dini përgjigjen që më jepnin shumica? Vetëm epitete krejt të kundërt me njëri-tjetrin: “oficer i Zogut”, “antizogist”, “ballist”, “komunist”, “antikomunist”, “anarkist”, “idealist”, “kriminel”, “tradhtar”, “patriot i madh”, “trim”, “dezertor”. Pothuaj askush nuk më ofronte informacione të sakta, dokumente, dëshmi apo referenca serioze. Për fat të keq, pasardhësit e tij të afërt kishin emigruar në SHBA.
Dëshmia e parë serioze që më nxiti edhe më shumë më erdhi nga miku im, studiuesi Shaban Sinani: Xhelal Staravecka kishte shkruar edhe një shkrim ku merrej me Ismail Kadarenë, madje, duke bërë një vërejtje ironike të karakterit letrar: “Pse vetëm në Veri ka male të thinjta?”. Dikush më pat thënë se një kopje e dorëshkrimit të Xhelalit kishte qarkulluar nën dorë për disa kohë në Tiranë në vitet ‘70. Madje, një “kompetent” më tha se një kopje të këtij dorëshkrimi vetë Xhelal Staravecka ia kishte dërguar Enver Hoxhës me shënimin e thatë shoqërues: “Z. Enver Hoxha, Tiranë, Shqipëri”. Në faqe të parë të dorëshkrimit kishte shtuar shkurt “Për dijeni”.
Kështu, para një viti, kur unë gati i pata humbur shpresat, një miku im, jurist në profesion, më lajmëroi se i kishte gjetur kujtimet e Xhelal Staraveckës. Për tri ditë e tri net, pothuaj pa asnjë pushim, lexova dorëshkrimin prej rreth 500 faqesh me format të madh. Ajo që më befasoi ishte jo vetëm pasuria e jashtëzakonshme e informacionit historik, shumica krejt e panjohur, besoj edhe për opinionin publik, por sidomos kultura e të shkruarit dhe përshkrimit të historisë, ngjarjeve, fakteve, personazheve realë.
- A ka si qellim ky liber per te “rehabilituar” ne nje fare menyre figuren e Xhelal Staraveckes ne historine e Shqiperise ketu marr shkas dhe nga titulli qe ka libri “Para gjyqit të historisë”?
- Me thënë të drejtën, pas publikimit të kujtimeve të tij, interesit të jashtëzakonshëm me të cilën po priten nga lexuesi rehabilitimi në sensin moral është duke ndodhur. Por, nuk është detyrë e botuesve të rehabilitojnë apo të madhështojnë figurat historike. Me sa di unë, koncepti “rehabilitim” është një koncept juridik apo që iu referohet institucioneve shtetërore. Një shtet serioz mban shënime dhe bën qokat përkatëse në këtë rast, kurse historianët kanë rastin të reflektojnë, siç u pa edhe në vlerësimin e këtyre kujtimeve nga historianë e studiues seriozë si profesorët Pëllumb Xhufi e Shaban Sinani në ditën e promovimit të librit në Akademi të Shkencave. “Staravecka ishte stigmatizuar nga regjimi komunist si një tradhtar i ideve të Luftës Nacional Çlirimtare, por tani ne mësojmë se ky njeri, që u braktis nga Partia Komuniste, ka pasur mendje të ftohtë dhe nuk hedh poshtë vlerat që ia njeh LANÇ-së”, -tha prof. Xhufi.
Si botues, për botime të kësaj natyre, unë synoj t’i ofroj publikut, natyrisht edhe historianëve, një bazë sa më të gjerë të dhënash, dëshmi apo këndvështrime të reja mbi proceset apo figurat historike. Mua nuk më ka interesuar Xhelal Staravecka si person, as që është apo nuk është autori nga katundi apo krahina ime. Dhe një nga vlerat më të veçanta që kanë kujtimet e Xh. Staraveckës, apo edhe kujtimet e një tjetri autor dhe figurë interesante që unë kam publikuar vjet, libri me kujtime historike i Ismail Strazimirit me titullin “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, është pikërisht evidentimi dhe denoncimi nga këta dy autorë i mendësive tribale, përdorimi i mendësive krahinoriste, primitive për qëllime të marrjes apo mbajtjes së pushtetit. Për turpin tonë kombëtar ky ves vazhdon të jetë sjellje politike edhe sot në shekullin e 21.
-Ju vete teksa lexonit keto doreshkrime per cilat nga figurat apo protagonistet qe përmend Staravecka ne doreshkrimet ndricohet me shume nga ajo qe eshte shkruar dhe njohim deri tani?
