Koordinata X: Rrefehet ish Majori: Ja si i ndertuam 4 vilat sekrete te udheheqjes ne Skrapar **COPY** -->

Baneri Kryesor Siper

Koordinata X: Rrefehet ish Majori: Ja si i ndertuam 4 vilat sekrete te udheheqjes ne Skrapar

Fatjon Kaloci
22.8.12
Koordinata X rubrika e elementeve historike te Skraparit nje nder klikimet me te ndjekura te Corovoda On Line kete here ndalet ne nje rrefim te nje ish-majori. Ahmet Mehmeti tregon detaje per ndertimin e tuneleve te fshehta te thesarit dhe te shtabit ne Skrapar. Keshtu ne kete rubrike kemi vecuar disa citate te pergjithshme te thena prej tij. Sipas tij per ndertimin, pas marrjes së vendimeve nga ana e Këshillit të Mbrojtjes, për zbatimin e tyre u ngarkua ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, të cilët, gjithashtu, ngarkuan një grup pune të përbërë nga gjeneralët Vaskë Gjino e Mendu Backa; nga kolonelët Josif Zegali e Kadri Brahimaj; si dhe nga unë e Kristaq Qarri, që mbanim gradat e majorit. Pasi na u komunikua detyra, nga ana e Beqir Ballukut e Petrit Dumes, ne si grup pune shkuam në rrethin e Skraparit dhe bëmë rikonicionin, apo më saktë njohjen e terrenit, për të përcaktuar e piketuar vendin ekzakt se ku do të ndërtoheheshin objektet strategjike tepër sekrete, që asokohe konsideroheshin të një rëndësie të veçantë".

Kështu e kujton 74-vjeçari Ahmet Mehmeti, ish-ushtarak i lartë pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, atë kohë në fillimin e viteve '60, kur u ngarkua si oficer drejtimi për të ndjekur zbatimin e disa objekteve tepër sekrete që do të ndërtoheshin në rrethin e Skraparit. Po cilat ishin ato objekte, pse u vendos ndërtimi i tyre në rrethin e Skraparit dhe si u vlerësuan ato, pas përfundimit të punimeve, nga Mehmet Shehu, që shkoi vetë për inaugurimin e tyre? Për të gjitha këto, na njeh dëshmia ekskluzive e kolonelit në pension, Ahmet Mehmetit, i cili në mesin e viteve '70 u largua si i padëshirueshëm nga Ministria e Mbrojtjes.

Si u ndërtuan 4 vilat për Enverin, Mehmetin, Hysnin e Beqirin

"Objektet sekrete të Skraparit i përballonin edhe goditjet atomike"
Po sa kohë zgjatën punimet për ndërtimin e objekteve sekrete të Skraparit dhe cili ishte vlerësimi që iu bë atyre nga udhëheqja e lartë? Lidhur me këtë, Ahmet Mehmeti kujton: "Punimet për ndërtimin e atyre objekteve sekrete zgjatën më pak se një vit, pasi aty u organizuan një numër i madh forcash të specializuara dhe nuk mungonte asnjëlloj materiali. Ndërtimi i tyre u bë me një cilësi tepër të lartë dhe aty, në zyrat dhe dhomat e punës e të ndenjijes të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm, nuk mungonte asnjë nga elementet e domosdoshme të jetesës normale. Ato objekte ishin maskuar më së miri me pemë dhe rrjeta kamuflazhi dhe ishin parashikuar të përballonin të gjitha goditjet e armikut, si atë atomike ashtu dhe ato kimike.

