Çorovoda - 78 vjet çlirim - Xhelal Staravecka mbi Clirimin e Skraparit (Pjesa e Katert) 6 ore lufte per Clirimin e Corovodes **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Çorovoda - 78 vjet çlirim - Xhelal Staravecka mbi Clirimin e Skraparit (Pjesa e Katert) 6 ore lufte per Clirimin e Corovodes

Fatjon Kaloci
2.9.20
Me rastin e 78 viteve të çlirimit të Skraparit Corovoda Online ripublikon pjesë nga libri me kujtime i Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”: Në fund të çdo postimi mund të ndiqni lidhjen që ju çon në pjesën vijuese.  ©Naim Zoto me të drejta publikimi për Corovoda Online
GJASHTË ORË LUFTË PËR ÇLIRIMIN ÇOROVODËS
Çlirimi i komunës së Çepanit kishte një qëllim dhe qëllimi ishte ai që realizova të nesërmen: çlirimin e kryeqendrës së Nënprefekturës së Skraparit, Çorovodës.
Atë ditë, para se të hyja në Çepan, të katër partizanët e tjerë, Anastas Lulon dhe një tjetër i dërgova në Zabërzan, nga ku të nesërmen me ata burra të armatosur që dëshironin të merrnin pjesë në luftë të atij katundi dhe të katundit Lapanj, të më priste herët te ura e Sharovës, në skaj të Çorovodës, dhe dy partizanët e tjerë i dërgova në katundin Prishtë me të njëjtën porosi.
Të nesërmen në 8 dhjetor 1942 te ura e Sharovës në mëngjes gjeta të katër partizanët me burrat e Zabërzanit, të Lapanit, të Prishtës dhe ata pak çepanakë që solla vetë. Gjithsej, numri i atyre trimave nuk i kalonte 40, e duke qenë i sigurt se skraparasit, sapo të dëgjonin pushkët e para, do të vinin për të marrë pjesë në atë luftë, vendosa të sulmoja okupatorin për të çliruar kryevendin e popullit të Skrapari. Posa u grumbulluam tek ura e Sharovës, i pyeta ata burrat që i ishin përgjigjur thirrjes sime, nëse dëshironin të luftonin për të çliruar Çorovodën dhe ata ma prenë fjalën duke më thënë:
-Derisa çdonjëri prej nesh të ketë shpirtin në dhëmbë dhe armën në dorë, çdo vendim për aksion luftarak që të kesh marrë, cilido qoftë aksioni që ti të kesh zgjedhur për ta kryer, të mos dyshosh në vendosmërinë tonë.
Atëherë në mesin e ditës i shkrova një letër italisht komandantit të trupës okuponjëse, duke i thënë se i jepja dy orë afat për të vendosur mbi qëndresën apo largimin pa luftë dhe shtoja se, në rast tërheqjeje pa konflikt, i siguroja rrugën nga çdo rrezik deri në Berat.
Në Çorovodë në atë kohë ndodheshin dyzet karabinierë sardenjolë e sicilianë, gjoja më trima, dhe dyzet e pesë milicë shqiptarë. Por, këta të fundit, para se të shtrëngoja rrethimin, i lanë lamtumirën Çorovodës, prandaj nuk munda të kapja asnjë, megjithëse kisha një dëshirë të zjarrtë që ata që do t’i kapja të gjallë do t’i pushkatoja.
Toger Politi, emrin e të cilin e mësova në Itali me rastin e gjykimit tim në Romë, atëherë komandant i rrethit të Skraparit, posa mori letrën time, lajmëroi Beratin, pasi unë nuk i kisha prerë telefonat dhe Berati lajmëroi Tiranën dhe kjo e fundit i dha urdhër Beratit që të qëndronte “Tenenza” e Skraparit, pse me të shpejtë do t’i shkonin ndihma nga kryeqyteti. Në orën 14 karabinierët e “Tenenza-s” së Skraparit, të cilët gjatë atyre dy orëve i kishim parë duke fortifikuar kazermën e tyre tek dyert dhe tek dritaret, më dhanë përgjigje negative me një të shtënë mitralozi që më hodhi në tokë...