-Në kujtimet e Staraveckës ka shumë figura historike me të cilat ai ka pasur bashkëpunim gjatë veprimtarisë së tij të gjatë por edhe shumë intensive politike, atdhetare apo shtetërore. Duke qenë një njeri me arsim të plotë (ka kryer shkollën e lartë në një nga akademitë më të mira evropiane në Itali në vitet ’30), një njeri në pozicione kyç gjatë historisë, ai ka ditur të vëzhgojë e të njohë nga afër shumë njerëz të politikës, luftës dhe diplomacisë: ai pothuaj ka njohur të gjitha kampet politike që kanë vepruar në Shqipëri, duke nisur me Zogun dhe ministrat e tij, Enver Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij, deri mërgatën politike antikomuniste. I ka njohur më majë dhe në zgrip të lavdisë së tyre, nga brenda dhe nga jashtë. I ka njohur në luftë dhe në paqe, në burg dhe në hotel “Dajti”. Ka njohur dhe psikologjisur turmat dhe elitën. Libri i Staraveckës mund të konsiderohet edhe një antologji për tradhtinë dhe tradhtarët e Shqipërisë.
Që të jem më konkret për ju: unë shkoj çdo ditë në shtëpi përmes një rruge që mban emrin “Pandi Dardha”; unë pi kafe çdo ditë në një lokal në fillim të rrugës që mban emrin “Myslym Shyri”, unë ha shpesh dreka në një restorant që ndodhet në rrugën që deri dje mbante emrin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Pas këtyre tre emrave deri tani na kanë mësuar apo na kanë thanë një histori. Por këto histori dëshmohen krejt ndryshe në kujtimet e Xhelal Staraveckës. Sipas leximit tim, një nga dëshmitë më serioze të Staraveckës është ndriçimi për herë të parë i masakrës që tronditi Tiranën më 4 shkurt 1944 dhe autorët e saj apo denoncimi që autori i ka bërë ndërhyrjes dhe ndikimit të misionarëve jugosllavë në veprimtarinë e partisë komuniste dhe luftës çlirimtare shqiptare.
-Ky libër, është përfunduar në Paris në vitin 1966, si një testament politik e moral i autorit thoni ju. Perse vendoset ta sillnit pikerisht tani për lexuesin shqiptar?
-Shkurt dhe për një arsye fare të thjeshtë: sepse tani arrita ta shtie në dorë. Ajo për të cilën ndjej keqardhje është vonesa e papërligjur e këtyre 20 vjetëve të fundit. Ky libër duhej dhe mund të ishte botuar më parë. Këto kujtime thonë shumë të vërteta për luftën e dytë botërore dhe luftën çlirimtare të shqiptarëve. Mirëpo, siç e dini, kanë mbetur shumë pak nga ai brez që bëri këtë luftë dhe sakrifikoi për këtë vend. E, pra, shumë prej tyre nuk arritën t’i mësonin këto të vërteta.
-Duke qene se ai ka njohur nga afër udhëheqësit komunistë por dhe figurat e Ballit dhe Legalitetit. Në këtë trekëndësh që historia e Shqipërisë anon pozitivisht nga te paret (komunistët) sipas kujtimeve të Xh. Staraveckës kush ishin patriotet dhe tradhtaret e ketij vendi?
-Shikoni, historia, sipas meje, është tjetër gjë dhe fati dhe vlerësimi individual për njërën apo tjetrën figurë politike nuk mund të bëhet aq kollaj. Jeta e njeriut si individ është komplekse dhe në ndryshim. Secili e do atdheun në mënyrën e vet. Nuk ka vetëm një mënyrë të shprehjes së dashurisë ndaj atdheut. Dua të them që dihen, për shembull, fitimtarët dhe humbësit e luftë së dytë edhe për Shqipërinë. Xhelal Staravecka duket se mban anën e atyre që e rreshtuan Shqipërinë në krahun fitues antifashist. Por në rastin e kujtimeve nuk kanë shumë rëndësi komentet apo vlerësimet e autorit për njërin apo tjetrin. Rëndësi parësore kanë të dhënat, aktiviteti, ngjarjet dhe përshkrimi i proceseve historike sipas asaj që ka ndodhur realisht. Tradhtarët janë me shumicë ndër shqiptarët sipas Straveckës, madje, duke i identifikuar me emër apo me grupime, duke nisur me Mbretin Zog, krerët e tjerë të Ballit e Legalitetit nga jugu në veri. Duke qenë vetë protagonist dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, Staravecka na sjell me emra dhe me data, për shembull, edhe veprimtarinë e të ashtuquajturit “Komiteti Shqipëria e lirë” në Romë, organizatë, sipas tij, e manipuluar nga shërbimet e huaja për t’i përdorur shqiptarët kundër atdheut të tyre.
-A mund te merren kujtime e tij si te verteta historike edhe pse te padokumentuara?
-Më vjen mirë që e bëni dallimin mes kujtimeve historike dhe historisë si shkencë e mbështetur në të dhëna të verifikueshme. Unë iu thashë se këto dëshmi duhet të kalojnë në filtrin e historianëve, të ballafaqohen me arkivat dhe ekspertët. Por, shumë nga dëshmitë dhe kujtimet e Staraveckës janë lehtësisht të verifikueshme, sidomos ato që lidhen me Luftën Antifashiste. Askush nuk mund të mohojë, pavarësisht se historiografia e kontrolluar dhe e politizuar e regjimit komunist e bëri këtë, se Xhelal Staravecka ka qenë protagonist i organizimit të luftës dhe betejave çlirimtare në disa rajone në Berat, Skrapar, Korçë, Fier, Kolonjë, Përmet, madje ka komanduar luftën e drejtpërdrejtë kundër pushtuesve aty.