Po kështu edhe katër vilat për udhëheqësit më të lartë të shtetit u ndërtuan me të gjitha kondicionet fizike, pa u lënë gjë mangut atyre të Dajtit në Tiranë, Pogradecit, Vlorës apo Durrësit, ku ata pushonin normalisht me familjet e tyre. Kur mbaroi ndërtimi i objektit të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në Qafën e Devrisë, i cili ishte i gjithi nën tokë, u vendosën edhe masat e forta të sigurisë për ruajtjen e tij me truproje të posaçme. Aty, në afërsi të atij objekti, u vendos një repart i komanduar nga shefi i mbrojtjes së objekteve, Sytki Korita. Kur mbaroi ndërtimi i objekteve dhe do të bëhej përurimi i tyre, nga udhëheqja e lartë erdhi Mehmet Shehu me Beqir Ballukun e Petrit Dumen, si dhe gjeneralët Mendu Backa, Vaskë Gjino, Tanush Shyti, Todi Naço e Kadri Brahimaj (kolonel). Të gjithë këta u shoqëruan nga kolonel Dilaver Radëshi, të cilin Mehmeti e merrte gjithnjë me vete në Skrapar, si dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, Teki Malindi, dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Qetsor Kaltanji. Mehmeti i shkeli me këmbë të gjitha objektet, që nga vendkomanda e Shtabit, tuneli i thesarit e deri tek vilat e udhëheqjes, duke u futur zyrë më zyrë e dhomë më dhomë. Atij i pëlqeu shumë cilësia e ndërtimeve të atyre objekteve dhe na tha: "Ju lumtë, si këto objekte që bëmë këtu, së shpejti do të ndërtojmë edhe në zonën verilindore të vendit".

Pas prishjes me sovjetikët u mblodh urgjent aktivi i ushtrisë në Durrës

"Enveri mbështeti Ballukun për 'mbrojtjen me forcat tona'"
Lidhur me periudhën kur u hodh për herë të parë ideja për tunelizimin masiv të ushtrisë, dhe çfarë u disktutua në mbledhjen e aktivit të Ushtrisë, që u zhvillua në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në plazhin e Durrësit, Ahmet Mehmeti kujton: "Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1961, udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe e Këshillit të Mbrojtjes vendosën që mbrojtja e vendit të mbështetej krejtësisht në forcat tona, pasi deri në atë kohë mbrojtja e vendit ishte e mbështetur edhe nga Moska, që konsiderohej si aleati ynë më i madh. Pra, me pak fjalë, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, mbrojtja e vendit do të mbështetej krejtësisht në forcat tona, që solli si pasojë dhe zhvillimin e atij aktivi të Ushtrisë, ku, veç të tjerash, u vendos ndërtimi edhe i tuneleve të Skraparit. Aktivi i zgjeruar i Ushtrisë u zhvillua në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve, në plazhin e Durrësit, dhe aty morën pjesë drejtuesit kryesorë të njësive të Ushtrisë, siç ishin Korpuset e Brigadat dhe kuadrot kryesorë të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa nga udhëheqja e lartë aty morën pjesë: Enver Hoxha; kryeministri Mehmet Shehu; Sekretari i KQ të PPSH-së që mbulonte dhe Ushtrinë, Hysni Kapo; ministri i Mbrojtjes, Gjeneral-leitnant, Beqir Balluku; dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Gjeneral-major Petrit Dume; të cilët përbënin dhe presidiumin e asaj mbledhjeje tepër të rëndësishme. Referatin kryesor të asaj mbledhjeje e mbajti ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku. Tema e saj ishte: Mbrojtja e atdheut, detyrë mbi detyrat. Pas atij diskutimi u bënë dhe shumë diskutime të tjera, të cilat kryesisht ishin në mbështetje të referatit të ministrit të Mbrojtjes. Aty pati dhe debate të diskutantëve të tjerë që e morën fjalën, por ato u sheshuan shpejt me ndërhyrjen e Enver Hoxhës, i cili u shpreh se gjithsecili duhej ta thoshte mendimin e tij lirshëm, pasi për atë gjë ishin thirrur aty të gjithë drejtuesit kryesorë të njësive të Ushtrisë. Pas atyre debateve, punimet e aktivit vijuan normalisht dhe në përfundim, si pikë kryesore, u vendos: Ndërtimi i mbrojtjes pozicionale-aktive, i kombinuar me mbrojtjen e manovrueshme, kryesisht në bregdet, në Jug të Shqipërisë dhe në zonat verilindore, të cilat ishin zona më të rrezikuara nga një agresion ushtarak i mundshëm.
©Corovoda On Line
       
         
close