U ndez lufta dhe pas tre orëve të vazhdimit të saj erdhën katër avionë që na bombarduan dhe na mitraluan, por edhe ata morën disa plumba në trup, natyrisht jo në organet jetikë dhe mbas pesëmbëdhjetë minutash të aksionit të tyre ikën e na lanë në punën tonë, në atë punë që do ta kurorëzonim me sukses, mbas gjashtë orë lufte të egër. Mbas katër orë e gjysmë luftë, rrethimin e shtrëngova në afërsi të komandës së rrethit e pastaj me aksione bombash e me qitje të dendur kundra dritareve, u futa nën strehën e godinës ku rezistonte trupa italiane.
Toger Politi, kur e pa se asnjë ndihmë nuk mund ta shpëtonte nga dara ime që po shtërngohej rreth tij, mbasi kisha krejt një natë në dispozicionin tim, pse me një kushëririn tim, Fejzi Zabërzanin dhe Riza Lapanin, thyem portat e kazermës me bomba dore dhe u bëmë sundimtarë të katit përdhes. Kështu, kati i parë ku ndodhej armiku ishte nën mëshirën time, ose ta hidhja në erë me dinamitin që gjeta aty në dy arka në zyrën e punëtorisë botore, pasi ajo ndërtesë qeveritare përfshinte të gjitha zyrat prej xhandarmërisë deri tek botorja, ose mund t’i vija zjarrin nga poshtë me kashtë që ndodhej aty afër. Në atë moment togeri italian, duke u ndodhur përpara një pamundësie, vendosi të ngrite duart lart. Pushka u pre dhe togeri italian dhe karabinierët e tij, ca të aftë e ca të plagosur, u dorëzuan.
Meqë ishte bërë një përpjekje në formën thjeshtësisht ushtarake, i akordova togerit të italian dhe trupës së tij, një sjellje ushtarake. Toger Politi, kur hyra brenda me trupën që ishte vënë në rresht, i paraqiti nderin e armëve flamurit tonë që e kishin grisur plumbat e italianëve në atë përpjekje. Pastaj më tha se dyzet ushtarakë që kishin marrë pjesë, pesë ishin të plagosur, tre nga të cilët ishin rëndë.
U mbajta një fjalim që u habitën, pse dëgjonin nga njerëz malesh, sikurse na konsideronte okupatori dhe sidomos në gjuhën italisht, arsyetime që nuk i kishin dëgjuar në raste dhe në vende të tjera, kur u thashë se lufta e tyre ishte e padrejtë, pasi ishte një aventurë pushtimesh, ndërsa lufta jonë ishte e shenjtë se e bënim për të çliruar vatrën tonë. E theksova faktin se ne nuk kishim luftuar me tërbim kundra njëri-tjetrit, nuk kishim pasur ndonjë armiqësi më parë, pse, mbi të gjitha, ne nuk njiheshim dhe nëse luftonim kundra njëri tjetrit ajo ishte një tragjedi e lindur dhe e ushqyer me gjakun e popullit italian ku, një grusht njerëzish të shtyrë nga etja e imperializmit, i kishin futur në aventurën vdekjeprurëse në pushtime me forcën e armëve.
Kur unë mbarova fjalimin, meqenëse italishten e flisja rrjedhshëm, në atë rast gjeta shkakun t’u laja trurin se ne luftëtarët e Nacional Çlirimtares nuk ishim banditë, si na konsideronte okupatori, por njerëz me ideale atdhedashëse dhe me kulturë të shëndoshë e, si të tillë, ishim koshient e të bindur se lufta që bënim ishte një luftë e drejtë. U dhashë urdhër të lëshonin armët tek shtiza e flamurit për t’u dhënë të kuptonin se unë dhe kushdo tjetër ishim në shërbim të kauzës dhe të aspiratave legjitime te çlirimit të vendit tonë nga thundra e të huajit duke u thënë se ato vegla ishin të rrezikshme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për njerëzimin mbarë. Me fjalë të tjera, u thashë se cilido me ato armë në dorë, kur nuk i ka marrë të mbrojë një të drejtë qoftë personale, qoftë kombëtare, edhe pse mund të ketë formën e jashtme si njeri, bëhet shtazë e egër, i aftë t’i bëjë çdo të keqe të ngjashmit të tij.