Dorëshkrimin e kujtimeve të Xhelalit në libër unë e kam plotësuar me disa foto të asaj kohe. Për shembull, foto që është përdorur për të dizenjuar kopertinën, ku Xhelali ka dalë në krah të djathtë të Enver Hoxhës, ka një histori. Këtë foto, e censuruar natyrisht, pra, duke hequr Xhelalin, e kemi parë nëpër albumet e dikurshme të udhëheqësit komunist. Për herë të parë ajo publikohet autentike në këtë libër. Edhe kjo foto, e përdorur qëllimisht si kopertinë e librit, është pjesë e historisë sonë dramatike: revolucioni vret bijtë e vet!
-Ky liber e ka hapur tashme debatin por ju si botues per cfare ceshtjesh mendoni se do te ndeze me shume debatin?
-Për të kënaqur kërshërinë e lexuesit tuaj, për shembull, në kujtimet e Staraveckës, për habinë time, jepen dëshmi dhe argumente që i nxjerr në dritë negative edhe dy-3 figura të kulturës sonë kombëtare si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi dhe Tajar Zavalani, me të cilët autori hyn edhe në një polemikë të drejtpërdrejtë.
Unë mendoj se faktet dhe dëshmitë e ofruara nga Xhelal Staravecka e kanë në vetvete arsyen pse ato nuk janë botuar deri tani. Sipas meje, kjo nuk lidhet me emrat e tradhtarëve apo patriotëve që përmenden aty. Jo, këto kujtime hedhin dritë për disa plagë që ne si popull e si komb, si shoqëri nuk kemi pasur guximin apo vullnetin për t’i përballuar, Nga ana tjetër, kastat sunduese që janë këmbyer në pushtet i kanë nxitur këto plagë pikërisht si një mënyrë për të marrë dhe për të mbajtur pushtet, duke flirtuar dhe kënaqur përmes tyre edhe me interesat e vendeve fqinje në Shqipëri. Më bëri përshtypje ajo që më tha këto ditë një profesor, me të cilin kam pasur thjesht një përshëndetje formale. “Urime, -më tha. -Ke botuar një libër në të cilin autori thotë disa gjëra të cilat ne i mendojmë, por kemi frikë t’i themi publikisht”. E, pra, në librin e Xh. Staraveckës jepen dëshmi e fakte se si politikanët dhe klanet sunduese e përdorin popullin si mish për top edhe kundër njëri-tjetrit, jugun kundër veriut dhe anasjelltas, se si politika bëhet urë për të huajin vetëm për të marrë pushtetin, se si shpesh shqiptarët për shkak të religjionit shesin, shajnë apo tradhtojnë atdheun etj. etj. Xhelal Staravecka nuk ka mëshirë për këto vese. Dhe kur nuk ka mëshirë për veten e tij, as që pyet për të tjerët.
-Perse familjaret hezituan ne fillim per botimin e doreshkrimit te Xhelal Staraveckes?
-Po pasi gjeta kopjen e dorëshkrimit të kujtimeve m’u desh të lidhesha me familjen Staravecka. Për shumë arsye. Më së pari, sepse nuk doja ta botoja librin pa lejen e tyre. Nuk gjeja dot një lidhje. Xhelal Staravecka ka pasur një jetë të jashtëzakonshme dhe një fat që iu ndodh shpesh idealistëve shqiptarë të pa-inkuadruar në klanet politike: Tri herë i dënuar me vdekje; nga Zogu, nga Enveri dhe nga Italia. Martohet në vjeshtë të vitit 1943, një vit më vonë detyrohet të arratiset. Gruan dhe djalin nuk e pa më, të cilët për shkak të Xhelalit, nisën peripecitë nëpër burgje dhe kampet e përqendrimit të regjimit komunist... Pas viteve ’90 familja Staravecka emigron në SHBA. Si të kontaktoja?
Siç bëj shpesh shaka unë: “Rroftë Bill Gates!”. Më ndihmoi interneti. “Google” më informonte se Staravecka kishte në Ohajo të SHBA. Më dolën disa emra, midis tyre Genc Staravecka, djali i djalit të Xhelalit. U lidha pastaj direkt me babain e tij, Naimin, djalin e Xhelalit, i cili edhe me ftesën time erdhi në Shqipëri. Më solli edhe kopjen “franceze” të dorëshkrimit, kopje që ishte ruajtur nga një dikush që kishte jetuar me Xhelalin deri sa vdiq në Paris, në maj 1975. Mirëpo këtu na doli një telash tjetër: në kujtimet e Xhelalit shkruhej jo mirë për Abaz Kupin dhe Fiqiri Dinen, me të cilët familja Staravecka ishte miqësuar nëpër burgje dhe kampe përqendrimi. Dhe kishin bërë krushqi. Më në fund, u mirëkuptuam me adashin tim dhe mora miratimin e botimit. Dhe nga ana tjetër, persekutimi i familjes Staravecka nën regjimin komunist është një histori më vete që kërkon botimin e një libri tjetër.
©Corovoda On Line
       
         
close