Në dorëzimin e armëve, togeri italian hoqi revolverin nga brezi dhe e dorëzoi i pari tek shtiza e flamurit e pastaj filloi dhe trupa. Mirëpo, gjatë dorëzimit të armëve të inferiorëve të tij, nga shkaku i dëshpërimit apo lëndimit të thellë për sedrën dhe krenarinë e armës që bënte pjesë, nxori një bombë nga xhepi që ia kishte hequr siguresën gjatë luftimit dhe e hodhi në mes tij dhe meje me qëllim që bomba të na hidhte në erë që të dyve. Në atë çast një nga njerëzit e mi, plaku kushëri Ahmet Staravecka, me një shpejtësi të çuditshme, nxori revolverin për t’ia shkarkuar në kokë italianit. Admirimi për atë veprim më bëri që të ndërhyrja për mosvrasjen e tij, por i dhashë edhe revolverin...
Me përjashtim të armëve, u thashë karabinierëve dhe komandantit të tyre se ishin të lirë të merrnin gjithçka që kishin patur në zotërimin e tyre. Veç pesë të plagosurve që u dhashë pesë mushka, natyrisht nga mushkat e tyre dhe dy të tjera për të ngarkuar çantat e sendet e tjera, nuk u mora as paratë e administracionit, që ishin e drejta jonë si botin ushtarak në luftë. Bile, u dhashë edhe një detashment që i përcolli deri në periferi të Beratit...
Dua akoma të vë në dukje përshtypjet e mia që pata atë natë në 8 dhjetor të 1942 në çlirimin e Çorovodës. Nga të pesë të plagosurit jo vetëm që nuk dëgjova asnjë ankim, por marshall Zagu, të cilit i kishte hyrë plumbi në ballë dhe i kishte dalë prapa kokës, natyrisht pa ia prekur trurin, mundohej të tregonte se nuk e ndjente fort dhembjen e plagës. Në fytyrën e atyre njerëzve këndohej çiltazi urrejtja e thellë që ndjenin kundra nesh, pse, sipas mentalitetit të tyre, ne kishim bërë sakrilegjin më të tmerruar duke prekur sedrën dhe krenarinë e tyre, duke i detyruar të çonin duart përpjetë, prandaj edhe të plagosur nuk i ndjenin dhembjet e plagëve. Pikërisht nga hidhërimi i thellë, në çastin e dorëzimit të armëve tek shtiza e një copë stofe të një vendi që e kishin okupuar, të cilët i kishin dalë për zot banditët (partizanët), pse kështu mendonin shokët e toger Politit, toger Politi bëri gjestin që përshkrova më lart.
Kryevendin e nënprefekturës së Skraparit, për të dytën herë, mbas më se gjashtë orë luftë të rreptë, e çlirova me skraparasit, të cilët posa dëgjuan pushkët e para erdhën menjëherë të merrnin pjesë, sa u detyrova që një pjesë t’i lija jashtë konfliktit. Midis tyre nuk ndodhej profesor Abaz Ermenji që ishte më i detyruar se të tjerët, pse Skrapari i kishte dhënë qumështin që e rriti, shkollën dhe zgjuarsinë, porse ndjenjat atdhetare i kishte shumë të varfra, aq sa u zhyt pa të keq në liqenin e Ballit Kombëtar, si bekçi i okupatorit.
Dhe unë sot, që nuk shijova kurrgjë të mirë nga aq luftëra që bëra dhe aq djersë që derdha, jam në mërgim duke pirë krejtësisht kupën e vrerit. Mirëpo kur i kujtoj, edhe tash që po i përshkruaj ato luftëra fatlume, harroj çdo gjë, edhe vuajtje edhe mjerime, pasi qenia ime mbushet me hare dhe gëzim kryelartësie, aq sa bëhem si i dehur nga afshi i një kënaqësie që kalon përtej çdo mase, kur mendoj se kam qenë biri më shërbestar i vendit tim, duke shkelur çdo interes personal për atë popull trim e bujar që ka hequr të zezën e ullirit nga tradhtarët shqiptarë në bashkëpunim me sllavët, grekët dhe italianët.
KLIKO KETU PER TE LEXUAR PJESEN E PARE
KLIKO KETU PER TE LEXUAR PJESEN E DYTE
KLIKO KETU PER TE LEXUAR PJESEN E TRETE
KLIKO KETU PER TE LEXUAR PJESEN E PESTE
©Corovoda On Line / Naim Zoto
       
         
close